BallinaFaktometerE vërtetëVaksina anticovid po vijnë çdo javë, por vonesa e Coronavac ngriti disa pikëpyetje

Vaksina anticovid po vijnë çdo javë, por vonesa e Coronavac ngriti disa pikëpyetje

Mbërritja e vaksinave kundër Covid-19, të paktën këto tri javët e fundit ka ndodhur, ashtu siç u zotua ministrja e Shëndetësisë. Por mungesa e vaksinës Coronavac për disa ditë, ngriti pikëpyetje mbi efektshmërinë e mbrojtjes nëse doza e dytë injektohej përtej afatit katërjavor nga doza e parë. Edhe pse nuk ka ndonjë studim për këtë, ekspertët duken më të shqetësuar që tek pjesa dërrmuese e popullësisë dhe ajo më vulnerabël po injektohet vaksinë e pamiratuar nga EMA dhe FDA.


Më 10 maj, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu me anë të një postimi në rrjetin social facebook, u zotua se çdo javë do të vinin doza vaksinash anticovid.

Screenshot nga postimi i Ministres së Shëndetësisë,Ogerta Manastirliu.

Faktoje vendosi të verifikojë këtë deklaratë duke nisur nga 10 maji e deri në javën e fundit të këtij muaji.

Pas datës 10 maj, sasia e radhës prej 12.870 dozash të vaksinës Pfizer, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë mbërriti një javë më vonë, me datë 17 maj.

Më datë 23 maj mbërritën në aeroportin e Rinasit 60 mijë doza të vaksinës Coronavac. Po atë ditë ministrja Manastirliu deklaroi:

“60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac. 60 mijë doza, të cilat do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të vijojnë edhe vaksinimin me dozën e dytë.

Edhe pse rezulton e vërtetë që prej 10 majit e deri më sot të kenë mbërritur çdo javë vaksina anticovid, vonesa e dozave Coronavac, për personat që prisnin dozën e dytë, siç u raportua edhe në media, ngriti një shqetësim real.

Gjatë një vëzhgimi të Faktojes në sheshin Skëndërbej, ku ndodhet qendra e vaksinimit masiv, gjatë paradites dhe në orët e drekës të hënën e 24 majit, ishte pothuajse bosh. Nuk kishte qytetarë për t’u vaksinuar edhe pse kishte prej tyre që prej ditësh u kishte kaluar afati njëmujor për dozën e dytë CoronaVac.

Foto në orët e paradites në sheshin Skëndërbej, që shërben si pikë vaksinimi, 24 maj

Një ndër të rrallët që gjetëm aty, një zonjë rreth të 60-ve na tha:

“Me thënë të drejtën kot dola këndej, thashë hajt ta provoj njëherë se ku i dihet. Kam gati 1 javë e pak që vij e tani më thanë që mund të bëj dozën e dytë.”

Një qytetare pasi ka marrë dozën e dytë të vaksinës Coronavac me 3 ditë vonesë.

A ulet efektivteti i vaksinës Coronavac nësë doza e dytë merret me vonesë?

 Faktoje kontaktoi me ekspertë të fushës mbi efektivitetin që ka doza e dytë nëse merret më vonë se një muaj nga injektimi i të parës.

“Sipas protokollit doza e dytë e vaksinës Coronavac merret 4 javë më pas. Ndonjë diferencë e vogël në ditë nuk shkakton ndonjë problem të madh, pra nuk duhet të shqetësohemi për një gjë të vogël. Por, nëqoftëse shkon disa javë nuk ka imunizim të plotë, domethënë nuk vuan gjë shëndeti nga pikëpamja se nuk bën të dytën, por nuk ka mbrojtje nga SARSCOVID, 2 këtu është problemi i madh.”-shprehet epidemiologu Ilir Alihmehmeti, i cili thekson më tej:

“Me sa kemi parë nga një studim që është bërë në Kili dhe është rishkikuar nga ekspertët e OBSH, me një dozë të vetme, efektiviteti është 6 deri në 15%. Pra nuk ofron dot atë që ka bërë Astra Zeneca dhe Pfizeri me një dozë të vetme. Nuk ka efektivitet të lartë me një doze, por duhen dy dozat.”

Ndërsa eksperti Erion Dasho jep këtë koment:

“Coronavac, kur bëri studimin e parë testoi dy metoda aplikimi, në 14 dtë dhe në 28 ditë. Varianti me 28 ditë interval, midis dozës së parë dhe dozës së dytë doli variant që shkakton dhe nxiste më tepër mbrojtje imunologjike. Pra, të paktën në bazë të një studimi që është referuar, intervali midis dozës së parë dhe dozës së dytë duhet 28 ditë.”

Shqetësimi më i madh sipas Dashos, qëndron tek fakti se Shqipëria ka vaksinuar pjesën dërrmuese të popullatës me një vaksinë të pamiratuar nga agjencitë EMA dhe FDA:

“Vonesa e marrjes së dozës së dytë nuk e di çfarë problemi mund të sjellë në shëndet, sepse problematikë në shëndet ka qenë marrja e dozës së parë dhe marrja e CoronaVac-ut në përgjithësi si një vaksinë e paçertifikuar. Unë mendoj se ka qenë gabim i qeverisë shqiptare që ka sjellë vaksinën Coronavac. Ajo duhet të kishte marrë shembull nga qeveria kosovare e cila këtë vaksinë nuk e pranoi se ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të shtetit të Kosovës.

Ajo që unë mendoj se është e domosdoshme të kryhet në këto kohë, është menjëherë një ndryshim kursi i qeverisë, pra nga Coronavac si vaksina e cila është përdorur për të vaksinuar pjesën dërrmuese të populates, duhet të kalojë në sigurinë e vaksinave Pfizer, Biontech, Moderna ose Johnson&Johnson, AstraZenneca të cilat janë vaksina të çertifikuara nga EMA dhe FDA dhe që janë provuar nga studimet e mirëfillta si në Britaninë e Madhe se ofrojnë një mbrojtje mbi 90%.”

Qeveria shqiptare, javën e kaluar lidhi marrëveshjen e dytë më kompaninë turke për furnizimin me vaksinën ‘kineze’. Për të lejuar injektimin në popullsi të kësaj vaksine të paçertifikuar nga EMA dhe FDA, Qeveria ndryshoi tri herë aktin normativ nga muaji janar deri në prill të këtij viti. Por ndërsa për 500 mijë dozat e para u paguan 10 milionë dollarë, për kontigjentin tjetër të vaksinave Coronavac, bazuar në Aktin Normativ të botuar në Fletoren Zyrtare më 21 maj, numri i dozave dhe çmimi i tyre mbahen sekret. Ajo që dihet zyrtarisht është se blerja e dozave Coronavac do të përballohet nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img