BallinaPertejVaksinatorët: Covishield e kemi injektuar që në muajin maj

Vaksinatorët: Covishield e kemi injektuar që në muajin maj

ILDA HOXHA

Vaksina “Covishield”, e cila nuk është miratuar nga FDA dhe EMA, rezulton të jetë injektuar në disa pika vaksinimi, të paktën në Tiranë. Disa vaksinatorë dhe mjekë në Sheshin “Skënderbej”, “Air Albania” dhe Poliklinikën 9 pranojnë se kanë injektuar këtë vaksinë që pranverë, edhe pse Ministria e Shëndetësisë, nuk ka publikuar ndonjë informacion për praninë e kësaj vaksine. Për herë të parë, emri i vaksinës Covishield, një prodhim indian që sipas të dhënave ka ngjashmëri me përbërjen e vaksinës Asta Zeneca, u raportua në shtator për Faktojen nga Ministria e Shëndetësisë, pas një kërkese për informacion.

Vaksina indiane “Covishield” rezulton të jetë injektuar në Shqipëri, të paktën 3 ose 4 muaj më parë. Faktoje bëri një verifikim në terren, ku arriti të konfirmojë se vaksina është aplikuar te disa qytetarë. Por, ajo që mbetet mister, është fakti, se cilat kategorive saktësisht u janë injektuar vaksinat me këtë emërtim, pasi ai nuk rezulton në ndonjë njoftim publik të qeverisë, mbi dozat dhe llojin e vaksinave të administruara që nga nisja e procesit të vaksinimit.

Faktoje bëri një verifikim në terren në disa nga pikat dhe qendrat kryesore ku kryhet vaksinimi në Tiranë, ku arritëm të zbulojmë se këto vaksina janë injektuar në periudhën prill-maj.

Qendra e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania”, shtator 2021

Në vëzhgimin që Faktoje bëri në qendrën e vaksinimit tek “Air Albania” rezultoi se aty aktualisht po injektohen 4 lloje të vaksinave, AstraZeneca, Pfizer, Sputnik V, Sinovac.

Të pyetur nga Faktoje, anëtarë nga stafi që regjistron personat që vaksinohen,  konfirmuan se në muajin maj, “Covishield” është aplikuar aty, ndërsa një pjesë tjetër nuk kishin dijeni në lidhje me këtë lloj vaksine.

Ne pyetëm edhe qytetarë që ndodheshin aty dhe prisnin për t’u vaskinuar, por ata mohuan të kishin dëgjuar ndonjëherë për këtë lloj vaksine.

“Jo, nuk e kam dëgjuar. Unë po marr dozën e dytë të vaksinës ruse”- tha një 65-vjeçar.

“Nuk e kam dëgjuar këtë vaksinë. Unë kam bërë Pfizer, të dyja dozat. Sot po shoqëroj burrin”- tha një tjetër e moshuar për Faktoje.

Qendra shëndetësore 9 në Tiranë

Faktoje ishte edhe në qendrën shëndetësore numër 9 në Tiranë, ku na konfirmuan se injektimi i vaksinës “Covishield” është kryer nga data 19 maj.

“Covishield është AstraZeneca indiane. Është prodhim indian. Ka qenë një periudhë që është bërë ‘Covishield’, e kemi bërë edhe ne këtu, tani nuk ka më. Në 19 maj ka filluar ‘Covishield’ te ne”- tha për Faktoje një nga mjeket, e cila nuk pranoi të identifikohej.

Ndërsa një vaksinatore po në këtë qendër konfirmoi:

“Covishieldi është bërë që në prill, për këtu nuk e di. ‘Covishieldin’ unë e kam bërë në fasoneri. Po, ato e dinin që ishte kjo lloj vaksine”.

Ndërkohë bëhet e ditur se në qendrën shëndetësore numër 9 po injektohen aktualisht vaksinat AstraZeneca dhe Sinovac.

Faktoje pyeti edhe një qytetar me inicialet B.H., nëse kishte dëgjuar për Covishield.

“Nuk kam dëgjuar për ‘Covishield’. Sapo bëra dozën e dytë të Pfizer”- u shpreh ai.

Në vëzhgimin që bëmë në qendrën e vaksinimit në “Sheshin Skënderbej”, pjesëtarë nga stafi, që merren me regjistrimin e personave për vaksinim. thanë se nuk kanë dëgjuar për “Covishield”.

“Këtu kemi AstraZeneca dhe kinezen. Unë jam që me 20 mars këtu në shesh. Është hera e parë që e dëgjoj ‘Covishield’. Nuk është aplikuar këtu. Ne jemi të mirëinformuar me këtë punë dhe këtë s’e kam dëgjuar. Me njëmijë për qind nuk është bërë këtu”- u shpreh një prej tyre.

Nga ana tjetër, vaksinatorë nga “Sheshi Skënderbej” kanë konfirmuar se vaksina “Covishield” është aplikuar kur ka nisur procesi i vaksinimit, por nuk na specifikuan se te cila kategori.

Qendra shëndetësore numër 1

Në qendrën shëndetësore numër 1, anëtarë të stafit të vaksinimit thanë se “Covishield” nuk është injektuar te pacientët në këtë qendër.

“Këtu bëhen të tre llojet, Pfizer, AstraZeneca, Sinovac. ‘Covishieldin’ nuk e kam dëgjuar. Ne nuk e kemi bërë asnjëherë këtu”- sqaruan ata për Faktoje.

Qendra shëndetësore numër 2

As në qendrën shëndetësore numër 2 në kryeqytet nuk rezulton të jetë injektuar kjo vaksinë. Faktoje pyeti vaksinatorët, të cilat theksuan se nuk kishin dëgjuar më parë për këtë lloj vaksine.

“Këtu bëhen vaksinat Pfizer, kineze dhe AstraZeneca. Këtu nuk është aplikuar ‘Covishield’, sot po e dëgjojmë”- bëri të ditur një nga vaksinatoret e kësaj qendre.

Faktoje pyeti një 25-vjeçar i cili ishte paraqitur për t’u vaksinuar në këtë qendër, nëse kishte dijeni se në Shqipëri ishte futur vaksina indiane “Covishield”

“Sapo u vaksinova me Pfizer, doza e parë. Nuk kam dëgjuar për ‘Covishield”- u shpreh ai.

Faktoje bëri një anketë në rrjetet socile ku pyeti ndjekësit e saj nëse ishin në dijeni të pranisë së vaksinës Covishield në Shqipëri. Nga kjo anketë rezulton se pjesa dërrmuese e votuesve 88%  nuk janë në dijeni të kësaj vaksine. Vetëm 12% e votuesve kanë pohuar se janë në dijeni se kjo lloj vaksine ka hyrë në vendin tonë.

Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë e konfirmoi hyrjen në Shqipëri të vaksinës Covishiled, në një shkresë dërguar Faktojes në fillim të shtatorit, ku raportonte se ishin administruar 50 mijë doza të tilla.

540.540 doza Pfizer

300.000 doza AstraZeneca

60.000 doza Sputnik V

50.000 doza Covishield

50.000 dozat e vaksinës Covishield rezultojnë të kenë ardhur pas një marrëveshjeje me Indinë, informacion që Faktoje e siguroi nga kërkimi se cilat shtete njohin vaksinat e injektuara në Shqipëri.

Faktoje është interesuar sërish pranë Ministrisë së Shëndetësisë, përmes një kërkese për informacion se kur ka nisur injektimi i vaksinës Covishield dhe në cilat kategori është injektuar dhe jemi ende në pritje të përgjigjes zyrtare nga ky institucion.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img