Në 9 mars në Shqipëri u konfirmuan katër rastet e para të prekura me koronavirusin e ri COVID-19. Një muaj pas shfaqjes së virusit, në Shqipëri kurba që tregon progresin e përhapjes së koronavirusit është ende në rritje. Deri sot regjistrohen gjithsej 409 të prekur, 22 prej të cilëve kanë humbur jetën.
—————————————————————————————————————————————–
Rastet pozitive dhe shpërndarja gjeografike
Që prej datës 9 mars, rastet e identifikuara pozitive nga testimi për COVID-19, kanë ardhur duke u rritur. Një muaj, nga publikimi i rasteve të para me koronavirus, rastet janë 100 fish më të mëdha. Të infektuar pati edhe nga bluzat e bardha, disa prej të cilëve, siç raportojnë autoritetet shtetërore, janë shëruar.
Mosha mesatare e të prekurve sipas autoriteteve është rreth të 50-tave.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, rastet më të shumta kanë qenë në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.
Vetëm në Tiranë janë regjistruar 50% e rasteve totale të zbuluara në të gjithë republikën.
Harta e të prekurve
Të vdekur
Shqipëria regjistron pas një muaji, 22 viktima. Shumë prej atyre që kanë humbur jetën është njoftuar se kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese.
Vdekshmëria në Shqipëri është 5,5% e totalit të të prekurve.
Të shëruar
165 persona që kanë rezultuar pozitivë raportohet të jenë shëruar.
Duke llogaritur numrin total të të identifikuarve me COVID-19, rezulton se përqindja e të shëruarve ka shkuar në 40%.
Numri i testimeve
Numri i qytetarëve që janë testuar për koronavirus deri më tani është 3223. Dy ditët e fundit kanë shënuar numrin më të madh të personave të testuar në ditë, respektivisht 234 dhe 236 persona në ditë.
Numri i testimeve ka qenë temë debati në opinionin publik. Disa, mendojnë se Shqipëria po teston më pak se sa duhet apo më pak se vendet e rajonit dhe kësaj teze i qëndron edhe opozita, sipas të cilës Shqipëria nuk po teston mjaftueshëm. Qeveria është përgjigjur se numri ditor i testimeve nuk është në dorën e saj, por të një një grupi ekspertësh të shëndetësisë.
Shqipëria në karantinë
Që prej datës 13 mars Shqipëria është në karantinë. Kufijtë me vendet e tjera nisën të mbyllen.
Edhe Aeroporti “Nënë Tereza” anuloi pothuajse të gjithë fluturimet ashtu siç vepruan edhe vende të tjera.
Shqiptarët po bëjnë gati një muaj të mbyllur në shtëpitë e tyre me mundësi shumë të limitura për të lëvizur, vetëm për nevojat kryesore.
Mjekët këmbëngulin se distancimi fizik është e vetmja mënyrë për ta parandaluar për momentin virusin.
Sa i përket pyetjes se kur do të mbarojë kjo situatë, pothuajse askush nuk mund të japë një parashikim të saktë. Megjithatë ka pasur opinione të ndryshme ekspertësh të cilët kanë thënë se fundi i prillit, fillimi apo deri fundi i majit mundet ta gjejnë vendin me shumë pak raste. Mjeku Pëllumb Pipero tha së fundmi në Open, Top Channel se gjysma e parë e të keqes tashmë ka kaluar.