BallinaFaktometerRama: Plani për rindërtimin as nuk shtyhet e as nuk ndryshon...

Rama: Plani për rindërtimin as nuk shtyhet e as nuk ndryshon…

Pandemia “Covid-19” ndryshoi planin e rindërtimit në përgjithësi dhe atë në Thumanë në veçanti. Kryeministri Edi Rama më 16 mars deklaroi se plani i rindërtimit as nuk do shtyhej e as nuk do ndryshonte. Por të mërkurën gjatë inspektimeve të punimeve në Thumanë, Rama u shpreh se brenda këtij viti do ndërtohen vetëm banesat individuale dhe se ato kolektive do shtyheshin për një moment të dytë.


Gjatë një komunikimi me qytetarët më 16 mars për shkak të pandemisë “Covid-19”, kryeministri Edi Rama foli edhe procesin e rindërtimit si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Rama deklaroi se procesi do vijojë siç ishte parashikuar dhe se brenda vitit do përfundonte tërësisht procesi.

“… fondet që BE premtoi nuk do të ndryshojnë destinacion, pasi plani për rindërtimin nuk shtyhet dhe nuk ndryshon, edhe pse koronavirusi është i tmerrshëm. Sot kemi nxjerrë tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e shkollat, 59 të reja, 8 konvikte tek Universiteti Bujqësor dhe 4 në QS dhe 8.7 mld për shtëpitë dhe bëjnë 160 mln dollarë”- u shreh Rama.

Të mërkurën në 8 prill kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ishte për inspektim në nisjen e punimeve për procesin e rindërtimit në Thumanë.

Ndryshe nga sa ishte deklaruar nga kryeminitsri Rama, procesi i rindërtimit do pësojë ndryshime. Brenda vitit do duhet të përfundojë rindërtimi i banesave individuale ndërsa për sa u përket atyre kolektive, rindërtimi do shtyhet për një moment të dytë.

Duhet të bëjmë çmos që të përfundojmë brenda këtij viti të paktën banesat individuale. Ndoshta nuk i bëjmë do të gjithë, me tre turne do punojnë, por të paktën banesat individuale do duhet të bëhen“, u shpreh Rama.

Thumana është zona e parë, nga 26 të tilla ku nis ndërtimi i qytezës së re për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë qytezë të re është planifikuar të ndërtohet gjithçka nga e para, ku do të përfshihen gjithsej 276 banesa individuale dhe 168 banesa kolektive, jo më të larta se 4 kate. Rindërtimi në Thumanë është sponsorizuar nga Turqia e cila do të ndërtojë 500 shtëpi, qendër biznesi, shkollën publike dhe godinën e Bashkisë së Thumanës, në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Projekti për rindërtimin në Thumanë, prezantuar më 3 mars 2020

Procesi i rindërtimi në Thumanë ishte parashikuar të përfundonte brenda muajit dhjetor 2020, përfshirë këtu banesat kolektive, ato individuale, qendrën shëndetësore, njësinë administrative si dhe qendrën kulturore.

Kryeministri Rama, më herët kishte deklaruar se brenda vitit 2020 do futeshin në banesa të reja të gjithë të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit, por në 8 prill ai vetë pranoi se deri në fund të dhjetorit synon ndërtim e banesave individuale.

Nisur nga gjetjet e “Faktoje”, deklaratën e kryeministrit, Rama për procesin e rindërtimimit, do ta kategorizojmë si “Gjysmë të vërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img