BallinaBurokraciBashkia Tiranë refuzon të japë informacion, as Komisioneri “nuk zgjidh hall”

Bashkia Tiranë refuzon të japë informacion, as Komisioneri “nuk zgjidh hall”

ANXHELA RUÇI

Bashkia e Tiranës prej dy muajsh vazhdon të zvarrisë përgjigjet e kërkesave për informacion, dërguar nga “Faktoje”. Nëse ligji për të drejtën e infomimit do të zbatohej, bashkia duhet të ishte ndëshkuar tashmë me gjobë.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Ligji 119/2014 “Për të drejtën për informim” i jep të drejtë çdo qytetari të marrë nga institucionet shtetërore dhe jo vetëm, informacione të cilat janë publike.

Në përditshmërinë tonë si gazetarë, kërkesa për informacion është një nga praktikat më të përdorura për të verifikuar deklaratat e zyrtarëve publikë.

Së fundmi “Faktoje” ka hasur në zvarritje dhe refuzim të dhënies së informacionit nga Bashkia Tiranë, e cila ka shkelur edhe afatet që komisioneri për të drejtën për informim i ka vendosur këtij institucioni. Nëse ligjërisht duhen 10 ditë pune për të kthyer përgjigje, kanë kaluar thuajse dy muaj dhe në redaksinë e “Faktojes” ende nuk ka mbërritur përgjigje nga Bashkia Tiranë.

Më 26 dhjetor 2019 përmes e-mailit i kërkuam këtij institucioni:

  1. Sa shtëpi në Bashkinë Tiranë janë dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit?
  2. Sa nga këto shtëpi të dëmtuara janë rindërtuar deri në dhjetor 2019?

Një ditë më vonë bashkia ka protokolluar kërkesën për informacion dhe njoftoi se përgjigjja do të kthehet sipas parashikimeve në dispozitat ligjore.

Protokollimi i kërkesës për informim nga Bashkia Tiranë

Normalisht në mesin e muajit janar Bashkia Tiranë duhej të vinte në dispozicion informacionin e kërkuar, por deri sot kjo nuk ka ndodhur.

Pas tejkalimit të afatit, “Faktoje” ankimoi kërkesën te Komisioneri për të Drejtën për Informim, siç parashikohet në ligj. Pas shqyrtimit të ankesës, komisioneri i la afat bashkisë për kthim përgjigje brenda datës 28 janar 2020, në të kundërt do të merrte masa bazuar në ligjin 119/2014 “Për të drejtën për informim”.

Protokollimi i ankesës nga zyra e Komisionerit për të Drejtën për Informim

Bashkia Tiranë ka shkelur edhe afatin që komisioneri ka vendosur dhe as në datën 28 janar nuk ka kthyer përgjigje.

“Faktoje” ka kontaktuar disa herë me zyrën e Komisionerit i cili thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me Bashkinë Tiranë për të kthyer përgjigje për kërkesën e “Faktoje”.

“Faktoje” është ende në pritje të njoftimit nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit se si do procedohet me ankesën ndërkohë që edhe me shkeljen e deritanishme të afateve bashkia duhet të ndëshkohet me gjobën e parashikuar në ligjin për drejtën e informimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img