BallinaBurokraciMbyllja e klasave kolektive, Ministria e Arsimit nuk jep përgjigje

Mbyllja e klasave kolektive, Ministria e Arsimit nuk jep përgjigje

ANXHELA RUÇI

Në mes të muajit shtator në adresë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nga “Faktoje’’ është dërguar një kërkesë për informacion për mbylljen e klasave kolektive dhe pyetje të tjera rreth kësaj teme. Kjo kërkesë është dërguar pas denoncimit të Partisë Demokratike sipas së cilës pretendohej se ministrja Nikolla ka mbyllur rreth 150 shkolla në gjithë vendin.

Mesi i muajit tetor është shumë afër dhe kjo ministri ende nuk e ka marrë në konsideratë kërkesën për informacion, edhe pse tashmë duhet ta kishte bërë një gjë të tillë. Duke qenë se ministria e Arsimit nuk e kreu sipas afateve ligjore detyrën e saj, “Faktoje” dërgoi një ankesë tek Komisioneri i të Drejtës për Informim, por duket se institucioni përkatës ka vendosur mos të kthejë një përgjigje për mbylljen e klasave kolektive, gjë që ka shkaktuar probleme në disa zona të largëta të vendit.

Kjo panoramë të krijon përshtypjen se Ministria e Arsimit punon me dy standarde. Një kërkese tjetër për informacion nisur po nga gazetarët e Faktoje, për numrin e nxënësve që kanë braktisur shkollën, ministria i është përgjigjur në dy ditë pune, ku maksimalja për të dhënë informacion është 10 të tilla.

Mos ndoshta për temat që ministria nuk është e interesuar të japë informacion nuk përgjigjet, ndërsa për tema të tjera tregohet shumë e gatshme të kthejë përgjigje në kohë rekord?

Nuk është hera e parë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë bëhet pjesë e kategorisë Burokraci në “Faktoje.al”. Tani në faqen tonë do të gjeni dhe dy ankesa të tjera për të njëjtën ministri, duke u bërë kështu ministria e dytë, pas asaj të Shëndetësisë që nuk zbatojnë siç duhet detyrat e tyre ndaj kërkesave për informacion duke shkelur ligjin 119/2014 “E drejta për informim”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img