BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitVala e dytë e Covid-19 nuk ‘kursen’ as Gjirokastrën

Vala e dytë e Covid-19 nuk ‘kursen’ as Gjirokastrën

ANILA PRIFTI

“Nuk më pëlqen të jetoj kështu, askush nuk di çfarë po ndodh!”- thotë Klea,  nxënëse e gjimnazit “Siri Shapllo” në Gjirokastër. Shoqet e saj po luajnë volejboll me maska të qepura vetë. Në zonën e traditës së kursimit shumë pak njerëz hyjnë në farmaci për të blerë maskë.

“Ma ka përgatitur gjyshja mua dhe vëllait”- tregon Klea për “Faktoje”.

Në portën kryesore, të shkollës qëndron një punonjëse policie me uniformë, e cila përcjell një ndjesi sigurie shtesë.

“Nuk jam e autorizuar të flas, por s’kemi probleme këtu”- na thotë punonjësja e policisë kur i afrohemi oborrit të shkollës, kurse sekretarja vrapon të mësojë se ku duam të shkojmë dhe afron maskën.

Njëri turn mësimi sapo ka përfunduar dhe nxënësit vrapojnë nëpër shkallë. Nuk është entuziast adoleshentësh, por një sjellje tjetër, që i ngjan më shumë përpjekjes për t’iu përshtatur një realiteti ende të huaj e të vështirë për ta.

Nxënës në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër

“Nuk di ku të shkoj, ndoshta në shtëpi!”- është një nga përgjigjet më të shpeshta të nxënësve pas mësimit në Gjirokastër, të cilët në një situatë të zakonshme vazhdonin të shpenzonin kohë në grup e të shkujdesur para se të ktheheshin në shtëpi.

Qyteti ka më shumë se 80 raste aktive me Covid-19 dhe tre viktima janë shënuar, që nga shfaqja e pandemisë. Ndërkohë që raste të reja të mësuesve dhe të nxënesve të infektuar po lajmërohen pothuajse çdo ditë.

Në korridoret e shkollës era e dezinfektuesve është e pranishme kudo, po ashtu edhe pastërtia. Orët mësimore organizohen sipas protokollit të paracaktuar nga Ministria e Arsimit.

Në klasa mbahet distancë dhe nxënësit janë me maska.

Nxënës në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër

“Para se të dilte akti normativ, patëm raste infektimi në radhët e nxënësve, klasat u karantinuan deri në përgjigjen e testit. Mësimi vazhdoi normalisht dhe një 17 vjeçar, rezultoi i infektuar nga nëna e tij që punon në fasoneri”- tregon drejtori i gjimnazit, Afrim Mele.

Drejtori i gjimnazit Afrim Mele

Adoleshenti ishte pjesë e zinxhirit të të infektuarve në fabrikën e veshmbathjeve. Pas konstatimit të disa rasteve me Covid-19, mbi 120 punonjës u izoluan në shtëpi deri kur morën përgjigjen e tamponit.

“Rasti zero ishte djali i mekanikut të fasonerisë, i cili do largohej jashtë shtetit, Më pas babai i tij që lëvizte me punonjësit me makinë apo me autobus nga puna në shtëpi”-tregon drejtori i Operatorit të Shëndetit në Gjirokastër, Shpëtim Novi.

Pas mekanikut, virusi u përhap tek 20 punonjës të tjerë të ndërmarrjes, që sipas drejtuesit të ISHP, Edi Sinoimeri u karantinuan për 14 ditë.

“Edhe sot që po flasim rastet që njoftohen me Covid – 19 në qytet apo në rrethina, janë pasojë e zinxhirit në fasoneri”- konfirmon Sinoimeri.

“Ne jemi në rregull, i marrim të gjitha masat, por cdo gjë shkon dëm sapo nxënësit dalin jashtë shkollës. Nuk mund t’i kontrollojmë në familje apo në ambjente të tjera!”- thotë drejtoresha e zyrës së Arsimit Albana Hasanaj.

Drejtoresha e Zyrës së Arsimit, Albana Hasanaj

Drejtuesi i gjimnazit “Siri Shapllo”, Mele tërë kohën është i bllokuar me planin e orareve, por thotë se nuk nevojiten mësues të rinj apo zëvendësues. Në shkollë ka ngarkesë dhe stafi pedagogjik, më shumë se një muaj pas fillimit të procesit duket i lodhur.

“Tani i kemi vënë gjerat në vijë, në fillim ishim kaos”-pranon Mele.

Ka vetëm një shqetësim; Termometrin dhe produktet për higjienën, që sipas një vendimi të fundit duhet të sigurohen nga bashkia.

“Kur ata vonojnë, ne veprojmë me mënyra alternative. Ka raste kur nuk mund të presim procedurat e burokracitë e bashkisë, por ne sigurojmë vetëm për ambjentin dhe jo për njerëzit”.

Edhe në zyrën e tij ka mbaruar dezinfektuesi për duart, kurse nxënësve dhe mësuesve në mëngjes nuk iu matet temperatura.

“Jemi munduar që të gjitha shkollat t’i furnizojmë në kohë, por kemi edhe ne pengesa, duhen fonde”- është përgjigjja që morëm kur pyetëm në Bashkinë e Gjirokastrës.

“Gjirokastra është zonë e gjelbër, në shkolla nuk kemi probleme serioze, kemi patur dy raste nxënësish të infektuar në klasa, një mësues në qytet dhe tre në fshatra”- konfirmon për “Faktoje”, drejtori i Operatorit të Shëndetit, Shpëtim Novi që ka ndjekur situatën prej fillimit të pandemisë.

Drejtori i Operatorit të Shëndetit, Shpëtim Novi

Kur e takuam në korrik ishte më optimist, por me fillimin e valës së dytë të koronavirusit situata nuk është aq e thjeshtë edhe pse ende nuk mund të flitet për infektim komunitar.

Ende pa e përfunduar mendimin, gjatë prononcimit për “Faktoje”, e njoftojnë përmes telefonit për mësues të infektuar në një shkollë fshati. Vendimi merret aty për aty, i gjithë stafi u vendos në karantinë dhe u morën 40 tamponë. Testimi në radhët e mësuesve dhe të nxënësve, pavarësisht se hyjnë tek kategoritë e ekspozuara, bëhet pasi shfaqen simptomat.

Ndryshe nga gjimnazi “Siri Shapllo”, në shkollën më të madhe të qarkut me 940 nxënës, “Koto Hoxha” është shumë e vështirë të depërtosh.

Zyrtarisht këtu nuk ka raste të tjera të infektimit, përveç dy nxenësve të cilët u karantinuan, por mësimi nuk u ndërpre.

Anëtarët e stafit pedagogjik nuk lejohen të kontaktojnë me gazetarët, të paktën kështu na konfirmon një mësuese e cila tregon për një urdhër të brendshëm që ua ndalon të flasin.

“Nuk lejohet të futesh në shkolla për shkak të rregullave anti-covid, duhet leje nga Ministria e Arsimit”- thotë shefja e Zyrës së Arsimit në Gjirokastër.

Në portën kryesore të shkollës “Koto Hoxho”, prindërit në grup presin fëmijët të mbarojnë mësimin. Kjo pamje i shqetëson shumë drejtuesit e arsimit, kurse gjyshet qajnë pasi e kanë të pamundur të mësohen me masat anti-covid që po u mohojnë përkëdheljet e përqafimet e nipërve e mbesave.

“Më ka marrë malli të puth mbesën time, atë po pres tani, ta marr dhe ta çoj në shtëpi”- thotë një e moshuar.

“Aktualisht nuk ka asnjë mësues dhe nxënës të karantinuar. Edhe me masat e marra nga Bashkia, zyra arsimore dhe njësia vendore e shëndetit publik, ia kemi arritur ta mbajmë situatën nën kontroll”-konfirmon për “Faktoje” kryetari i Bashkisë Flamur Golemi. Tri ditë pas kësaj deklarate, në Gjirokastër tre mësues dolën pozitivë pas testit për Sars Cov-2.

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi

Megjithë problematikat që i shoqërojnë, shkollat janë vendet më të gjallëruara të qytetit. Ajo çka mbetet, është gri si i ftohti që sapo ka nisur.

“Mbyllëm gjithë verën pa këmbë turisti, tani në dimër është e kotë, do bëhet akoma me keq!”- thotë Q. Dh. pronari i hotelit në qendër të qytetit. Edhe hotelet ngjitur me të janë në të njëjtën situatë.

“Dyqanet në Qafën e Pazarit më shumë rrinë mbyllur sesa hapur. Nuk ka shitje, nuk ka njerëz, kanë ikur të gjithë”- thotë gazetari lokal Njazi Sako për “Faktoje”.

Me aktin normativ për mbajtjen e detyruar të maskës, gjirokastritët duket se janë pajtuar, pa problem. Ajo çfarë i mundon është ankthi për të ardhmen e pasigurtë financiare.

“Kemi vendosur gjoba edhe 50 milionë lekë për dasma në kohën e pandemisë, tani ato u falën. Bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndëshkosh në kushte të tilla!”- tregon drejtuesi i ISHP Gjirokastër, Edi Sinoimeri.

Drejtuesi i ISHP Gjirokastër, Edi Sinoimeri

Kjo detyrë i ka sjellë edhe kërcenime.

“Inshallah i fal prapë qeveria, se ky drejtori duhet të kërkojë azil me ndonjë vend, si Burkina Faso ose Burundi – shkruhet në një nga sms-të kërcenuese.

SMS kërcenuese

Më optimist për përfundimin e situatës së krijuar nga pandemia në Gjirokastër, është kryetari i Bashkisë.

“Aktualisht situata në rreth, duke përfshirë edhe bashkinë tonë vlerësohet e qetë dhe nën kontroll. Në të tre bashkitë, Gjirokastër, Dropull dhe Libohovë në total janë të karantinuar 23 persona, prej të cilëve 18 janë simptomatikë. Thelbi, frikë jo, kujdes po”- thotë Golemi.

Edhe për drejtorin e Operatorit të Shëndetit në Gjirokastër Novi, zona është nën kontroll:

“Këtu kush del me Covid njihet dhe identifikohet menjëhërë. Ky është ‘avantazhi’ i provincës”- thotë ai për Faktoje.

Por ky nuk është rasti i taksistit Spiro Caka, i cili pavarësisht se kishte marrë përgjigjen ‘pozitiv me Covid -19’ mori tre pasagjerë dhe udhëtoi në drejtim të Greqisë.

Ai u kap dhe u gjobit nga ISHP me 700 mijë lekë, të reja kurse tre pasagjerët u karantinuan dhe bënë tamponin, rezultati i të cilit fatmirësisht rezultoi negativ.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img