BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitShkodër, as detyrimi për mbajtjen e maskës në rrugë nuk po e kufizon përhapjen e Covid-19

Shkodër, as detyrimi për mbajtjen e maskës në rrugë nuk po e kufizon përhapjen e Covid-19

ANILA DUSHI 

Shkelja e aktit normativ për mbajtjen e maskës në rrugë, që nga shpallja e tij, është ndëshkuar me mbi 1170 gjoba dhe pothuajse po aq këshillime në Shkodër. Nga vëzhgimi në një ndër qytetet me dendësi më të madhe popullsie, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve vazhdojnë të mos e mbajnë maskën. Policia në Shkodër, vendos mesatarisht 60 gjoba në ditë për këtë shkelje. Nga ana tjetër,  përhapja e virusit edhe sipas shifrave zyrtare, rritet në mënyrë të pandalshme.


Kur kanë kaluar më shumë se 3 javë nga masa detyruese për mbajtjen e maskës edhe në rrugë, në Shkodër vërehet ende mungesë ndërgjegjësimi nga ana e qytetarëve. Ndërkohë shifrat që ilustrojnë nivelin e përhapjes së virusit Covid-19 po njohin rritje, ndërsa pritshmëritë ishin që me shpalljen e aktit të fundit normativ të parandalohej apo frenohej përhapja.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më 02.11.2020, Shkodra ka 990 raste infektimi me Covid-19 dhe 62 viktima, nga të cilët 48 patën si shkak të vdekjes infektimin me Covid-19 dhe 14 të tjerë kishin edhe sëmundje bashkëshoqëruese.

*Njoftimi për situatën epidemiologjike, Shkodër

As shifrat alarmuese që publikohen çdo ditë nuk e kanë ndryshuar qasjen e shumë qytetarëve ndaj respektimit të protokollit anti-Covid dhe masave të tjera shtrënguese. Që prej 15 tetorit e deri më sot, bazuar në shifrat zyrtare, vetëm në Shkodër vendosen mesatarisht 60 masa administrative në ditë nga policia. Edhe grupet e punës me qëllim monitorimin, raportojnë se kanë këshilluar një numër të madh qytetarësh që janë konstatuar duke lëvizur pa maska në rrugë.

Sipas policisë vetëm dy javët e fundit të tetorit u gjobitën 1020 persona me nga 3 mijë lekë. Ndërsa në ditët e para të nëntorit janë gjobitur edhe 150 qytetarë të tjerë.

Nga vëzhgimi në disa prej rrugëvë të qytetit të Shkodrës, vërehet mosrespektim në masë i mbajtjes së maskës, si në mjediset e mbyllura të shërbimit, ashtu edhe në rrugë.

Të rinj pa maska në rrugët e Shkodrës

Nga të dhënat zyrtare të prefekturës së qarkut Shkodër, nga data 22 deri më 31 tetor 2020, nga grupi task force, i ngritur në bazë të urdhërit nr. 29 datë 21.10.2020, janë këshilluar 880 qytetarë që nuk mbanin maskën në ambjente të hapura, ndërsa deri më 5 nëntor janë këshilluar edhe 460 qytetarë të tjerë.

Punonjësit që kanë vendosur gjobat pranojnë se në shumë raste kanë hasur në kundërshtim nga ana e të ndëshkuarve, qoftë edhe duke refuzuar të tregojnë kartën e identitetit.

I.L. banor i Shkodrës tregon për “Faktoje” se u gjobit në rrugë për mosmbajtjen e maskës.

“Nuk më ka ardhur fatura e energjisë elektrike pasi më së shumti nuk vjen, por në e-mail njoftohem me të dhënat mujore dhe gjoba më është përfshirë aty”.

Faturat e energjisë elektrike, për muajin tetor ku parashikohet të pasqyrohen gjobat e shkelësve të aktit normativ, ende nuk kanë dalë, ndaj edhe një pjesë e qytetarëve janë mosbesues për ekzekutimin e masës administrative prej 3 mijë lekësh.

Qytetarë pa maska në rrugët e Shkodrës

Felek Kasemi, pedagoge në Universitetin e Shkodrës, thotë për “Faktoje”:

“Shikon grupe njerëzish në pedonale, pa maska e pranë njëri-tjetrit pa respektuar asnjë masë parandaluese. Ndërgjegjësimi është i dobët. Ka mjaft mosbindje dhe kjo është e dëmshme, pasi ky virus nuk është lojë. Mosbindja duhet ndëshkuar me gjobë.”

“Ka grupe këshillimi që të ndalojnë e flasin për domosdoshmërinë e përdorimit të maskës edhe në rrugë. Më ka ndodhur personalisht. Më ndaluan dhe këshilluan pasi u tregova problemin që kisha me frymëmarrjen dhe maskën e kisha me vete”-përfundon Kasemi.

Lirie Vorfa, drejtore e një filiali banke të nivelit të dytë në Shkodër pajtohet me ndëshkueshmërinë në rast të shkeljes së aktit normativ, gjë që siç pranon ajo, vihet re në masë në Shkodër.

“Unë e kam vendosur maskën edhe në ambjentet e jashtme pa nxjerrë urdhër qeveria. Kam vazhduar ta mbaj dhe di raste konkrete që janë infektuar duke qëndruar pranë njëri-tjetrit, pa maska në ambiente të hapura. Vihet re mungesë ndërgjegjësimi, ka mospërfillje edhe pse është një virus që ka gjunjëzuar botën. Njoh persona, edhe intelektualë që kanë qenë mosbesues fillimisht dhe vetëm kur e kanë pësuar vetë apo të afërm të tyre, atëherë janë bindur.

Masat administrative duhet të vihen dhe të mos falen!”- thotë e bindur Vorfa.

Edhe psikologu Altin Nika e sheh ndëshkimin me gjobë si masën e duhur në rastet e mosbindjes ndaj protokolleve kundër përhapjes së virusit. Ai tërheq vëmendjen për tendencën e një mase të shoqërisë t’u justifikuar.

Altin Nika, psikolog

“Shqiptarët shfajësohen se u iku autobusi apo treni pa e pranuar që u vonuan. Pra e shohin defektin jo aty ku është. Ankohen pse u gjobitën, por nuk pranojnë se kanë shkelur ligjin. Është njësoj kur shkel rregullat e qarkullimit me automjet, apo kur nuk paguan detyrimet dhe të shtohet kamata. Gjoba për mosvenien e maskës duhet parë si stimulim pozitiv, e përforcon detyrimin për respektimin e ligjit, aq më tepër kur kjo lidhet me shëndetin.”

Erisa Bilali, psikologe në shkollë vë në dukje sjelljen e fëmijëve dhe të rinjve kundrejt protokolleve të sigurisë anti-Covid.

Erisa Bilali, psikologe në shkollë

“Nxënësit e shkollave, sidomos ata të arsimit 9-vjeçar janë më të pakujdeshëm në këtë drejtim, sidomos kur luajnë. Vërehen edhe probleme ndërgjegjësimi, pasi ka që i vendosin maskat në rrugë ose ambiente të mbyllura thjesht për të mos u ndëshkuar, por nuk zbatojnë masat e higjienës, i prekin maskat me duar, i heqin e i vendosin kudo. Duhet një punë e vazhdueshme me të gjitha grupmoshat, për ndërgjegjësimin, që është në dobi të shëndetit”.

A.D, me profesion mësuese thotë se është e vetëdijshme se maska duhet vendosur dhe është pozitive që ka një akt normativ për këtë.

“Edhe ndëshkimet duhen kur nuk ka bindje për një çështje të rëndësishme siç është shëndeti dhe jeta”- thotë mësuesja.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img