BallinaTë pambajturaTë pastrehët e Kombinatit ende nuk dinë kur do shemben pallatet e vjetra

Të pastrehët e Kombinatit ende nuk dinë kur do shemben pallatet e vjetra

Zona e Kombinatit pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit dhe si pasojë 1500 familje mbetën të pastreha. Qeveria, përmes një prezantimi në 2020-n shpalosi konceptin e saj për rindërtimin e Kombinatit si një qendër e re, me pallate, shkolla e kopshte dhe pika social-kulturore. Më 24 shtator ministri i Rindërtimit, premtoi se deri në fund të tetorit do të fillonte hedhja e themeleve për pallate të tjera në këtë zonë. Pak ditë nga afati i vendosur nga zoti Ahmetaj, shkuam të verifikonin se në ç’pikë është puna për rindërtimin në Kombinat.


Më 24 shtator ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin “Real Story”, dha afate se kur do të niste hedhja e themeleve për pallatet e reja në këtë zonë.

“Do ndërtohen 2 qendra, ‘5 maji’ dhe Kombinati.

Në fund të tetorit fillon Kombinati. Ua them qytetarëve të Tiranës që në datën 10-15 tetor maksimumi, fillojnë themelet e pallateve tek “5 maji” dhe midis 25 dhe 30 tetorit fillojnë themelet në Kombinat. Nga data e nesërme deri në datën 10 do fillojë prishja dhe pastrimi i inerteve tek ‘5 maji’ dhe 10 ditë më pas në Kombinat. “- garantoi Ahmetaj.

“Kazma e parë e rindërtimit” në këtë zonë do të ishte një hap shumë i rëndësishëm, jo vetëm për përmbushjen e nevojave të qytetarëve që prej thuajse 1 viti janë larguar nga shtëpitë e tyre, por gjithashtu edhe për përmbushjen e projektit ambicioz “KombinArt”.

Më 7 korrik u prezantua projekti, që sipas kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj përfshinte 1.5 milionë m2 ndërtim me qëllim strehimin e 21 mijë individëve.

Pamje nga projekti 3D i zonës së Kombinatit

Pamje nga projekti 3D i zonës së Kombinatit

Pamje nga projekti 3D i zonës së Kombinatit

Më datë 21 tetor ne shkuam në zonën e kombinatit për të parë se në çfarë pike ishte puna në terren për rindërtimin.

Fillimisht shkuam në Njësinë Bashkiake nr. 6, përfaqësues të të cilës na thanë që aktualisht janë 1500 familje që marrin bonus qeraje dhe që do të zhvendosen në pallatet e reja kur këto të kenë përfunduar së ndërtuari. Përfaqësuesit e kësaj njësie bashkiake thanë gjithashtu se aktualisht në zonën e Kombinatit janë 21 pallate për t’u shembur, ndërsa për shembjen besojnë se do fillojë nga fundi i muajit tetor.

Ne shkuam në zonën e ish-kombinatit tekstil ku është parashikuar që të ndërtohet lagjja me pallatet e reja. Aty nuk pamë ndonjë gjurmë të fillimit të punës, jo vetëm për nisjen e shembjes, por as të sinjalizimit se në këtë zonë do të kryhej diçka e tillë.

Zona e ish-kombinatit tekstil, ku janë planifikuar pallatet e reja, 21 tetor 2020

Zona e ish-kombinatit tekstil, ku janë planifikuar pallatet e reja, 21 tetor 2020

Zona e ish-kombinatit tekstil, ku janë planifikuar pallatet e reja, 21 tetor 2020

Zona e ish-kombinatit tekstil, ku janë planifikuar pallatet e reja, 21 tetor 2020

“Banorëve në zonën këtu iu kanë thënë se do largohen, pasi do të ndërtohet. I kanë thënë që do trajtohen me bonus qeraje, por ende s’e dinë me siguri. Madje disa janë larguar. Një pjesë nuk i kanë lajmëruar akoma dhe nuk dinë ç’do bëhet”- tregoi për “Faktoje” një banor i cili preferoi të mos identifikohej.

Më pas u drejtuam në ish-fabrikën e qelqit, ku ndodhen disa nga pallatet e planifikuar për t’u shembur, pasi u shpallën të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Aktualisht banorët e tyre jetojnë me bonusin e qirasë, diku gjetkë.

Pallat i shpallur i pabanueshëm në zonën e Kombinatit, 21 tetor 2020

Pallat i shpallur i pabanueshëm në zonën e Kombinatit, 21 tetor 2020

“Kaloi një vit, s’kanë bërë asgjë. As nuk kanë ardhur të na thonë. Kemi shkuar të pyesim në njësinë administrative. Çfarë do bëhet me ne? Na lënë në pritje. Prit sot, prit nesër.” – thotë një ish-banor i këtij pallati, i cili ende pret të mësojë ndonjë të re për rindërtimin.

Edhe ai duket i zhgënyer nga dështimi i premtimit të radhës për nisjen e punës për pallatet në Kombinat.

“U tha se do fillonte, por e shtyri dhe me 30 ditë të tjera kryetari i bashkisë” – përfundoi ai.

Pallat i shpallur i pabanueshëm në zonën e Kombinatit, 21 tetor 2020

Ndërsa pyetëm një zonjë, edhe ajo ish banore e të njëjtit pallat, e cila po bisedonte me fqinjët, për të njëjtin problem morëm këtë përgjigje:

“Ne spo na thonë kur do prishet, jo më kur do ndërtohet shtëpia e re!”

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img