BallinaPertejViti zgjedhor 2021 “fryn” administratën, rrudh buxhetin nga detyrimet e prapambetura

Viti zgjedhor 2021 “fryn” administratën, rrudh buxhetin nga detyrimet e prapambetura

Ndërsa vendi po kalon një situatë të vështirë ekonomike si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së “Covid-19”, viti i ardhshëm që përkon edhe me zgjedhjet parlamentare,do “prodhojë” 1,244 punonjës të rinj në administratë. Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në gjysmën e parë të këtij viti, detyrimet e prapambetura të institucioneve arritën në vlerën e 55 milionë eurove, ku gjysmën e zënë paditë e fituara nga të larguarit nga puna.


Administratës publike në vend pritet t’i shtohen 1,244 punonjës të rinj, gjë që planifikohet në projektbuxhetin e vitit 2021.

Nga 82,458 punonjës në administratën publike në vitin 2020, numri pritet të shkojë në 83,702 në vitin 2021, duke u rritur me 1,61 për qind.

Numri i punonjësve në administratën publike 2020 dhe 2021

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe ajo e Bujqësisë janë dy institucionet që do kenë shtimin më të madh të punonjësve në administratë.

Aktualisht Ministria e Brendshme ka 14,264 punonjës, shifër e cila do rritet në 15.079 vitin e ardhshëm, i cili përkon edhe me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban aktualisht ka 1,952 punonjës, shifër e cila do rritet në 2.417 në vitin 2021.

Rritja e numrit të punonjësve me 1,61 për qind është ndër më të lartat në vitet e fundit. Në vitin 2020 numri i punonjësve të rinj në administratën publike, në raport me një vit më parë u rrit me 0,32 për qind.

Numri i punonjësve të administratës publike 2016-2021

Përtej punësimeve të reja në 6-mujorin e parë të këtij viti, fatura e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucionet publike ndaj bizneseve dhe individëve, arrin vlerën e rreth 6,8 miliardë lekëve apo 55 milionë eurove, ku thuajse gjysma i përket detyrimeve për largimet nga puna. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, niveli i detyrimeve ka pësuar një rritje të lehtë krahasuar me periudhën Janar-Mars të vitit të kaluar, kur ky stok regjistrohej në 6,5 miliardë lekë.

Nga raporti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mësojmë se rreth 57,8 për qind e këtij stoku detyrimesh, i referohen atyre për vendime gjyqësore që buxheti i shtetit duhet të paguajë në favor të palëve fituese, ish punonjës të larguar nga puna apo për dëmshpërblime për prishje objektesh nga ana e Inspektoriatit Kombetar të Mbrojtjes së Territorit.  Po ashtu, një kosto të lartë kanë edhe vendimet gjyqësore lidhur me rimbursimin e TVSH-së për bizneset.

Duke nisur nga muaji dhjetor 2020, monitorimi dhe raportimi i detyrimeve i cili më parë kryhej mbi bazë tremujore, nëpërmjet raportimit shkresor të institucioneve do të gjenerohet automatikisht nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë. Ky ndryshim bëhet në funksion të intensifikimit të rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në këtë drejtim dhe monitorimin në kohë të ecurisë së detyrimeve të prapambetura.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img