BallinaBurokraciUniversiteti “Ismail Qemali” në Vlorë nuk "lëshon" informacionin

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë nuk “lëshon” informacionin

INVA HASANALIAJ

Në punën e “Faktoje”, kërkesa e informacionit zyrar nga institucionet shtetërore është një detyrim kur vjen fjala për verifikimin e fakteve. Disa institucione janë përsëritës në shkeljen e afateve për kthimin e përgjigjeve të kërkuara dhe këtu nuk bëri përjashtim as Universiteti i Vlorës.

————————————————————————————————————————————————————-

Universiteti i Vlorës është një nga institucionet që i shtohet listës së gjatë të atyre të cilët janë hermetizuar kur vjen fjala për dhënie të informacionit bazuar në ligjin  për të drejtën e informimit. Më shumë se një muaj më parë, saktësisht në datën 16 shtator “Faktoje” dërgoi përmes postës elektronike në adresën zyrtare të universitetit një kërkesë për informacion.

Në përfundim të afatit kohor të përcaktuar me ligj (10 ditë pune), ky institucion nuk ktheu përgjigje.  Ajo që mund të bënim ishte të udhëtonim vetë drejt Vlorës për të mësuar se çfarë ishte bërë me kërkesën tonë.

Në datën 23 shtator shkuam te universiteti ku sipas sekretarisë, përgjigjja nuk kishte ardhur nga volumi i madh i punës në institucion. Megjithatë ata na siguruan se brenda dy ditësh kjo përgjigje do të na kthehej. Përgjigjja sërish nuk erdhi as në datën 30 shtator, një javë pasi kontaktuam me sekretarinë.

Në datën 30 të muajit shtator i dërguam një tjetër email kujtese universitetit “Ismail Qemali” i cili u përgjigj me të njëjtin premtim: “Ju bejme me dije se është duke u punuar. Në përfundim  të punës, do t’ju njoftojmë.”

Në fund të muajit tetor, afërsisht dy muaj nga dërgimi i kërkesës, Universiteti i Vlorës ende s’ka dërguar përgjigje, ndërkohë që ligji e detyron atë si çdo institucin tjetër shtetëror jo vetëm të kthejë një të tillë, por edhe të respektojë afatet. Në rastet kur këto afate shkelen (Mosplotësimi i kërkesave për informacione, të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve, brenda afatit dhe sipas mënyrës së parashikuar në nenin 9, të këtij ligji, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë).

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img