BallinaBurokraciPërditësimi i shifrave të Tatimeve kalon nga Facebook-u i kryeministrit Rama

Përditësimi i shifrave të Tatimeve kalon nga Facebook-u i kryeministrit Rama

Pagesa 40 mijë lekëshe e parashikuar t’u shkonte 176 mijë individëve të prekur nga kriza ekonomike e koronavirusit, ende nuk ka përfunduar së shpërndari. “Faktoje” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të mësuar se sa individë kanë mbetur pa e marrë këtë pagë dhe cilës kategori i përkasin. Tatimet kthyen përgjigje të cunguara, pa asnjë shifër dhe në tejkalim të afatit ligjor. I vetmi “burim” mbetet profili në Facebook i kryeministrit që dje bëri përditësimin e shifrave dhe ku bie në sy, se ende dy muaj e gjysmë nga shpallja e paketës së zgjeruar, mbi 6 mijë individë ende s’e kanë marrë këtë pagesë që konsiderohet jetike.


Ishin 176 mijë individë që parashikoheshin të merrnin pagën prej 40 mijë lekësh si ndihmë të menjëhershme nga paketa e zgjeruar, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Shpërndarja do përfundonte brenda muajit prill, sipas premtimit të kryeministrit , i cili me skadimin e afatit fillestar dha vazhdimisht afate të reja, duke theksuar ndërkohë pengesat që bëheshin shkak për vonesat.

Sipas zotit Rama, bizneset kishin afat datën 5 qershor për të kryer aplikimet për punonjësit e tyre, në të kundërt do të sanksionoheshin dhe qeveria do të derdhte në mënyrë të drejtpërdrejtë pagesën në llogaritë e individëve. Më 8 qershor, në emisionin “Open” ai tha se ishte identifikuar një numër subjektesh që nuk kishin aplikuar për punonjësit e tyre dhe do të sanksionoheshin.

“Kemi rreth 4500 subjekte të cilat do të penalizohen, sepse nuk i bënë aplikimet për punonjësit e tyre dhe ne do t’i paguajmë direkt punonjësit për të cilët ata s’kanë bërë aplikimet.” – tha ai.

Më 10 qershor, “Faktoje” iu drejtua Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve me disa pyetje për të mësuar me hollësi se ku ka “ngecur” puna për të paguar individët që numërojnë ende ditët dhe presin të marrin 40 mijë lekët që u takojnë.

Sipas afateve ligjore, përgjigja e kërkesës për informacion duhet të vinte brenda datës 24 qershor, por ajo mbërriti 4 ditë më vonë. Në informacionin e dërguar më datë 30 qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk i përgjigjet praktikisht asnjërës prej pyetjeve që kemi dërguar dhe ku shprehim interesin që informacioni të na jepet i shoqëruar me shifra.

Nga përgjigjja e Drejtorisë së Tatimeve u informuam se janë identifikuar bizneset që nuk kanë aplikuar për individët, janë duke u analizuar por nuk janë sanksionuar dhe penalitetet përkatëse do të vijnë në fund. Individët nuk kanë përfituar ende pagesën pagesën pas më shumë se 2 muajsh pritjeje, por do ta marrin pasi të verifikohen llogaritë e tyre bankare.

Ky informacion rrëzon deklaratën e 3 javëve më parë të kryeministrit Rama i cili thoshte se deri në 8 qershor ishin identifikuar 4,500 subjekte që do të penalizohen dhe qeveria do t’u paguante pagat punonjësve direkt.

Duke u rikthyer tek përgjigjja e Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve, ajo nuk saktëson as kategorinë e bizneseve në të cilën punojnë këta individë, pavarësisht se është pyetur specifikisht, duke dhënë kështu informacion të cunguar.

Përditësimi i vetëm më shifra erdhi nga profili në rrjetin social Facebook i kryeministrit Rama dhe nga një llogartitje e thjeshtë del në pah se mbi 6000 individë mbeten në pritje të dëshpëruar për 40 mijë lekët e premtuara.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img