BallinaPertejTregtia me Kosovën, sa “vllazën” jemi kur shesim dhe blejmë

Tregtia me Kosovën, sa “vllazën” jemi kur shesim dhe blejmë

MERXHAN DACI

Shqipëria e konsideron Kosovën si një nga partnerët e rëndësishëm ekonomikë të saj. Qeveritë shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë janë mbledhur disa herë vitet e fundit me qëllim për të lehtësuar tregtinë mes dy vendeve dhe për të nënshkruar marrëveshje të ndryshme që parimisht do t’a bënin më të lehtë ndërveprimin në çdo fushë. Së fundi, retorikat për bashkimin kombëtar janë shtuar duke theksuar se ai kalon nga bashkimi ekonomik i shqiptarëve të dy shteteve. Po sa në të vërtetë shesim dhe blejmë me Kosovën?

Ajo që shihet prej të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) është se me Kosovën- Shqipëria ka më shumë eksporte sesa importe. Pra kemi shitur më shumë në Kosovë sesa kemi blerë prej saj. Por pranohet nga të dyja palët se tregtia e dy vendeve me njëra-tjetrën nuk është në potencialin e duhur.

Megjithëse Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të marrëveshjes rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, rastet e bllokimit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe prania e barrierave të ndryshme nuk kanë qenë të pakta vitet e fundit.

Nëse shohim eksportet shqiptare në Kosovë përgjatë 5 viteve të fundit ato kanë luhatjet e veta.

Por duket se gjithësesi ka një trend pozitiv me tendencë për t’u rritur ku vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit 2018 Shqipëria ka eksportuar rreth 180 milionë Euro mallra në Kosovë.

Siç shihet edhe në grafik, ka pasur rritje eksportesh duke krahasuar me vitin 2013 megjithëse në vitin 2016 ka pasur një ulje jo të vogël eksportesh.

Nga ana tjetër, nëse shohim importet, pra mallrat që ne kemi blerë nga Kosova, ato janë më pak se eksportet.

Duhet thënë se në krahasim me sa eksportojmë ne në Kosovë, importet tona nga Kosova janë modeste.

Në periudhën janar-tetor të këtij viti, Shqipëria ka importuar nga Kosova rreth 59 milionë Euro mallra.

Ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës në vitin 2009 është normalisht reflektuar edhe në shifrat dhe shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Eksportet e Shqipërisë në Kosovë janë rritur ashtu siç janë rritur edhe importet nga Kosova në Shqipëri.

Nga ana tjetër, grafiku i mëposhtëm e Institutit për Studime Zhvillimore (INDEP) në Kosovë tregon se si pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, tregtia e Shqipërisë me Kosovën është intensifikuar edhe më tej.

Grafika tregon se si eksportet shqiptare në Kosovë janë rritur nga viti 2008 deri në vitin 2013.

Fenomeni që duket po ashtu është se Kosova ka importuar shumë më shumë mallra nga Serbia sesa nga Shqipëria. Nuk mbaron me kaq, Kosova gjatë kësaj periudhe ka importuar më shumë edhe nga Maqedonia sesa nga Shqipëria.

Kjo dukuri është pothuajse e njëjtë edhe sot, teksa Serbia është një partner ekonomik shumë më i fuqishëm për Kosovën sesa Shqipëria. Shifrat e mëposhtme tregojnë se Kosova vazhdon importon më shumë mallra nga Maqedonia dhe Serbia sesa nga Shqipëria. Po ashtu edhe Bosnja e Hercegovina çon një volum të konsiderueshëm mallrash në Kosovë duke e bërë ndikimin e mallrave serbe në tregun kosovar si fatalisht të madh.

                     

Rasti i shqetësimit të madh të krijuar në Serbi për vendosjen e taksës 100% nga Kosova për produktet serbe dhe boshnjake tregon se sa rëndësi ka tregu kosovar për biznesin serb.

Nëse shohim më konkretisht se çfarë blejmë dhe shesim në dy tregjet tona, tabela më poshtë tregon se ne importojmë nga Kosova më shumë ushqim, pije dhe duhan sesa eksportojmë drejt saj. Grupmalli që ka më shumë eksporte nga Shqipëria drejt Kosovës është i materialeve të ndërtimit dhe metalet.

Por Shqipëria çdo vit çon në tregun kosovar po ashtu më shumë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.

Megjithëse në rritje, mallrat e Shqipërisë në Kosovë janë disa herë më pak se ato të Serbisë. Mbetet për tu parë nëse taksa 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake do të “shfrytëzohet” nga Shqipëria. Ajo që është e qartë është se Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale për të intensifikuar tregtinë e ndërsjelltë përtej retorikave për bashkimin tradicional duke anashkaluar atë ekonomik.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img