BallinaPertejMbipopullimi i burgjeve, problem ende i pazgjidhur

Mbipopullimi i burgjeve, problem ende i pazgjidhur

ANXHELA RUÇI

Me kushte tejet degraduese. Kështu cilësohet situata në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P.) nga Avokati i Popullit sipas raportit vjetor të vitit 2017, madje ka rekomanduar edhe mbylljen e menjëhershme të disa prej këtyre institucioneve.

Krahas mbipopullimit të qelive, nga i njëjti raport, renditen dhe një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut siç është jetesa në kushte të papërshtatshme për shkak të lagështisë, ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, pranisë së insekteve, kushteve jashtë standardeve të tualeteve e kuzhinave, dusheve, ambienteve të ajrimit, dhomave të izolimit, mungesës së sistemit ngrohës, mungesës së furnizimit me produkte bazë të higjenës personale etj.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, të paraburgosurit/të dënuarit që po vuajnë dënimin kanë edhe probleme të tjera me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, dentare, arsimore apo pajisjen me leje (ata që plotësojnë kushtet e kërkuara nga autoritetet përkatëse). “Faktoje” e pa të arsyeshme të evidentonte këto problematika duke u përqëndruar kryesisht tek mbipopullimi në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe kushtet brenda tyre.

Situata aktuale në institucionet e vuajtjes së dënimit

Në të gjithë territorin e Shqipërisë numërohen 23 institucione penale (IEVP) dhe 1 Institucion i Veçantë i Shërbimit të Burgjeve, të cilat në muajin tetor të vitit 2018 numëronin plot 5 mijë e 493 të paraburgosur dhe të dënuar, por ky nuk është kapaciteti që ofrojnë këto institucione. Vetëm për muajin tetor që është marrë në analizë nga “Faktoje” ka 542 persona mbi kapacitetin e mundshëm të institucioneve penale.

IEVP Berat është institucioni që qëndron në krye të listës për tejkalim disa herë të kapaciteteve. Kështu, ky institucion ka vend vetëm për 37 të dënuar/të paraburgosur, ndërkohë në muajin tetor në ambientet e saj kishte afërsisht 100 persona më shumë se kapaciteti normal.

Pothuajse e njëjta situatë është edhe në disa IEVP të tjera ku numri i të burgosurve tejkalohet disa herë. Në IEVP Korçë janë 92 të burgosur më shumë se kapaciteti, ndërkohë që dhe në IEVP Elbasan janë 59 më shumë të burgosur që vuajnë dënimin apo që presin të marrin një të tillë.

Kontaktuar nga “Faktoje’’ disa ish- të burgosur thanë se mbipopullimi në burgje sjell probleme serioze, si në akomodim ashtu edhe në komunikim. Në dhomat me kapacitet për katër persona, në shumicën e rasteve kishte dhe një person të pestë i cili shtrihej në dysheme me një dyshek, e rregulli kryesor i qelisë ishte kush ishte më i “dobët” apo i ri në qeli, do të kalonte disa muaj në dysheme derisa sa të lirohej një nga shtretërit e qelisë.

Por janë dhe disa institucione penale që duhen marrë shembull. Të tilla janë psh. IEVP Lushnje, Burrel, Lezhë, Peqin, Krujë, Tropojë, Kavajë, Shkodër, të cilat nuk kanë tejkalim të kapaciteteve të tyre akomoduese.

Si të burgosurit ashtu edhe Avokati i Popullit kanë ngritur disa herë problemin e mbipopullimit të burgjeve në vendin tonë. Por duket se pavarësisht thirrjeve, shtimit të kapaciteteve në disa institucione apo edhe hapja e IEVP të reja siç është ai i Shkodrës, nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit të mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Për festat e fundvitit pritet të përfitojnë nga amnistia rreth 600 të burgosur, vendim i cili mund të shërbejë vetëm për pak kohë për reduktimin e mbipopullimit në disa prej këtyre institucioneve. E megjithatë kurrësesi zgjidhja nuk duhet të jetë e përkohshme për këtë problematikë. Edhe pse vuajnë dënimin, secili prej të paraburgosurve/ të burgosurve ka të drejtën për të jetuar sipas kushteve të përcaktuara me ligj dhe të gëzojë të gjitha të drejtat e njeriut.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img