.

.

BallinaAktualitetCovid-19Transporti publik në “krizë”

Transporti publik në “krizë”

Edhe pas deklaratës së ministres Ogerta Manastirliu, rinisja e trasportit publik më 24 qershor është ende në pikëpyetje. Disa linja kanë lajmëruar fillimin e aktivitetit, ndërsa shoqata më e madhe e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas e cila përfaqëson rreth 80% të linjave, ka mohuar këtë fakt. Shkak për refuzimin e hapjes së këtij aktiviteti janë shpenzimet që sjell distancimi në autobuz, i cili rrjedhimisht përgjysmon kapacitetin si dhe kostot për dezinfektimin e automjeteve nga vetë shoqëritë e transportit.

——————————————————————————————————————————————-

Do të nis më 24 qershor transporti publik apo jo, kjo ka qenë një nga temat më të diskutuar ditën e sotme. Shkënditë e para për rinisjen e këtij aktiviteti i dha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manstirliu, e cila në  një videomesazh njoftoi se maska mbrojtëse është e detyruar të përdoret nga të gjithë udhëtarët e transportit publik.

Pas këtij njoftimi disa nga linjat e transportit publik ndërqytetas njoftuan rifillimin e aktivitetit, sipas protokollit të sigurisë dhe orareve që kanë pasur përpara mbylljes nga COVID-19. Por kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve e mohoi këtë fakt.

Këtë herë përfaqësuesit e transportit publik janë ndarë në dy kampe, ata që do të nisin nesër aktivitetin dhe ata që e mohojnë këtë fakt.

“Faktoje” ka kontaktuar me Eneo Sulejmanaj drejtuesin e Shoqatës së Transportit Ndërqytetas i cila flet në emër të rreth 370 linjave (nga 450 në total)të transportit ndërqytetas dhe rrethqytetas nga Jugu në Veri.

Sipas tij, ditën e nesërme nuk do të ketë rifillim të transportit publik, pasi sipas protokollit të sigurisë përveç përdorimit të maskave, duhet të lëvizin me pothuajse gjysmën e kapacitetit, autobuzët duhet të dezinfektohen nga vetë shoqëritë e cili ka një kosto ditore rreth 3500- 5500 lekë, të gjitha këto përkthehen në kosto për shoqëritë e transportit publik, kosto që mund të çojnë deri në falimentim.

Nga ana tjetër linjat e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Shkodrës, Korçës, Durrësit, Dibrës kanë njoftuar rifillimin normal të qarkullimit nga data 24 qershor 2020.

“Faktoje” komunikoi me shoqërinë “Tirka 2000”, një nga linjat e transportit Gjirokastër-Tiranë-Gjirokastër, e cila konfirmoi se nga mëngjesi i nesërm, do të fillojë aktiviteti me orare të plota ashtu siç ka qenë edhe përpara mbylljes së aktivitetit nga koronavirusi.  Përfaqësues të kësaj shoqërie thanë se janë gati të plotësojnë kushtet e vendosura në protokollin e sigurisë dhe nuk do ta vonojnë asnjë ditë më shumë për rifillimin e aktivitetit.

Edhe shoqëri të tjera të transportit publik kanë publikuar njoftime për rifillimin e aktivitetit ditën e nesërme.

 

Gjatë kohës së mbylljes së transportit publik dhe lehtësimit të masave, kanë lulëzuar mënyra të tjera transporti ndërqytetas. Një qytetar me iniciale I.H, i cili ka lëvizur nga Tirana në Vlorë dhe anasjelltas ka sjellë dëshminë e tij sesi ka mundur të udhëtojë nga një qytet në tjetrin edhe pse transporti ka qenë zyrtarisht i mbyllur.

“Një miku im më lidhi me kushëririn e tij që bënte çdo ditë rrugën Vlorë-Tiranë. Një ditë udhëtova me një Benz dhe ishim tre veta në makinë, ndërsa herë tjetër me një makinë 6 vendëshe, ku prapë ishim 3 veta në makinë. Por bileta ka qenë trefish më e lartë. Nëse me furgon apo autobuz paguaj 500 lekë, me këto makinat private kam paguar 1500 lekë.”

“Faktoje” do të ndjekë në vijim se çfarë do të ndodh me transportin publik në Shqipëri pas mbylljes më 10 mars për shkak të koronavirusit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img