BallinaAktualitetCovid-19U premtua dezinfektim profesional i shkollave, por në Durrës mungon furnizimi me higjenizuesit bazë

U premtua dezinfektim profesional i shkollave, por në Durrës mungon furnizimi me higjenizuesit bazë

AURORA SHPATAJ

Dezinfektimi i shkollave, kundër përhapjes së pandmemisë, u premtua nga ish- ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në fillim të vitit të ri mësimor. Gjatë vëzhgimit në disa shkolla në fshatrat e Durrësit dhe në qytet, Faktoje konstatoi se ky proces nuk është i standardizuar. Problem më i madh është mungesa e higjienizuesve që nevojiten çdo ditë. Blerja e këtyre materialeve ‘emergjente’ nuk i ka shpëtuar zvarritjes për shkak të procesit të prokurimit, sipas bashkisë.

“Dezinfektimi ditor është dezinfektim që e bëjmë dhe në shtëpi, pastrohen të gjitha sipërfaqet, korridoret, pastrohen tualetet. Pra, është dezinfektimi që ndodh rregullisht në shkollë, por më me shumë kujdes do të kryejmë dezinfektimin me preparate që janë të përshtatshme për të luftuar virusin me të cilin po përballemi tani.”- u shpreh ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini, pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor.

Para se të niste verifikimin në teren, Faktoje e cila edhe më herët ka bërë  verifikime për situatën higjienike të shkollave gjatë pandemisë, në zona të ndryshme të vendit, i dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ne e pyetëm ministrinë për frekuencën e furnizimit të shkollave me mjete higjienizuese dhe dezinfektimin e mjediseve të tyre. Edhe pse ka kaluar afati ligjor, nuk morëm një përgjigje nga ministria.

Kërkesa e dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Të njëjtën kërkesë Faktoje ia dergoi edhe bashkisë së Durrësit, e cila pranon se blerja e dezinfektantëve i është ‘nënshtruar’ procesit të zgjatur  e të komplikuar të tenderave.

“Bashkia Durrës është munduar që të mos ketë mungesa në lidhje me furnizimin me dezinfektantë, alkool, preparate të veçanta, termometër dhe për këtë ka bërë gjithnjë koordinim të ndihmës së dhënë nga OJF të ndryshme bashkëpunëtore të Bashkisë Durrës dhe procesit të prokurimit të këtyre produkteve, proces i cili është në fazën e njoftimit të fituesit dhe lidhjes së kontratës pas ankesave të bëra nga firmat pjesëmarrëse, brenda muajit nëntor 2020. Këto produkte do të ndahen sipas një grafiku të përcaktuar nga QEA për të gjitha institucionet arsimore të Bashkisë Durrës.”

Përgjigja e Bashkisë Durrës.

Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje bëri një vëzhgim në shkollwn 9-vjeçare “Met Hasa” me 220 nxënës, në zonën e Porto-Romanos. Kur u interesuam se si po zbatohen protokollet anti-covid të vendosura nga Ministria e Shëndetsisë, konstatuam probleme që nisin me mungesën e dezinfektantëve.

Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, foto: Aurora Shpataj

Nga komunikimi me stafin e mësuesve mësuam se kishin mbaruar dezinfektantët për duart.

“Në fillim të vitit mësimor na sollën një paketë me dezinfektues, maska, një termometër, por nuk  kanë sjellë më që prej fillimit. Ne tanimë i kemi siguruar dezinfektantët vetë, të blesh edhe këto është e tmerrshme! Mua më duhet që javën tjetër të blej prapë, është e pamundur financiarisht!”-shprehet një mësues për Faktojen i cili dëshiron të mbetet i paidentifikuar.

Kur pyetëm nësë kryhet dezinfektimi profesional në mjediset brenda shkollës, një tjetër mësues i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”tha:

“Bëhet ditën e premte në përgjithësi si dhe ditën e mërkurë, pra dy herë në javë.”

Faktoje e vijoi vëzhgimin në shkollën 9-vjeçare “Demokracia” që ndodhet afër spitalit të Durrësit e cila zhvillon mësim me 4 turne.

Shkolla 9-vjeçare “Demokracia”, foto:Aurora Shpataj.

“Dezifektantët dhe maskat në fillim i solli ministria, por tani i blejmë vetë, sepse ndodh që mbarohen e ne nuk kemi luksin e kohës që të presim.”-shprehen burime nga shkolla 9-vjeçare “Demokracia”.

“Bashkia vjen një herë në javë që bën dezinfektimin e ambienteve të shkollës”.-shprehet një mësues për Faktojen.

Faktoje shkoi më pas në gjimnazin “Manëz” që shërben edhe si shkollë pritëse për gjimnazin “Dhosi Liperi”, me 311 nxënës.

Gjimnazi “Manëz”, foto:Aurora Shpataj

 

“Na erdhi një fond nga bashkia në shtator me të cilin blemë kontigjentin e parë dhe nuk erdhi më, deri tani që po flasim. Ne kemi bërë disa kërkesa e na është thënë që këtë javë supozohet të marrim nga bashkia fondin për dezinfektuesit, që konsiston në një dezinfektues të madh që e përdorim për të dezinfektuar duart e fëmijëve kur hyjnë si dhe disa shishe me alkool etilik.”-shprehet një mësuese që nuk dëshiron të identifikohet”.

Ndërkohë, dezinfektimi në gjimnazin “Manëz” bëhet me kontribut vullnetar, gjë që e konfirmon vetë stafi mësuesve.

“Gjimnazi ‘Manëz’ dezinfektimin e bën me fondet e tij. Pasi mbarojmë ne, shkolla bën dezinfektimin me klor, ndërsa dezinfektim nga bashkia, me aq informacion sa kam unë, nuk është bërë.”-konfirmojnë  për Faktojen.

Faktoje bëri një vëzhgim në gjimanzin “Leonik Tomeo”, në zonën e stadiumit, në qytetin e Durrësit, ku zhvillohet mësim me katër turne. Ajo shërben si pritëse për nxënësit e shkollës “Naim Babameto” dhe sipas stafit të mësuesve edhe aty raportohen të njëjtat mungesa.

Gjimnazi”Leonik Tomeo”, foto Aurora Shpataj

Hyrja e nxënësve në gjimnazin “Leonik Tomeo”.

“Dezinfektimi bëhet nga sanitaret e shkollës “Neim Babameto” dhe nga sanitaret e gjimnazit “Leonik Tomeo”, ndërkohë që nga bashkia bëhet dy herë në javë dezinfektimi i plotë, ditën e premte dhe të martën ose të mërkurën. Midis turneve, dezinfektimi nuk ka mundësi të bëhet. Por, tani nuk kanë sjellë më dezinfektantë, po shtrydhim ato pak që kemi në dispozicion”-tregon një mësues i gjimnazit “Leonik Tomeo”

Aktualisht gjimnazi “Leonik Tomeo” ka rreth 980 nxënës, ndërsa “Neim Babameto” ka rreth 800 nxënës.

Gjatë vëzhgimit mësuam se në këtë shkollë kishte disa mësuesve të dyshuar si të prekur me covid, por ata janë rikthyer në detyrë pasi kanë rezultuar negativë pas kryerjes së tamponit. I prekur rezulton edhe oficeri i sigurisë së kësaj shkolle.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img