Në kohë krizash si kjo e pandemisë, informacionet online janë me tepricë dhe i shkojnë audiencës grumbull. I tillë është rasti i kurave të ndryshme që mund ta kurojnë koronavirusin në kushte shtëpie.

Këto janë disa nga rastet që Faktoje ka pikasur në internet:

Rasti i parë ka të bëjë me mjekësinë alternative. Mjeku në fjalë sugjeron propolisin e rigonit që të prekurit me COVID ta konsumojnë. Në fakt ka një abuzim nga ana e portalit që ka përdorur një titull bombastik dhe absolut sikur propolisi i rigonit e shëron në mënyrë përfundimtare.

Ende edhe institucionet shëndetsore më të mëdha në botë nuk kanë dalë me sugjerime shumë konkrete për kurat ushqimore. Kështu që kjo duhet marrë me rezervë pasi sic dihet virusi nuk i prek të gjithë njësoj.

Sipas Qendrës Kombëtare për Shëndetin Plotësues dhe Integrues në Shtetet e Bashkuara, “nuk ka asnjë provë shkencore që ndonjë nga këto mjete alternative mund të parandalojë ose kurojë COVID-19. Në fakt, disa prej tyre mund të mos jenë të sigurt për t’u konsumuar”.

Rasti i dytë është një thirrje për të mos pirë ilaçe. Në fakt, nëse lexon në tekst më poshtë, doktoresha nuk thotë kështu por se duhet një dietë ushqimore (dhe ka folur kryesisht në mënyrë të përgjithshme) për të marrë vitamin C dhe për të minimizuar sheqernat. Pra portali që e ka publikuar këtë “lajm” ka abuzuar me deklarimet e doktoreshës duke sjellë pse jo konfuzion tek të sëmurët.

Në të gjithë botën, për stade të caktuara të COVID-19 janë rekomanduar Paracetamoli apo Aspirina, shtuar kësaj Vitamina C dhe D. Kështu që tregoni vigjilencw e mos bini pre e këtij tituli!

Rasti i tretë, ai i mjekut Italian Bassetti. Ai bën thirrje që COVID-19 të trajtohet në shtëpi. Shumë media e kanë përcjellë këtë informacion që doktori ka bërë publik në internet. Në fakt nuk është një recetë, por një udhëzues si ta trajtosh koronavirusin nga shtëpia.

Përmbledhja e udhëzuesit:

-Rastet asimptomatike: nuk parashikohet terapi.

-Rastet me simptoma të lehta (temperaturë jo më e lartë se 38 ° C dhe / ose simptoma të lehta të frymëmarrjes)

Përdorni paracetamol, ibuprofen ose acid acetilsalicilik nëse nuk keni kundërindikacione.

-Rastet me simptoma të moderuara (temperaturë e vazhdueshme > 38.5 ° C për 96 orë, pra 4 ditë me kollë dhe frymëmarrje të sforcuar, por niveli i oksigjenit në gjendje qetësie të jetë ≥ 93% ose ≥ 90% në pacientët me sëmundje kronike të mushkërive)

Përdorni paracetamol, ibuprofen ose acid acetilsalicilik nëse nuk keni kundërindikacione.

Heparinë nëse mosha është > 60 vjeç, me lëvizshmëri të ulët ose praninë e faktorëve të tjerë të rrezikut.

Terapia me antibiotikë që vlerësohet rast pas rasti në bazë të funksionit të mushkërive (të mos fillojë me shfaqjet e para të simptomave, por në rast dyshimi të superinfektimit bakterial).

Kortizoni sugjerohet vetëm pas 5-7 ditësh nga shfaqja e simptomave (për t’u shmangur tek ata që nuk shfaqin shenja të dëmtimit të frymëmarrjes)

Ndarjet që ai i bën stadeve të të prekurve me COVID-19 nuk duhen marrë “shabllon” pasi mund të ketë keqinterpretime nga të prekurit, edhe pse ky kategorizim është i ngjashëm me protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë. Në çdo rast duhet kontaktuar me mjekun e familjes para se të niset mjekimi.

Çfarë thotë udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndjekjen në shtëpi të rasteve me COVID-19

Më herët, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzues se si duhen trajtuar në shtëpi rastet me koronavirus.

Forma e lehtë, Stadi I

Në moshat e reja dhe të pa shoqëruara me sëmundje të tjera jepen:

Vitaminoterapi (Vitaminë C)

Lëngje

Antipiretikë kur ka temperaturë (paracetamol çdo 4 orë)

Trisol kur ka diarre

Shurup kolle kur ka kollë

Format e lehta në të sëmurët kronikë

Mund të fillohet me mjekim nga goja dhe me antibiotikë si azitromicin apo levofloxsacin sipas rastit dhe antiagregant nga goja si aspirinë 100 mg.  Të sëmurët kronikë që marrin antikogulantin sipas diagnozës e vazhdojnë atë (psh xsarelto 15 mg).

Forma e mesme (oksigjenoterapia, më pak se 94)

Marrjen e antibiotikëve nga goja (azitromicin 500 mg, levofloxsacin 500 mg)

Kortizonikët merren vetëm në rastet kur ka filluar vështirësia në frymëmarrje dhe ka të paktën 6-7 ditë temperaturë.

Kortizoniku zgjidhet të merret nga goja, si Medrol apo prednizon, duke patur parasysh gjithmonë efektet anësore dhe kundërindikacionet që ka (ulçera, HTA, diabet, glaukoma etj)

Në këto forma jepen edhe antikoagulantë nga goja

Injeksionet e kortizonit nuk duhet të bëhen në kushte shtëpie dhe ato përdoren në kushte spitalore, ndërsa më me efekt është dexametazoni e metilprednizoloni.

Niveli i oksigjenit duhet të vlerësohet edhe në varësi të moshës dhe të sëmundjeve të tjera që pacienti ka. Të vlerësohet drejt e të mos neglizhohet dhe të dërgohet shpejt në spital e jo kur ky nivel është shumë i ulur se rrezikon seriozisht jetën e të sëmurit.

Në të gjithë rastet jepen vitaminoterapi, antipiretikë, lëngje për rehidrim sipas rastit, shurup për kollë apo medikamente lehtësuese sipas problematikave që paraqet i sëmuri.

Rastet e rënda detyrimisht duhet të trajtohen në spital.

Medikamentet në shtëpi duhet të jepen nga goja. Përjashtim bëjnë rastet kur ka të vjella, të cilat duhen trajtuar dhe ndërprerë.

Në rastet kur gjykohet se i sëmuri duhet të marrë mjekim parenteral apo ka nevojë për perfusion lajmërohet 127, ndërsa analiza gjaku kërkohen vetëm në rastet që mjeku i gjykon të domosdoshme.

Analiza specifike për koagulim jepen vetëm në raste kur ka rrezik për ngjarje kardiovaskulare me rekomandimin e mjekut që e ka në ndjekje.

Marrja e gjakut në shtëpi do të kryhet vetëm nga personeli i caktuar në çdo qendër shëndetësore me të gjitha veshjet e pajisjet përkatëse.

Në raste të veçanta kur ky mund të ketë nevojë për mjekim me injeksione të rekomanduara nga specialist, ky shërbim ofrohet nga infermierët e Qendrave Shëndetësore në bazë të udhëzimeve të operatorit.

Antibiotikët, të merren apo mos të merren?

Marrja ose jo e antibiotikëve ka qenë objekt debate, jo vetëm në botë por edhe në Shqipëri.

Mjeku shqiptar në Madrid, Kita Sallabanda ka thënë për Opinion në 21 tetor se në Spanjë nuk ka një kurë të saktë për COVID.

Mjeku u shpreh se kura ka ndryshuar disa herë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos marrin antibiotik që ditët e para kur infektohen.

Ka pasur edhe mjekë të tjerë që kanë thënë me të madhe që duhet të kemi kujdes me përdorimin e antibiotikëve, sidomos që në fillim të sëmundjes.

Megjithatë, dhënia e antibiotikëve në Shqipëri ka ndryshuar sipas mjekëve të familjes dhe rasteve që ata kanë trajtuar dhe nuk mund të konsiderohet një gjë “e prerë me thikë”.

OBSH ka bërë me dije më herët se antibiotikët mund të përdoren për trajtimin e infeksioneve bakteriale dytësore në pacientët e infektuar me COVID19.

Në pacientët me #COVID19 mund të zhvillohen infeksione bakteriale dytësore, të cilat mund të trajtohen me antibiotikë. Është e rëndësishme që askush të mos vetë-mjekohet me antibiotikë! Antibiotikët nuk e trajtojnë dhe as e parandalojnë #COVID19. Prandaj, ndiqni këshillat e mjekëve dhe merrni antibiotikë vetëm nëse do t’ju përshkruhen”, njoftonte OBSH.

Megjithatë, OBSH thekson me të madhe se koronavirusi nuk mund të luftohet me antibiotikë pasi ai është virus dhe jo bakter.