Shqipëria ka liberalizuar prej javësh kryerjen e testit PCR për COVID-19 ( tamponit ) edhe në laboratorët private. Sot kemi dy laboratorë të certifikuar për ta kryer dhe çmimi për një test kushton 12,000 lekë. Në krahasim me vendet fqinje që verifikuam, Shqipëria rezulton të ketë çmimin më të lartë për këto teste.
—
Çmimi i testit COVID-19 PCR në dy laboratoret private në Shqipëri është rreth 97 euro.
Këta laboratorë kanë nisur fushatën e marketingut online për ofrimin e këtij shërbimi, ashtu siç ndodhi më herët me ofrimin e testeve serologjike kundrejt pagesës.
Laboratori 1
Laboratori 2
Deri më tani në Shqipëri nuk ka pasur reagim për çmimin e testimit në laboratoret private.
Erion Dasho, mjek epidemiolog i tha Faktoje se çmimi i këtij shërbimi në Shqipëri është i shtrenjtë.
“Unë mendoj se çmimi rreth 100 Euro i testit është goxha i lartë. Megjithatë, kompanitë që e ofrojnë në treg duhet të bëjnë transparentë markën e testit, sepse duke e njohur, qytetarët mund të vlerësojnë besueshmërinë e rezultateve. Fakti që asnjë kompani nuk po e bën transparente këtë është domethënëse sepse flet për një mundësi spekulimi. Në treg qarkullojnë edhe teste me 5-10 Euro për test dhe kuptohet se për çfarë fitimesh bëhet fjalë dhe çfarë cmimesh spekulative i ofrohen tregut, Mendoj se është e detyrueshmë të bëhet transaprencë për llojin e testeve që përdoret”, tha ai për Faktoje.
Faktoje pyeti edhe audincën e saj në rrjetet sociale se si e konsiderojnë çmimin prej 12,000 lekë të testit dhe mbi 90% e tyre mendonin se ishte i shtrenjtë.
Çmimi në rajon
Në Kosovë ka një laborator privat të licensuar funksional për të kryer testin PCR për koronavirus.
Metoda më e njohur përmes testimit molekular Real Time PCR që kryhet edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, në laboratorin Medical Laboratory Services në Prishtinë, kushton 65 euro. Rezultatet e këtij testimi merren brenda 48 orëve.
Metodë tjetër e testimit molekuar në këtë laborator në Kosovë është edhe testi GeneXpert SARS COV-2 që e zbulon virusin brenda 45 minutave. Për shkak të realizimit të shpejtë dhe kostove të reagentëve, ky test kushton 200 euro.
Çmimi i këtij testi u bë objekt debati në opinionin publik në Kosovë, për koston e lartë të testeve.
Vetë laboratori privat dhe Ministria e Shëndetësisë në Kosovë sqaruan se testi normal PCR kushton 65 euro dhe jo 200 dhe qytetarët mund të zgjedhin në varësi të kohës sesa shpejt u duhet rezultati.
Në Maqedoninë e Veriut, testet PCR tek ‘privati’ fillojnë nga 50-100 euro. Testi me vlerë 100 euro, ai “Rapid” ofron disa avantazhe. Por ka laboratorë që lëvizin me çmimet në periudha të caktuara. Megjithatë, sipas burimeve tona në Maqedoninë e Veriut, çmimi mesatar i testit PCR është diku tek 60-70 euro.
Në Bosnje e Hercegovinë, çmimi i një testi PCR është rreth 70 Euro.
Në Serbi, një test PCR kushton 6000 dinarë serbë ose afërsisht 50 Euro.
Në Mal të Zi, ende nuk është liberalizuar kryerja e testit në spitalet private.
Çfarë është testimi PCR
Testimi PCR, i quajtur ndryshe “fotokopjim molekular”, reaksioni zinxhir i polimerazës (PCR) është një teknikë e shpejtë që përdoret për të kopjuar segmente të vogla të ADN-së.
Shpesh mbahet si një nga arritjet më të rëndësishme shkencore në biologjinë molekulare.
Pacientit i merret prova e pështymës në gojë me ndihmën e një copëze pambuku. Edhe kollitjet nga thellësia e mushkërive përdoren për të marrë provën, raporton DW.
Një pjesë e caktuar e genotipitit shumohet disa herë dhe në fund përcaktohet nëse gjenotipi i virusit ndodhet në provë. Nëse gjenotipi gjendet, atëherë pacienti është i infektuar. Nëse gjenotipi nuk gjendet, pra rezulton negativ, nënkuptohet se pacienti nuk është i prekur. Megjithatë mund të ndodhë që virusi të mos ndodhet në provën e pështymës, e megjithatë të ndodhet diku gjetkë nëpër trup.