BallinaAktualitetQeveria “mjaftohet” me masat drastike, OBSH-ja kërkon më shumë teste ndaj COVID-19

Qeveria “mjaftohet” me masat drastike, OBSH-ja kërkon më shumë teste ndaj COVID-19

MARJO BRAKAJ

Qeveria vijon të përshkallëzojë masat drastike me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit “COVID-19” si mënyra e vetme për të menaxhuar situatën. Deri më sot në Shqipëri, zyrtarisht rezultojnë 55 persona pozitivë me COVID-19. Por a është ky një tregues real i shkallës së prekshmërisë në vend?  Organizata Botërore e Shëndetësisë ka disa kritika për mënyrën si po e menaxhojnë qeveritë këtë situate.

————————————————————————————————————————————————————-

Masat drastike që po kufizojnë ndjeshëm mënyrën e jetesës në Shqipëri shihen si mënyra e vetme për t’i dhënë “frymëmarrje” sistemit shëndetësor me qëllim përballimin e situates dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Deri më tani 55 persona kanë rezultuar positive ndër 605 teste që janë kryer në total, por vetë kryeministri Rama ka paralajmëruar se numri i të prekurve pritet të rritet.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i OBSH-së u bëri thirrje qeverive të kryejnë më shumë teste. OBSH deklaroi se ka dërguar 1,5 milinë tamponë në 150 vende të botës duke i konsideruar testet si “shtylla kurrizore” për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por vërejti se qeveritë nuk kanë marrë masat për kryerjen e tyre.

Mënyra më efektive per të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetën, është prishja e zinxhirit të transmetimit. Për ta bërë këtë duhet të kryhen testet dhe më pas vijon izolimi. Kemi një mesazh të thjeshtë për të gjitha vendet: teste, teste, teste”-u shpreh Ghebreyesus.

“Faktoje” pyeti në Institutin e Shëndetit Publik sesa tamponë ka në dispozicion për testimin e koronvirusit. Nga ISHP na u komunikua se ka mjaftueshëm teste në dispozicion dhe se vijon furnizimi.

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi shprehet se “lufta” ndaj koronavirusit nuk mund të bëhet vetëm duke mbyllur kufijtë.

Është e pamundur të ngresh barriera për një virus, por duhen strategji. Strategji janë testimi, janë gjurmimi i kontakteve etj. Kina identifikoi personat që ka takuar njëri i sëmurë dhe ta izolonin. Të gjithë këto ndërhyrje arrijnë në rezultate, pasi nuk ka shkop magjik për këtë punë”, deklaron Harxhi.

“Faktoje” pyeti edhe mjekun Tritan Kalo lidhur me testimet që qeveria po kryen për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Mjeku Kalo u shpreh se në raport me përhapjen, testet e kryera janë në proporcion të drejtë. Kalo sqaroi gjithashtu se OBSH-ja rekomandon testimin e rasteve që shfaqin shenja të “COVID-19” dhe jo testimin e popullates në tërësi.

Minstrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu të hënën, më 16 mars në emisionin “Opinion” deklaroi se sistemi shëndetësor i ka të gjitha kapacitetet për përballimin e situatës.

Manastirliu: Ne kemi sasi të konsiderueshme, mos shqetësoheni fare, ne kemi pajisjet e nevojshme dhe po hapim laborator tjetër. Edhe sot edhe në fund të javës do të vijnë teste. Nuk është për t’u vendosur në dyshim. Ne i kemi marrë masat, qeveria është angazhuar për të vendosur cdo gjë në dispozicion.

Lidhur me rekomandimin e OBSH-së për shtimin e testeve, Manastirliu deklaroi se po veprohet komform rregullave.

“Drejtori i OBSH-së ka thënë që duhet të testuar me teste të sigurta dhe ne jemi duke punuar vetëm përmes sigurisë së laboratorit të virologjisë në ISHP dhe gjithashtu duke marrë masat për hapjen e këtij testimi edhe në QSUT për ta certifikuar dhe për ta pasur një garanci më shumë për shtrirjen e testimit në spitalet tona. Jemi duke ndërmarrë masat dhe do të jemi nxënës të gjithë OBSH-së kur flitet për sigurinë”-u shpreh ministrja Manastirliu.

“Faktoje” u përpoq të kontaktojë me drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, për ta pyetur mbi procesin e testimit, por deri në momentin e publikimit, nuk patëm një reagim.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img