BallinaFaktometerE PavërtetëTask Forcë për zgjedhjet | A e mbikqyri qeveria vetveten gjatë fushatës së 14 majit?

Task Forcë për zgjedhjet | A e mbikqyri qeveria vetveten gjatë fushatës së 14 majit?

Në 20 prill, kur kishte nisur fushata për zgjedhjet vendore, qeveria ngriti një Task Forcë për zgjedhjet me qëllim për të ‘mbikqyrur veten’, pra përdorimin apo jo nga qeveria të administratës shtetërore në zgjedhje. Sipas VKM-së, kjo trupë duhet të mblidhej në mënyrë periodike dhe të njoftonte vendimet e saj. Por dhjetë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 majit, nuk ekziston asnjë publikim për mbledhjet dhe rezultatet e punës së saj. As Agjencia e Medias nuk qe në gjendje të jepte informacion të dokumentuar mbi aktivitetit e Task Forcës, që nuk u duk gjëkundi.

Në 15 Maj, misioni vëzhgues i ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri publikoi raportin e parë mbi votimet e 14 majit 2023.

osbe-odihr-mision-vezhgues-per-zgjedhjet-ne-shqiperi

Rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, pretendimet për presion ndaj punonjësve publikë dhe votuesve, si dhe pretendimet për blerje votash, ishin shqetësuese.

OSBE-ODIHR, 15 Maj 2023

Kjo ishte një nga gjetjet e raportit paraprak të OSBE ODIHR mbi zgjedhjet e 14 majit 2023.

Megjithëse autoritetet nuk mund të propozojnë, të miratojnë ose të nxjerrin vendime që parashikojnë përfitime katër muaj para ditës së zgjedhjeve, pati aktivitete të shumta, si nga qeveria qendrore, ashtu edhe nga administratat e ndryshme vendore, që ranë ndesh me këtë rregull.” – vijon raporti i OSBE-ODIHR.

Shqetësimit për përdorimin e administratës publike në fushatë, të shprehur nga shumë organizata të shoqërisë civile, qeveria i’u përgjigj me ngritjen e një trupe që do të monitoronte dhe ndalonte përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë.

Task Forcë për zgjedhjet

Në 20 Prill kabineti i drejtuar nga kryeministri Rama u mblodh në takimin e përjavshëm të Këshillit të Ministrave. Mes vendimeve të qeverisë, spikati VKM-ja Nr. 234 që ngriti një trupë të veçantë për monitorimin dhe marrjen e masave për ruajtjen e burimeve të administratës shtetërore nga shfrytëzimi në fushatë.

vendimi-i-keshillit-te-ministrave-qe-ngriti-task-forcen-per-zgjedhjet
*faksimile e Vendimit të Këshillit të Ministrave

Vendimi i Këshillit të Ministrave ngriti një Task-Force me qëllim mos-lejimin e përdorimit të burimeve shtetërore dhe ato njerëzore të administratës, në funksion të fushatës zgjedhore, përpara votimeve të 14 Majit.

vendimi-i-keshillit-te-ministrave-per-ngritjen-e-task-forces-per-zgjedhet
*pika 1 e VKM-së Nr. 234

Detyrat që përcaktoi VKM-ja

VKM-ja përcaktoi rregullat që duhet të ndiqen nga administrata dhe institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave për mbarëvajtjen e periudhës së fushatës zgjedhore.

Për vëzhgimin dhe raportimin e vazhdueshëm të ministrive në mbrojtje të “krijimit të kushteve të barabarta për kandidatët dhe partitë politike në zgjedhje”, në krye të Task-Forcës u vendos zëvendëskryministrja, Belinda Balluku. Anëtarë ishin 6 ministra, 3 drejtorë të rangut të lartë dhe përfaqësues nga organizma të tjerë.

*përbërja e Task Forcës për zgjedhjet vendosur në VKM-në 234
*VKM-ja Nr.234 që nge një Task Forcë për zgjedhjet dhe përbërjen e saj

Organizatat e shoqërisë civile e përshëndetën ngritjen e kësaj trupe kontrolluese, edhe pse e quajtën të vonuar në kohë.

Në një komunikim publik të përbashkët, Akademia e Studimeve Politike dhe Instituti i Studimeve Politike theksuan se “rezultatet e synuara mund të garantohen vetëm nëpërmjet ofrimit të transparencës dhe përfshirjes së duhur të institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile në monitorimin e sjelljes së administratës.

Si organizohet Task Forca për zgjedhjet?

VKM-ja e miratuar nga Këshilli i Ministrave, përcaktoi edhe rregulla të funksionimit të kësaj Task-Force për zgjedhjet. Disa prej funksioneve që kanë të bëjnë edhe me informimin për punën e tyre janë:

  1. Task Forca mblidhet me njoftim nga kryetari periodikisht të paktën një herë në javë ose sa herë që vlerësohet e nevojshme prej tij ose të paktën prej 2 anëtarëve.
  2. Në mbledhjet e saj Task-Forca, sipas rastit, cakton detyra më të detajuara për secilin anëtar, si dhe, nëse e konsideron të nevojshme, miraton një plan veprimi apo masash për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në këtë vendim
  3. Task-Forca, nëpërmjet zyrës së shtypit të Kryeministrit, komunikon me publikun për çështjet e shqyrtuara dhe masat e marra.

Sipas pikës 1, nëse Task Forca është ngritur në 20 Prill, ajo duhet të ketë zhvilluar të paktën tri mbledhje. Sipas pikës 2, këto mbledhje duhet të shoqërohen me raportime dhe plane pune apo veprimi të institucioneve, në përmbushje të detyrave që ngarkon kjo VKM. Sipas pikës 3, mbledhjet dhe vendimet duhet të ishin bërë publike përmes zyrës së shtypit të Kryeministrit.

Nisur nga këto specifika Faktoje bëri një kërkim të thelluar të njoftimeve publike dhe ato mediatike mbi punën e kryer gjatë fushatës zgjedhore.

Njoftimi ‘i gatshëm’ për Task Forcën në Media

Fill pas njoftimit të VKM-së, në datën 20 Prill, ende pa u zbardhur në Fletoren Zyrtare, mediat njoftuan ngritjen e Task-Forcës për zgjedhjet.

Fakti që VKM-ja nuk ishte zbardhur ende kur mediat njoftuan “ngritjen e task forcës për zgjedhjet” si dhe shfaqja e lajmit me të njëjtin titull, kryesisht në portalet pro qeveritare online, tregon se njoftimi ka ardhur nga zyra e shtypit të Kryeministrit.

titujt-e-lajmeve-copy-paste-per-ngritjen-e-task-forces-per0zgjedhjet

Ajo që bie në sy nga kërkimi në motorrin e kërkimit të Facebook, CrowdTangle është fakti se njoftimi i parë në media mbi “ngritjen e Task Forcës për zgjedhjet”, është njëkohësisht njoftimi i fundit i publikuar në media mbi këtë trupë.

*rezultati në motorrin e kërkimit të Facebook, CrowdTangle për fjalën kyçe “task forcë”

Kërkesa zyrtare për informacion

Nisur nga mungesa e informacionit në rrjet, Faktoje iu drejtua Agjencisë për Media dhe Informim si dhe Këshillit të Ministrave për të marrë më shumë hollësi mbi çfarë ka ndodhur me Task Forcën e ngritur për zgjedhjet.

Për t’u informuar mbi punën e kryer nga Task Forca, vendimet apo edhe rezultatet e saj, tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar, Faktoje kërkoi informacionin si më poshtë:

kerkesa-per-informacion-drejtuar-mia-per-task-forcen-per-zgjedhjet
*kërkesa për informacion drejtuar Agjencisë për Media dhe Informim

Përgjigjja ‘pa përgjigje’ e MIA-s

Dy ditë përpara përfundimit të afatit ligjor, Agjencia për Media dhe Informim ktheu një përgjigje “pa përgjigje”. Pa ofruar asnjë dokument zyrtar, procesverbal apo dokument pune të task forcës, siç kërkohet nga Faktoje, MIA ktheu një përgjigje narrative me 500 fjalë për informacionin e kërkuar.

I vetmi informacion i ofruar, që nuk gjendej tashmë në VKM, është pretendimi se “Task Forca ka zhvilluar 3 takime, përkatësisht në datat 27.04.2023/ 04.05.2023/ 12.05.2023. Takimet e sipërcituara kanë pasur rend dite si më poshtë vijon:

  1. Përcaktimin e Detyrave për anëtarët e Task Forcës;
  2. Raportime të problematikave nga anëtarët e Task Forcës;
  3. Miratim i Planit të Veprimit;
  4. Monitorimi i zbatimit të Planit të Veprimit nga anëtarët e Task Forcës;
  5. Raportim nga DAP mbi zbatimin e Vendimit nr. 234, datë 20.04.2023 të Këshillit të Ministrave dhe Planit të Masave miratuar nga Task Forca;
  6. Detyrat për Sekretariatin Teknik;

Siç duket edhe nga kërkesa për informacion dërguar Agjencisë për Media dhe Informim, kjo e fundit ka refuzuar të japë dokumenta që vërtetojnë mbajtjen e takimeve, kryerjen e punëve dhe marrjen e vendimeve nga task forca në fjalë. Lexo përgjigjen e plotë të MIA-s drejtuar Faktoje këtu.

Mbledhje pa prova

Drejtuesi i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, e quajti ngritjen e task forcës për zgjedhjet si “rrugën e shkurtër që zgjodhi qeveria për të adresuar shqetësimin e ndërkombëtarëve për përdorimin e administratës në zgjedhje.


Afrim_Krasniqi_per-Faktoje

Për sa kohë qeveria ishte e përfshirë në fushatë ajo e kishte të pamundur të kontrollonte vetëveten. Ndaj rruga më e shkurtër është të shpallësh një vendim që nuk jetësohet, por i paraqitet të huajve si risi kur realisht qeveria as kontrolloi as monitoroi dhe as e parandaloi përdorimin e administratës, por përkundrazi, e nxiti atë.

Afrim Krasniqi, studiues

Sipas tij, zyrtarët e institucoineve të përfshirë në Task Forcë nga VKM-ja Nr.234, jo vetëm nuk kanë kryer detyrën, por kanë shkelur ligjin duke mos zbatuar VKM-në dhe përgjegjësitë ligjore që i ngarkon ajo.

Nëse marrim parasysh përcaktimin e Vendimit të Këshillit të Minsitrave që thotë se zyra e shtypit të kryeministrit komunikon me publikun çështjet e shqyrtuara dhe masat e marra, si dhe faktin që në media dhe në vetë faqen e kryeministrisë nuk ka asnjë njoftim lidhur me Task Forcën për zgjedhjet, është e drejtë të kemi dyshime mbi punën e bërë nga ky ent i ngritur me qëllim të caktuar, por pa produkt publik.

Monitorim fushate apo takime elektorale

Nisur nga datat e dhëna nga Agjencia për media dhe informim si ditët kur Task Forca ka zhvilluar mbledhjet dhe në mungesë të të paktën një dokumenti zyrtar shtetëror që të vërtetojë këtë pretendim, Faktoje vendosi të vëzhgojë aktivitetin publik të drejtueses së kësaj Task Force, në ditët e takimeve.

27.04.2023 – Mbledhja e parë e Task Forcës për zgjedhjet sipas MIAs

04.05.2023 – Mbledhja e dytë e Task Forcës për zgjedhjet sipas MIAs

12.05.2023 – Mbledhja e tretë e Task Forcës për zgjedhjet sipas MIAs

Siç vihet re nga publikimet në rrjetin social facebook, zëvendëskryeministrja Balluku, njëkohësisht kryetare e Task Forcës, ka publikuar aktivitete të ndryshme që variojnë nga aktivitetet elektorale tek ato kulturore, gjatë ditëve kur MIA pretendon të jenë mbajtur takimet.

Faktoje, duke kërkuar ndihmën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, po ndjek procedurat ligjore për të marrë informacionin e kërkuar, nëse ai ekziston.


Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img