BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashZvicra nuk i dënon me burg qytetarët që e mbajnë kondicionerin mbi 19 gradë

Zvicra nuk i dënon me burg qytetarët që e mbajnë kondicionerin mbi 19 gradë

Fushata e ndërgjegjësimit për kursimin e energjisë në Shqipëri, në kushtet e krizës globale ka shënuar një tjetër precedent kur qeveria propagandon përmes dizinformimit. Faktoje verifikoi si të pavërtetë një deklaratë të ministres së Energjisë Balluku se Zvicra dënon me burg qytetarët që ngrohen me më shumë se 19 gradë. Përgjigjja e qeverisë zvicerane për Faktoje tregon se ky shtet nuk ka mungesa të energjisë elektrike dhe si pasojë as masa ndëshkuese, por ka ftuar qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë përdorimin e gazit.

 

Viola Keta

 

“A e dini se Zvicra dënon me burg ata që e mbajnë kondicionerin mbi 19 gradë?”-kështu iu drejtua ministrja e Energjetikës Belinda Balluku nxënësve të shkollës 9 vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë, teksa u komunikonte pasojat nga kriza botërore e energjisë elektrike. E pranishme në këtë takim të datës 14 shtator ishte edhe ministrja Arsimit Evis Kushi. Kjo deklaratë u artikulua më herët edhe nga kryeministri Rama gjatë prezantimit të paketës së re antikrizë, në konferencën e datës 8 shtator.

“Sot lexova që Zvicra ka vendosur penalitetin e tre viteve burg për ata që ngrohin më shumë se 19 gradë shtëpinë e tyre, ashtu sikundër kemi parë që Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, në të gjitha vitrinat, në të gjitha bizneset pas orës 10 të darkës etj”-u shpreh zoti Rama.

Nisur nga këto deklarata me shumë ndikim në opinionin publik, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, duke iu referuar fillimisht burimeve zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës. Në 15 shtator iu drejtuam me një kërkesë për informacion në rrugë elektronike zyrës së medias ku kërkuam të dijmë nëse është e vërtetë se ka ndonjë vendim për dënim me burg të qytetarëve në lidhje me energjinë.

Screenshot i kërkesës dërguar zyrës së medias së qeverisë së Zvicrës, 15 shtator 2022

Qeveria Zvicerane i ktheu përgjigje Faktojes vetëm pak orë pas dërgimit të emailit, përmes zëdhënësit të Departamentit Federal të Ekonomisë dhe Kërkimit, i cili mohon vendimmarrjen për dënimin me burg për rastin në fjalë.

Screenshot i përgjigjes së zëdhënësit të Departamentit të Ekonomisë dhe Kërkimit në Zvicër

Në këtë përgjigje, zëdhënësi shkruan se aktualisht në Zvicra nuk ka mungesë të energjisë elektrike dhe për këtë arsye nuk janë vendosur kufizime, aq më pak masa ndëshkuese. Ai pranon se një artikull i gazetës Blick është keqkuptuar dhe interpretuar nga persona të caktuar.

“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe për përpjekjet tuaja për verifikim.

Një artikull në gazetën Blick është keqkuptuar ose riprodhuar gabimisht nga anëtarë të caktuar të publikut. Aktualisht në Zvicër nuk ka mungesë të energjisë elektrike apo gazit natyror. Prandaj nuk ka në fuqi kufizime apo ndalime për përdorimin e energjisë që mund të shkelen. Aktualisht po përgatiten koncepte nëse kufizimet apo masat mund të bëhen të nevojshme në rast të mungesës së ashpër të gazit natyror ose të energjisë elektrike. Procedurat e konsultimit për një projekt-urdhëresë në lidhje me një mungesë të madhe të gazit janë në vazhdim me grupet e interesit  Énergie : mise en consultation des mesures prévues en cas de pénurie de gaz (admin.ch) / Energie: Massnahmen für eine Gasmangellage gehen in Konsultation (admin.ch).

Natyrisht, duhet të mbahet parasysh se si duhet të zbatohen dhe monitorohen kufizimet ose ndalimet e mundshme. Akti Kombëtar i Furnizimit Ekonomik (NESA), i cili do të shërbente si bazë për çdo kufizim apo ndalim, nuk parashikon gjoba administrative në formën e tij aktuale. Për rrjedhojë, ndjekja e shkeljeve sipas NESA do të ishte më e ndërlikuar; megjithatë, çdo gjobë e mundshme nuk do të ishte më e lartë se një gjobë normale administrative. Në çdo rast, një pikë e rëndësishme është se kontrollet e rrepta nuk janë as të realizueshme dhe as të dëshirueshme. Në Zvicër, ne u besojmë njerëzve që të respektojnë ligjin.”-thuhet në përgjigjen zyrtare të Zvicrës për Faktoje.

Faktoje verifikoi edhe artikullin e publikuar në 6 shtator në gazetën Blick ku flitet për masat që mund të merren në rast të mungesës së gazit ndaj atyre që shkelin me dashje parashikimet ligjore.

Nga kërkimet e Faktoje rezulton se qeveria në Zvicër ka kërkuar nga qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë me 15% përdorimin e gazit në periudhën Tetor 2022-Mars 2023 që janë edhe muajt më të ftohtë. Kjo fushatë ndërgjegjësimi ka nisur në fund të muajit gusht. Të dhënat tregojnë se vetëm për ngrohje Zvicra shpenzon ¾ e sasisë së gazit të përdorur gjatë dimrit. Familjet, industritë, sektori publik dhe institucionet shtetërore janë ftuar nga qeveria të reduktojnë ngrohjen, me argumentin se një gradë më pak nxehtësi, kursen 5-6% të energjisë.

Kur dizinformimi përdoret për propagandë

Verifikimi i Faktoje mbi dënimin me burg të qytetarëve në Zvicër që ngrohen me më shumë se 19 gradë tregoi se deklarata e ministres Balluku është e pavërtetë. Por diskutimi përtej këtij verifikimi është mbi propagandën që bëhet përmes dizinformimit, sidomos në një kohë të tillë kur qeveritë duhet të mendojnë se si të lehtësojnë qytetarin. Në rastin konkret, prezantohet një paketë antikrizë, por përcillen informacione dizinformuesë për të ndërgjegjësuar popullsinë të kursejë energjinë. Edhe më parë Faktoje ka verifikuar deklarata të pavërteta të zyrtarëvë të qeverisë mbi vendimmarrje të shteteve të tjera në lidhje me çështje madhore.

Në 14 tetor 2021 Faktoje publikoi një artikull mbi deklaratën e kryeministrit Rama se Britania kishte bërë një plan për kufizimin e energjisë. Por një përgjigje nga qeveria britanike për Faktojen e rrëzonte këtë pretendim.

Më herët në 29 shtator 2021 një tjetër artikull i Faktoje, ku përfshiheshin edhe  përgjigjet nga qeveria gjermane rrëzoi një tjetër pretendim të kryeministrit në lidhje me agjencinë e mediave si një model i suksesshëm gjerman.

Ndërkohë në 21 mars të 2020 Faktoje verifikoi një video të shpërndarë nga kryeministri Rama duke  iu referuar si ndërhyrje e policisë spanjolle për të shpërndarë njerëzit gjatë pandemisë. Videoja i përkiste zhvillimeve në Alegjeri dhe nuk kishte asnjë lidhje me pandeminë.

 

*Foto ballore marrë nga web

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img