Përmbytjet katastrofike që ka përjetuar Italia në javët e fundit kanë vrarë 14 persona dhe kanë lënë të pastrehë 36 mijë të tjerë. Numrat tregojnë se kjo ishte përmbytja më ekstreme në Itali në 100 vitet e fundit, ndërkohë që 2022 ishte viti më i nxehtë në historinë e shkruar të Italisë. 

“Duhet të përgatitemi, kjo është kriza klimaterike,” paralajmëron Pierlugi Randi, presidenti i shoqatës së ekspertëve të motit Ampro.

Megjithatë, edhe përballë katastrofave klimaterike që janë paralajmëruar nga shkencëtarët e klimës dhe ngrohjes globale për dekada, mendja konspirative refuzon shpjegimin e drejtpërdrejtë, duke zgjedhur të shohë në këto katastrofa lehtësisht të shpjegueshme një komplot.

Kështu, një nga teoritë që po qarkullon edhe në rrjete sociale shqipfolëse pretendon se ndryshimet klimaterike që sjellin këto katastrofa janë rezultat i një marrëveshjeje të vitit 2001 mes qeverive amerikane dhe italiane për të nisur në Itali ekperimentet e para të ‘gjeo-inxhinierisë’, “tharjen ose mbarsjen e reve në mënyrë artificiale nëpërmjet avionëve”.

Në të vërtetë, në 19 korrik 2001, presidentët e atëhershëm të ShBA dhe Italisë, respektivisht George W. Bush dhe Silvio Berlusconi, u zotuan se vendet e tyre do të bashkëpunonin në programe studimore mbi ndryshimin klimaterik dhe zhvillimin e teknologjive me emetim të ulët karboni, jo për të kryer ndonjë eksperiment gjeo-inxhinierik. Italia është nga shtetet më të rrezikuara nga pasojat e ngrohjes globale, pasoja të cilat kanë filluar të ndihen tashmë, siç dëshmojnë thatësirat dhe përmbytjet e viteve të fundit.

Teknika e ‘mbjelljes së reve’ (cloud seeding) është një lloj modifikimi i motit që ka për qëllim ndryshimin e sasisë ose llojit të reshjeve që bien nga retë duke shpërndarë në ajër substanca që shërbejnë si kondensim për retë, duke modifikuar porceset mikrofizike në brendi të resë.

Megjithëse programe të mbjelljes së reve janë zbatuar nga qeveri të ndryshme të botës që në vitet 1950, efektiviteti i kësaj teknike në nxitjen e reshjeve mbetet i debatuar. “Deri më tani,” thotë ekologu Rob Jackson nga Universiteti i Stanford, “të bësh që të bjerë shi është ende më shumë art sesa shkencë.”

Teoria konspirative që pretendon se mbjellja e reve është përdorur për të shkaktuar përmbytje qarkulloi dhe në 2016, kur reshje të forta përmbytën pjesë të Australisë. Një hetim i pavarur i autoriteteve të Tazmanisë mbi përmbytjet e 2016 gjeti se veprimtaritë re-mbjellëse nuk kishin ndikim mbi reshjet që shkaktuan këto përmbytje.

Si me një sërë shënjestrash të tjera të konspiracionistëve, për shembull sistemi HAARP, fuqitë mbinatyrore që i vishen procesit të mbjelljes së reve duket se lindin nga moskuptimi i procesit.

Përballë kësaj teorie konspirative, shkencëtarët e klimës pohojnë se mbjellja e reve thjesht nuk është një teknologji aq e avancuar sa të shkaktojë përmbytje apo ndryshime klimaterike. “Teknologjia është mjaft rudimentare, dhe rezultatet janë shumë të lokalizuara,” tha një zëdhënës i Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane për Reuters.