BallinaNë lupën e FakteveSi vlerësohet Shqipëria për mbrojtjen nga diskriminimi, shqiptarët ende frikë të denoncojnë rastet

Si vlerësohet Shqipëria për mbrojtjen nga diskriminimi, shqiptarët ende frikë të denoncojnë rastet

Klementina Cenkollari

Një nga kushtet ndaj Shqipërisë, në këmbim të integrimit në BE është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i politikave kundër diskriminimit. Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dëshmon shtim të denoncimeve  në 2021 krahasuar me 2020, krysisht nga individë, organizata apo grupime që ankohen se u mohohen shërbimet publike për motive me sfond racor, gjinor etj. Qeveria ka shpallur së fundi edhe një plan veprimi për shmangien e diskriminimit të komunitetit LGBTI, por episode të përsëritura tregojnë se nevojitet ndërgjegjësim i opinionit të gjerë për pranimin dhe respektimin e komuniteteve vulnerabël.

————————–

“Në datë 07.10.2020, rreth orës 15.07, L.K së bashku me dy persona të tjerë ka qenë ulur tek lokali. Kanë pritur rreth 30 minuta dhe kamarieri nuk u ka shërbyer dhe kur ka dashur të bëjnë porosinë, kamarieri i ka thënë nuk u shërbejmë transave dhe më pas kanë debatuar me njëri-tjetrin. Pas këtij momenti ka pyetur banakieren se, për çfarë arsye nuk i shërbehet kafe? Banakierja i është përgjigjur se nuk do pronari. Më pas ka telefonuar policinë në numrin, 129. Ankuesi shprehet se, duke qenë figurë publike është ndier i ofenduar pasi në lokal kishte klientë të cilët kishin ndjekur situatën dhe ishin tallur.”

Ky është denoncimi i publikuar në një prej komunikatave ditore të Policisë Tiranë, referuar Raportit të Shërbimit të mbajtur nga oficerët e patrullës së policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në datë 07.10.2020, ku në vijim theksohet:

“Patrulla ka marrë kontakt me personelin e lokalit NUIS: L92315008L, në rrugën e Durrësit dhe banakieren N.H, e cila i ka sqaruar se nuk ka asnjë konflikt, por nuk mund t’u shërbente, sepse sipas saj ankoheshin klientët e tjerë se do të largoheshin nga lokali nëse ishin të pranishëm këta shtetas.”

Ky episod është vetëm një nga historitë e shumta që ilustrojnë rastet e diskriminimit për shkak të “identitetit gjinor” dhe ka marrë zgjidhje pas ndërhyrjes së Komisionerit Kundër Diskriminimit.

Në progres-raportin e BE-së, Shqipërisë i ngarkohet si detyrë përmirësimi i mëtejshëm i mekanizmave institucionalë për rritjen e përpjekjeve për të krijuar një praktikë gjyqësore solide kundër diskriminimit. Edhe pse Shqipëria ka miratuar “Planin kombëtar për Integrimin Evropian 2016 – 2020”,  ende zbatimi i tij në terren mbetet problematik.

Në plan përcaktohet “Qeveria shqiptare është e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në mënyrë të veçantë për të zbatuar më tej politikat e antidiskriminimit, përmirësimin e gjendjes me të drejtat sociale, me fokus të veçantë te grupet vulnerabël dhe të miturit”.

Por si për identitetin gjinor ashtu dhe atë racor, rastet e diskriminimit nuk janë të pakta. Madje sipas të dhënave zyrtare të dërguara pas kërkesës për informacion ndaj Komisionerit Kundër Diskriminimit, në vitin 2021 ato kanë shënuar rritje në krahasim me 2020-n.

“Nga 200 çështje që janë trajtuar gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, për 180 çështje ka filluar shqyrtimi në bazë të ankesës. Nga këto, në 152 raste ankesat janë paraqitur nga individë (103 ankesa të regjistruara gjatë vitit 2021 dhe 49 ankesa të regjistruara në vitin 2020), në 21 raste, ankesat janë paraqitur nga organizata me interesa legjitime (13 ankesa të regjistruara në vitin 2021 dhe 8 ankesa të regjistruara në vitin 2020), në 7 raste ankesat janë paraqitur nga grup personash (4 ankesa të regjistruara gjatë vitit 2021 dhe 3 ankesa të regjistruara në vitin 2020).”-thuhet në përgjigjen zyrtare të KMD.

Përgjigjja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Sipas të dhënave zyrtare nga ky institucion, gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, ka patur një shtrirje të gjerë gjeografike të ankesave me pretendim diskriminimi. Bashkitë, nga të cilat është paraqitur numri më i madh i ankesave janë: Tiranë, Shkodër, Berat, Durrës, etj, por edhe nga Selenica dhe Gramshi, nga të cilat Komisioneri nuk ka patur ankesa më parë.

Numri i çështjeve të regjistruara në fushën e të mirave dhe shërbimeve, për vitin 2021, ka qenë 68, ndërkohë që numri i ankesave të trajtuara, duke përfshirë edhe 31 ankesat e regjistruara në vitin 2020, ka qenë 99 ankesa. Prej tyre, 78 ankesa drejtohen kundër subjekteve publike dhe 21 ankesa drejtohen kundër subjekteve private. Një pjesë e mirë e ankesave drejtohen edhe ndaj institucioneve të administratës qendrore, për mosofrimin apo garantimin e një serie shërbimesh si ai shëndetësor, transporti publik qytetas pa pagesë etj. Shkaqet kryesore, për të cilat janë paraqitur ankesat në fushën e shërbimeve kanë qenë: raca, gjendja ekonomike dhe aftësia e kufizuar.

Raportit të KMD mbi ankesat e raportuara në 2021

Problematikat e hasura gjatë shqyrtimit të ankesave ku pretendohet diskriminim për shkak të racës, janë si vijojnë: Regjistrimi në arsimin parashkollor të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian;  Përdorimi në media i shprehjeve diskriminuese nga persona publikë, për të etiketuar persona të komunitetit egjiptian;  Vonesat në procesin e legalizimit të banesave të anëtarëve të komuniteteve rome dhe egjiptiane.

Pak javë më parë, në rrjetet sociale qarkulloi një tjetër shfaqje diskriminimi.

Ishte një “Ofertë për punë” në një Bar Kafe të qytetit të Elbasanit, ku qartësisht shfaqet diskriminim për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Screenshot i një postimi që ka qarkulluar në rrjetet sociale

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi garantoi se do të ndërmarrë të gjitha hapat që i njeh ligji për ndreqjen e kësaj shfaqjeje diskriminuese dhe u bëri thirrje të gjitha subjekteve private të shmangin sjelljet diskriminuese.

Ndërkaq, me ndryshimet ligjore, roli i Avokatit të Popullit është zbehur ndjeshëm.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka juridiksion më të gjerë se Avokati i Popullit, për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me diskriminimin, edhe kur pala që pretendohet se ka diskriminuar është një subjekt privat, çfarëdo qoftë ai. Në këto kushte, duke respektuar kompetencën e posaçme të këtij institucioni, në përmbushje të detyrimit ligjor procedurial, që përcaktohet nga ana e Kodit të Procedurave Administrative, institucioni i Avokatit të Popullit i përcjell Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për kompetencë shqyrtimi rastet dhe ankesat e lidhura me diskriminimin” – thuhet në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

*Pergjigja e Avokatit te Popullit

Avokati i Popullit nënvizon se ka qenë shumë i kujdesshëm që në trajtimin e çështjeve të përjashtojë ato raste ku apriori flitet për diskriminim, duke adresuar vetëm çështjet ku ngrihen pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Gjatë vitit 2021, institucioni i Avokatit të Popullit i ka përcjellë për kompetencë shqyrtimi Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjithsej tre raste”- thuhet në përgjigjen zyrtare.

Ndërkaq, numri i rasteve që kanë përfunduar në Prokurori për diskriminim mbi baza gjinore apo racore mbetet i ulët, gjë që vërtetohet nga të dhënat zyrtare në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Screenshot me të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme thotë se në zbatim të rezolutës së Kuvendit, ka analizuar rekomandimet e ekspertëve të GREVIO-s për Shqipërinë dhe më datë 23.12.2020 Prokurori i Përgjithshëm miratoi udhëzimin e përgjithshëm nr.17 “Për hetimin dhe ndjekjen penale efektive të veprave penale kundër dhunës ndaj grave, dhunës në familje, dhe dhunës me bazë urrejtjeje” që synon unifikimin e masave procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm që hetimet dhe ndjekja penale në çështjet për vepra penale kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë urrejtje të jenë, në afate optimale (shpejta), efiçente, dhe me kërkesa për masa dënimi efektive, proporcionale e frenuese, që të kontribuojnë në parandalimin e përgjithshëm dhe të posaçëm të autorëve të këtyre formave sensitive të kriminalitetit ndaj viktimave gra.

Ne iu drejtuam edhe Policisë së Shtetit në lidhje me numrin e denoncimeve që lidhen specifikisht me diskriminimin. Në përgjigjen e dhënë nga Koordinatori për të Drejtën e Informimit,  Gentian Mullaj thuhet se janë dërguar për hetim vetëm 7 raste me këtë objekt.

“Krimin me bazë urrejtjen dhe diskriminimin gjatë vitit 2021, e gjejmë  në nenet 74/a, 84/a, 119/a, 119/b, 265 e 266 të Kodit Penal, për sa kohë që nuk është një vepër penale e parashikuar më vete. Janë referuar në Prokurori, 7 raste për krime urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI. Lidhur me pyetjen për diskrimimin nga ana e qytetarëve ju bëjmë me dije se nuk ka patur raste të tilla”, theksohet në përgjigje.

Në mesin e muajit shkurt të këtij viti, qeveria shpalli Planin e ri Kombëtar të Veprimit për personat LGBTI 2021-2027, hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me ekspertizën e ofruar nga projekti i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri”. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet se Plani i Veprimit përcakton nevojën për angazhimin e burimeve të ndryshme dhe marrjen e një sërë veprimesh të mirëkoordinuara midis të gjithë aktorëve kryesorë që synojnë ndryshimin rrënjësor të mentalitetit në shoqërinë tonë, në betejën kundër stereotipeve dhe qëndrimeve paragjykuese patriarkale.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img