BallinaNë lupën e FakteveZhgënjim në Bruksel, çfarë ndodhi me negociatat për Shqipërinë dhe RMV?

Zhgënjim në Bruksel, çfarë ndodhi me negociatat për Shqipërinë dhe RMV?

Paralajmërime pa nisur ende, qeveri e rrëzuar pak orë para nisjes, veto e hequr me vonesë dhe pakënaqësi e akuza në mbyllje. Kështu mund të përmblidhet samiti 2-ditor i Bashkimit Europian, nga i cili Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mundën sërish të merrnin një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. “Faktoje” sjell një panoramë të zhvillimeve në Bruksel e një skaner të ecurisë së Shqipërsë drejt BE-së me pedagogët e  marrëdhënieve ndërkombëtare.

Marjo Braka

Pas dështimit në dy raunde, 17 maj në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian e më pas në 24 qershor në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të presin ende për të marrë një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, që do të shënonte edhe çeljen formale të negociatave.

Në 2 ditë samit në Bruksel ku u takuan udhëheqësit e 27 vendeve të “unionit” me drejtuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian nuk mundi të caktonte një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Dështim i paralajmëruar

Ishte presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiç si fillim e kryeministri Edi Rama që paralajmëruan pritshmëri të ulëta nga samiti i BE-së më 23 dhe 24 qershor.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!” – shkroi Rama në Twitter më 21 qershor, dy ditë para nisjes së samitit të BE.

Një ditë më pas, Rama konfirmoi vajtjen në samit, duke e lidhur këtë ndryshim kursi me idenë që presidenti francez Macron hodhi më 9 maj të këtij viti, kur foli për një “Komunitet politik evropian”.

“Dora e padukshme” rrëzon qeverinë bullgare

E teksa liderët e Ballkanit Perëndimor po bëheshin gati për të zhvilluar samitin, një lajm i papritur shoi shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut për të marrë një datë për negociatat. Gati 24 orë nga nisja e samitit, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Kirill Petkov kishte rënë pas mocionit të mosbesimit të kërkuar nga opozita, akt i cili u votua me 123 vota pro dhe 116 kundër.

Zhgënjim në ditën e parë të samitit

Pas më shumë se pesë orë bisedimesh mes krerëve më të lartë të Bashkimit Evropian, me liderët e Ballkanit Perëndimor, konferenca e planifikuar për shtyp e presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen u anulua zyrtarisht për shkaqe kohore.

Por teksa kjo konferencë u anulua, një tjetër konferencë mori vëmendjen e shumë mediave gjatë këtij samiti. Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski, si rrallëherë më parë, iu drejtuan me tone të ashpra dhe shpotitëse Unionit dhe drejtuesve të tij, ku nuk munguan as batutat e shkëmbyera mes tyre, të cilat e kthyen shpeshherë rëndësinë e ngjarjes në një “pazar të hareshëm ballkanik”.

Kryeministri Rama deklaroi pas takimit se sipas tij: “Arsyeja nuk është thjesht Bullgaria. Bullgaria është një fatkeqësi, por nuk është vetëm Bullgaria, por është fryma e deformuar e zgjerimit, një frymë tërësisht e deformuar dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj”, – tha ai duke shtuar se “fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti tek marrja peng nga shtetet individuale dhe ne e kemi parë. Sa herë që ka diçka që ndodh në një shtet anëtar, menjëherë ky mjet bllokimi vihet në lëvizje”.

Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia më afër BE

Udhëheqësit e BE-së vendosën në ditën e parë të samitit 2-ditor t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Twitter. Gjeorgjia, e cila gjithashtu aplikoi për anëtarësim në BE në fillim të këtij viti, u njoh si një anëtare “perspektive” për t’iu bashkuar “unionit”.

Personi heq veton, por.. tepër vonë

E teksa shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ishin shuar, Bullgaria dha një sinjal të fortë duke ndezur shpresat e dy vendeve për një datë

Ligjvënësit bullgarë votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit te negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

Shkupi “refuzon” Sofjen

Shkupi i ktheu shpinën propozimit francez duke refuzuar kësisoj edhe vendimin e Bullgarisë për të hequr veton. Ai është i papranueshëm për vendin, bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski, pasi e njoftoi presidencën franceze për vijat e kuqe të Shkupit.

Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh Kovaçevski.

Samiti, dështim për Tiranën dhe Shkupin

Për pedagogun e marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika, dështimi i BE-së për të caktuar një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veiur lidhet sa me “traditën ballkanase” aq edhe me problemet e brendshme të “unionit”.

“Edhe një herë “tradita” ballkanase tregoi se ekuilibrat brenda kësaj hapësire janë të brishtë. Kjo duhet të shërbejë si një arsye më shumë për të integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si një opsion që mund të latojë përplasjet dhe kundërshtitë mes vendeve. Nga na tjetër, ingranazhet e makinerisë së Bashkimit Europian treguan edhe një herë se funksionojnë shumë ngadalë duke ngritur në agjendë edhe diskutimin e nevojës për reformim të brendshëm të “unionit” në lidhje me procesin e vendim-marrjes dhe specifikisht atë të politikave të zgjerimit.” – argumenton Çika.

Ndërsa për pedagogun, ekspert të çështjeve të integrimit, Dritan Hoti “Jo” e BE-së ndaj Tiranës e Shkupit, nuk lidhet vetëm me veton bullgare.

“Jo” e fundit për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ishte nuk u vendos në ato momente, por ishte paralajmëruar. Është një “Jo” që i atribuohet vetos së Bullgarisë, por njëherazi shpreh edhe dëshirën e disa vendeve brenda “unionit” që janë skeptike për Shqipërinë. Veto-ja bullgare shërbeu si justifikim për të kënaqur segmente të caktuara në Bashkimin Europian” – thotë Hoti.

Shpresa në të ardhmen e afërt

Për pedagogët Dritan Hoti dhe Emilio Çika, ndonëse me vonesë heqja e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së veriut mund të çojë në caktimin e një date për Konferencën e Parë Ndërqevritare së afërmi.

“Nëse vendimi i Parlamentit të Bullgarisë për abrogimin e vetos do të adoptohet e pranohet nga Maqedonia e Veriut, mund të kemi së afërmi një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. kjo do të çonte edhe në mos-ndarjen e dy vendeve në rrugëtimin drejt BE-së”. – vlerëson Hoti.

Ngjashëm vlerëson edhe eksperti Çika

“Votimi në Parlamentin e bullgarisë për aprovimin e propozimit francez, japin shpresë për thirrjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare  dhe tejkalimin e ngërçit të vetos. Kjo fatmirësisht, pasi opsioni i ndarjes së procesit të vlerësimit të dy vendeve është i vështirë për BE-ne, pasi një hap i tille do të çojë në krijimin e një precedenti të cilin BE-ja kërkon që ta shmangë.  Ngelet për të parë reagimin zyrtar të Maqedonisë së Veriut, pasi në deklaraimet parprake pati kundërshtuar “Planin Francez”. Megjithatë, mendoj se zgjidhja është e afërt pasi presioni ndërkombëtar për të dyja vendet është i shtuar dhe rrjedhimisht në një periudhë të afërt do të kemi lajme pozitive për përmbylljen e këtij procesi pasi sfidat deri ne integrimin e plotë në BE janë të shumta dhe te shtrira në kohë.” – argumenton Çika.

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha të hënën se brenda pak ditësh mund të nisin negociatat e anëtarësimit të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mbetet për t’u parë ndërkohë nëse paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama se Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse negociatat nuk çelen do të konkretizohet.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img