BallinaFaktometerE PavërtetëGripi i shpendëve në Shqipëri, si ndryshuan deklaratat e Ministrisë së Bujqësisë brenda tri ditëve

Gripi i shpendëve në Shqipëri, si ndryshuan deklaratat e Ministrisë së Bujqësisë brenda tri ditëve

Raportimet për ngordhjen e mbi 200 mijë pulave në vend, javën e kaluar ngritën shqetësimin për praninë e gripit të shpendëve në vendin tonë. Pavarësisht alarmit të ngritur nga ekspertët, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë më 17 mars mohuan praninë e gripit të shpendëve. Por tri ditë më pas, Ministria e Bujqësisë njoftoi rastin e parë të sëmundjes e njohur si Influenca Aviare e tipit H5N8 në një stabiliment në Durrës, duke konfirmuar atë çfarë kishin paralajmëruar ekspertët. Këtë të hënë, prokuroria e Durrësit njoftoi edhe nisjen e një hetimi për këtë çështje.

———————————————————————————-

“AKVMB kërkon të sqarojë opinionin publik se deri më tani nuk ka asnjë rast të shfaqur me influencë aviare (gripi i shpendëve) dhe se ngordhja e rreth 200 mijë shpendëve në Durrës ka ardhur si pasojë e sëmundjes së laringotrakeitit infektiv në shpendë”- njoftonte Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve më 17 mars.

Screenshot nga faqja e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve

Raportimi për ngordhje masive të pulave qarkulloi gjerësisht në mediat e ndryshme në vend, duke krijuar shqetësim dhe panik te qytetarët. Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion më 16 mars Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat i pyetëm se cila kishte qenë arsyeja e ngordhjes së pulave në vendin tonë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU, 16 mars 2022

Ndërkohë, në kërkesën e nisur në adresë të ISHP-së pyetëm konkretisht nëse ishin konfirmuar raste të gripit të shpendëve në Shqipëri.

Kërkesa për informacion dërguar ISHP, 16 mars 2022

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk morëm përgjigje nga këto tre institucione edhe pse bëhet fjalë për një çështje me ndikim të madh publik.

Në 17 mars, zëvendësdrejtoresha e ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare), Jonida Boci raportonte se nuk kishte asnjë rast me grip të shpendëve, teksa konfirmonte për mijëra pula të ngordhura.

“Janë rreth 200 mijë shpendë që kanë ngordhur. Është ngritur një grup hetimor që ndodhet në terren, kanë rezultuar pozitivë për laringotrakeit. Nuk ka nevojë për panik dhe nuk kemi rrezik të gripit të shpendëve në Shqipëri”- theksoi Boci.

Po në lidhje me këtë çështje, pati një reagim edhe nga përgjegjësja e Sektorit të Shpendëve në Ministrinë e Bujqësisë, Keti Margariti më 17 mars. Specialistja sqaronte:

“S’ka vend për panik. Mostrat kanë konfirmuar sëmundjen e laringotrakeitit infektiv. Numri i ngordhjeve në shpendë është pak i fryrë. Janë 248 mijë shpendë të ngordhur. Nuk interferon me shëndetin publik kjo sëmundje. S’kemi të bëjmë me grip shpendësh, të gjitha produktet mund të konsumohen”- deklaronte zyrtarja e Ministrisë së Bujqësisë.

Nga ana tjetër, më 20 mars, saktësisht 4 ditë pas kërkesës sonë për informacion, Ministria e Bujqësisë njoftoi zytarisht identifikimin e rastit të parë të gripit të shpendëve në Shqipëri.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se konfirmohet rasti i parë i Influencës Aviare të tipit H5N8 në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë. Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave.

Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, në kampione të ndryshme, në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës. Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë sot, datë 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8”- thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ministria e Bujqësisë, e cila u bën thirrje konsumatorëve të mos bien pre e spekulantëve që mund të tregtojnë mish shpendësh pa certifikatë veterinare ose në kushte të papërshtatshme:

“Sugjerohet që ushqimet e mishit të shpendëve të llojit pulë të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara. Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor. Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve)”.

Alarmi për praninë e gripit të shpendëve në Shqipëri ishte ngritur që më 16 mars nga eksperti Ervin Resuli, i cili nëpërmjet një komunikimi për Faktoje paralajmëroi:

“Gripi i shpendëve po bën kërdinë në dy nga pularitë me potencial të ekonomisë sonë, mbi 400 mijë krerë janë groposur.”

Ndërkohë, pas konfirmimit nga Ministria e Bujqësisë të rastit të parë të gripit të shpendëve, më 20 mars, Resuli kërkon nga ky institucion që të bëhet një hetim i plotë, pasi është rrezikuar jeta e konsumatorëve. Ai ngre shqetësimin se situata është lënë jashtë kontrollit prej gati 20 ditësh.

“I bëj thirrje publike Ministres së Bujqësisë të distancohet nga sjellja e papërgjegjshme e dy institucioneve të varësisë, ISUV dhe AKVMB, të cilët në shkelje flagrante të ligjit kanë lejuar për më shumë se 20 ditë një situatë kaotike duke mos arritur në diagnozën përfundimtare në kohën e duhur.

Situata është jashtë kontrollit dhe përbën skandal të ISUV dhe AKVMB, ç’ka përbën rrezik për jetën e konsumatorit dhe gjithësecili prej nesh. Tregtia e pulave të sëmura dhe produkteve të tyre, mënyra e skartimit apo groposja, mbetet një enigmë. Duhet të merren veprime të mëtejshme nga Ministria e Bujqësisë për të informuar ku janë groposur pulat e ngordhura, a janë sekuestruar vezët e ketyre pulave dhe a janë ruajtur mostrat e pretenduara për laringotrakeit në bankën e mostrave në ISUV, për t’u rianalizuar në një laborator të referencës në BE” -argumenton eksperti Resuli.

Ndërkohë, sot në media është raportuar që Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për ngordhjen e mijëra shpendëve në disa pulari të qytetit bregdetar.

*Foto kryesore është marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img