BallinaNë lupën e FakteveSi ndikoi mësimi online dhe pandemia në analfabetizmin funksional

Si ndikoi mësimi online dhe pandemia në analfabetizmin funksional

Raporte të rëndësishme ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin në lidhje me analfabetizmin funksional në Shqipëri dhe faktin që pandemia e ka thelluar edhe më tej problemin. DPAP sqaron për Faktoje se ndër vite Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndryshuar strategjinë e mësimdhënies, me qëllim përmirësimin e situatës. Nga ana tjetër, mësues dhe ekspertë tregojnë se ku nis problemi dhe çfarë duhet ndryshuar në sistemin tonë arsimor.

————————————————————————————

Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2018” nxori në pah problemet e theksuara me analfabetizmin funksional të nxënësve në vendin tonë. Në këtë raport, vendi ynë renditet në fashën e dytë, me përgatitjen më të ulët nga pesë fashat e kategorizuara, ku në të pestën u grupuan vendet që spikasin me njohuritë më të larta të 15-vjeçarëve dhe fasha numër 1 me njohuritë më të ulëta.

“Në Shqipëri, 48% e nxënësve arritën të paktën nivelin 2 të aftësisë në lexim (mesatarja e OECD: 77%). Nxënësit në Shqipëri shënuan rezultate më të ulëta se mesatarja e OECD në lexim, matematikë dhe shkencë”, theksohej ndër të tjera në këtë raport.

Ndërsa, një raport i Bankës Botërore i vitit 2020 theksonte se mbi 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri ishin analfabetë funksionalë, duke ngritur shqetësimin se pandemia Covid-19 do e thellonte problemin.

Screenshot nga raporti i Bankës Botërore

Nisur nga ky shqetësim i ngritur nga raportet ndërkombëtare, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, ku ndër të tjera e pyetëm mbi strategjinë që ata kanë për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate shqetësuese.

Kërkesa për informacion dërguar DPAP, 26 maj 2022

Në përgjigjen zyrtare DPAP sqaron se ndër vite Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka ndryshuar strategjinë e mësimdhënies, duke përfshirë si një pjesë të rëndësishme edhe anën praktike. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar përmend edhe raportet e PISA-s dhe studimet e bëra për këtë situatë, por nuk marrim një përgjigje konkrete si është niveli i analfabetizmit funksional në Shqipëri. Ndërkohë, DPAP na vë në dispozicion edhe strategjinë e përdorur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për përmirësimin e situatës.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) ka ndryshuar mënyrën e mësimdhënënies duke kaluar prej vitit 2014 në mësimdhënien me kompetenca që nxënësit të ndërthurin njohuritë e tyre teorike me ato praktike”, sqaron ky institucion.

Përpos kësaj, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar bën të ditur se nxënësit testohen në mënyrë të vazhdueshme për dijet e marra gjatë vitit shkollor.

“Nxënësit vlerësohen çdo tre muaj (sipas periudhave), duke kombinuar vlerësimin e vazhduar, vlerësimin me test /detyrat përmbledhëse dhe vlerësimin e portofolit të nxënësit. Vlerësimi përfundimtar, raportohet nga mësuesi një herë në tre muaj dhe i jepet me shkrim prindit.

Përveç vlerësimit të njohurive të marra gjatë një viti shkollor, nga mësuesit në shkollë bëhet edhe matja e arritjeve të nxënësve edhe në përfundimin e cikleve shkollore.

Pas përfundimit të klasës së pestë zhvillohet vlerësimi kombëtar i arritjeve të nxënësve (Vlerësimi i Arritjeve në Arsimin Fillor, VANAF) me synim vlerësimin e njohurive dhe kompetencave bazë të fituara nga nxënësit në ciklin fillor, në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre,

Në përfundim të klasës së nëntë, për të matur njohuritë dhe kompetencat e nxënësve, zhvillohen Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë (PKAB), në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.

Provimet e maturës shtetërore (MSH) masin rezultatet e nxënësve në përputhje me programin dhe kurrikulën me kompetenca”, sqaron DPAP.

Përgjigjia e DPAP, 2 qershor 2022

Ku qëndron problemi dhe si ndikoi pandemia në nivelin e analfabetizmit?

Faktoje bisedoi me mësues të sistemit arsimor dhe ekspertë të fushës, të cilët theksojnë se shkaqet për këtë situatë janë të shumta, duke nisur që nga metodat e mësimdhënies që përdoren në sistemin tonë arsimor.

“Problemi fillon që në orën e mësimit, ku mësuesit duke ‘shmangur’ shpjegimin dhe mësimin ‘përmendsh’, nuk arrijnë të organizojnë orën mësimore në funksion të të kuptuarit të koncepteve, fakteve dhe abstraksioneve të lëndës.

Të mësosh nxënësit të punojnë në grupe, të kërkojnë, të japin mendimin e tyre, (kërkesa këto të metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies) kërkon nga mësuesit njohjen shumë të mirë të lëndës, të veçorive të moshës dhe të modeleve të mësimdhënies. Pra, në varësi të klasës, lëndës dhe përgatitjes së mësuesit, nxënësi duhet të aftësohet fillimisht në të kuptuarit e koncepteve themelore që nga klasa e parë deri në universitet.

Mendoj që parashtrimi i kërkesave të lëndës në kurrikula duhet të jenë të tilla që të kalohet përtej “copy- paste“. Ky problem fillon që në klasë të parë e vazhdon deri në universitete dhe më pas tek të rriturit Intelektualë”, sqaron një mësuese që punon në sistemin arsimor parauniversitar.

Më tej ajo argumenton:

“Për sa i përket pandemisë dhe ndikimit që pati në cilësinë e arsimit, duke pasur parasysh nivelin social-ekonomik në Shqipëri dhe mundësinë e prindërve për të mbështetur fëmijët në shkollimin e tyre, mendoj që ky fenomen është shtuar.  Prej kohësh flitet për kurrikula bashkëkohore, metodologji bashkëkohore, por për sa kohë letërsia mësohet me çelës për provim mature dhe për sa kohë në shkolla nuk i jepet hapësira e nevojshme të kuptuarit të koncepteve dhe abstraksioneve dhe të shprehurit lirshëm të mendimit nga nxënësit, ky fenomen do jetë i pashmangshëm”.

Për ekspertin e Arsimit, Ndriçim Mehmeti pandemia e rëndoi edhe më tej problemin e analfabetizmin funksional.

“Situata në vendin tonë ka qenë e vështirë, ndërsa pandemia e shtyu atë më tej. Në një studim të Bankës Botërore të prilllit të vitit 2020, lidhur me analfabetizmin funksional në vendet e Ballkanit Perëndimor, theksohej se Shqipëria e ka përqindjen e analfabetizmit në kufijtë e shifrës 56% dhe me shumë mundësi pas pandemisë, për shkak të vështirësisë së qasjes së fëmijëve në mësimin online, kjo shifër do të rritet në 68%”, sqaron Mehmeti.

Ai shton se pandemia na gjeti të papërgatitur dhe se metodat e përdorura për të përcjellë dije të nxënësit, nuk ishin të duhurat.

“Padyshim që pandemia ka pasur një ndikim të madh, por e gjitha për faktin se ne ishim të papërgatitur. Aksesi i qytetarëve në internet veçanërisht në zonat rurale, ishte jashtëzakonisht i ulët dhe për më tepër nuk u rimbursuan paketat e internetit, për familjet në nevojë dhe për mësuesit. Mësuesit nuk u paguan për punën rropatëse që bënin duke ulur motivimin e tyre, në maksimum. Ministria e Arsimit e la situatën në rënie të lirë duke i besuar mësimit në televizion, i cili ishte krejtësisht i pamjaftueshëm. Pavarësisht përkushtimit të mësuesve mund të thuhet se ky lloj mësimi, arriti pak për të mos thënë aspak”, argumeton eksperti i Arsimit.

Mirëpo, çfarë hapash duhen ndërmarrë për ta luftuar fenomenin?

“Tani nuk ka asnjë gjë për t’u bërë. Ne duhet të bënim një studim ku të evidentoheshin të gjithë nxënësit që kishin boshllëqe, vështirësi në të nxënë, nxënësit me nevoja të veçanta, që kërkonin ndhmë. Duhej hartuar një program i veçantë për lëndët, kapitujt, tematikat ku kishte mangësi dhe së fundi një plan i detajuar veprimi”, thekson eksperti Ndriçim Mehmeti.

Mehmeti ngre edhe një tjetër shqetësim që ka të bëjë me diferencën në marrjen e dijeve mes nxënësve në shkollat e zonave rurale dhe atyre urbane.

“Banka Botërore evidentoi se shumë shpejt në vendin tonë hendeku i shkollave në zonat rurale me ato urbane do të kenë dy vite diferencë. Pra nxënësi që mbaron shkollën në Sauk ka dy vite më pak dije se nxënësi që mbaron shkollën në qytetin e Tiranës. Mendoj se duhet ndërmarrë një Plan Emergjent Kombëtar të Arsimit. Ky plan duhet të tregojë objektivat e tij të arsimit deri në vitin 2050, i shoqëruar me buxhet jo më të vogël se 5% të GDP dhe me ambicien drejt reduktimit zero të braktisjes shkollore”, shprehet ai.

Në muajin maj, Faktoje raportoi se shpenzimet për arsimin u reduktuan me 3.6% nga qeveria.

Në një tjetër artikull të publikuar po në maj të këtij viti, Faktoje shkruante referuar mendimit të ekspertëve se as dy vite nuk do të mjaftonin për të plotësuar boshllëqet që la pandemia në arsim.

 

*Foto kryesore marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img