BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookParaziti që “bëri namin”, por vetëm me klikime

Paraziti që “bëri namin”, por vetëm me klikime

Një lajm me titullin sensacional për shmangien e ushqimit që dëmton trurin, i publikuar nga portali News225media.com, rezulton të jetë dizinformues për audiencën. Faktoje gjatë verifikimit, ka identifikuar disa elementë të lajmit që çorientojnë audiencën duke krijuar perceptim të gabuar, përmes servirjes së fakteve të shtrembëruara.

 

Nevila Gjata

Evolucioni njerëzor dhe infeksionet parazitare kanë ecur paralelisht dhe falë studimeve të gjenomit njerëzor po mësojmë dita ditës mbi marrëdhënien mes tyre.

Sot studimet nuk kanë provuar një mënyrë të besueshme për të vlerësuar se sa baktere dhe viruse parazitare ekzistojnë.

Por dita ditës studimet japin parashikime se si ato gjallojnë në shëndetin dhe bollëkun e një numri të madh speciesh që jetojnë të lirë, si dhe efekteve që kanë tek njerëzit.

Ndaj dhe interesi ndaj tyre nuk është i vogël. Portali News225media.com trajton në një artikull të saj, raportimin mbi një parazit që merret nga disa kafshë dhe ndikimin që mund të ketë tek shëndeti i njeriut.

Që në titull media i referohet ekspertëve se si një produkt ushqimor (që nuk identifikohet në titull) po shkakton probleme në tru duke sugjeruar të mos konsumohet.

Në brendësi, shkrimi (i botuar rreth katër muaj më parë me gabime drejtshkrimore) i referohet një përkthimi (po ashtu me gabime në disa paragrafë dhe renditje) të CNN, sektori i shëndetësisë.

 

(screenshot i lajmit të CNN ku eshte referuar artikulli)

Edhe pse shkrimi trajtohet si aktual, nga një verifikim rezulton se CNN e ka botuar atë në janar të vitit 2015.

Në rreshtat e artikullit origjinal të CNN (që citon studiuesit) nuk sugjerohet që produkti ushqimor (në këtë rast mishi i derrit) të mos konsumohet, por këshillohet se duhet pjekur mirë dhe jep efektet se si një parazit që mund të zhvillohet tek disa lloje derrash mund të ndikojë tek njerëzit nëse konsumohet i pagatuar.

Pasojat janë disa si: dëmtimi i indeve, verbëria, konvulsionet, dhimbje koke, epilepsi, kriza në këmbë, lodhje, paraliza deri edhe vdekja.

CNN i referohej një rasti të zbuluar tek një burrë britanik (i trajtuar fillimisht për një tjetër sëmundje) në trurin e të cilit ishte vënë re të lëvizte një parazit apo krimb, këtu e 9 vjet më parë.

Pacienti, me origjinë kineze, kishte vizituar së fundmi Kinën, e cila së bashku me Korenë e Jugut, Japoninë dhe Tajlandën, kishte shfaqje më të rregullta të parazitit të njohur si Spirometra erinaceieuropaei.

Ndërhyrja për nxjerrjen e parazitit ishte kryer në rrugë kirurgjikale.

Gjenetisti Hayley Bennett nga Instituti Wellcome Trust Sanger, në Kembrixh, ka studiuar gjerësisht mbi këtë krimb dhe trajtimi kundër tij duket se po gjendet përmes kombinimit të disa ilaçeve dhe jo një ilaçi të ri.

 

 

(screenshot i studimit të Gjenetistit Hayley Bennett për parazitin)

Infeksioni, në disa raste me pasoja të rënda raportohet të jetë i rrallë ndaj dhe gjetja e një ilaçi konkret nuk është parë fitimprurës.

Por a gjendet ky parazit tek të gjithë llojet e derrave? (sa kohë që artikulli që në titull sugjeron se nuk duhet konsumuar)

Paraziti shfaqet tek disa derra dhe mund të infektojë njerëzit në dy forma; përmes konsumimit të mishit të papërpunuar të derrit dhe kontaktit me feçet e kafshës.

Ku shfaqet kryesisht paraziti? Shumica e rasteve me të tillë parazitë ndodhin në Azinë Lindore dhe Juglindore, Filipine, Amerikën Latine apo “xhepa” të Amerikës së Veriut.

Kina ka numrin më të madh të rasteve në botë që nga viti 1999, me një total prej rreth 1000 rastesh të raportuara në 27 nga 34 provinca, rajone autonome ose rrethe komunale.

 

Sa raste ka në Evropë?

Spirometra erinaceieuropaei është e kufizuar (por në rritje) në Evropë, (kryesisht në lindje) thonë studimet e fundit ku është referuar Faktoje.al

Raste të izoluara raportohet se ka pasur se fundmi në Letoni.

Nga një kërkim i Faktoje.al nuk rezulton të kemi ndonjë rast të konfirmuar zyrtarisht me këtë parazit në Shqipëri.

A shfaqet paraziti vetëm tek mishi i derrit?

Edhe në artikullin e News225media.com thuhet se ai shfaqet në zorrët e maceve dhe qenve, por ndërsa këto kafshë derdhin vezët e krimbave në feçet e tyre, vezët mund të hyjnë dhe të kontaminojnë edhe ujin nëse bien në kontakt.

Larvat mund të qëndrojnë në ujë brenda disa krustaceve të vegjël ose të përfundojnë në bretkosa dhe gjarpërinj. Si larva ato mund të pushtojnë njerëzit përmes gëlltitjes, duke notuar, ose kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara.

Kjo do të thotë se marrja e këtij paraziti mund të ndodhë edhe në rrugë të tjera.

Titulli i shkrimit të News225.com rezulton të jetë dizinformues dhe nuk korrespondon me atë që kanë sugjeuar vetë ekspertët për CNN (të cilit i referohet artikulli), apo studimeve të fundit mbi këtë parazit i risjellë për botim për qëllime klikimi (mbi 15 mijë ka marrë artikulli).

Mjekët higjienistë, studimet e fundit, por edhe OBSH sugjeron për këtë parazit sa më shumë vigjilencë ndaj ushqimit, që do të thotë të konsumohen ushqime të gatuara mirë, inspektim i lartë i ushqimit, ndërgjegjësim i turistëve kur vizitojnë rajone të caktuara, dhe siç sugjeron ngaherë OBSH; higjienë maksimale.

*Ky artikull publikohet në kuadër të bashkëpunimit me Facebook, kundër dizinformimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img