BallinaFaktometerE vërtetëA u pakësuan shpenzimet e qeverisë për arsimin këtë vit?

A u pakësuan shpenzimet e qeverisë për arsimin këtë vit?

Shpenzimet për arsimin u reduktuan me 3.6% nga qeveria, ku vihet re se shkurtimet më të mëdha u bënë në Arsimin Universitar. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se ka pasur reduktim në disa zëra të sistemit arsimor, si një prej strukturave më të rëndësishme në vend. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka premtuar një sërë investimesh në arsim gjatë këtij viti, si në laboratorë apo rritje pagash për mësuesit.

————————————————————-

“Qeveria ka shkurtuar me 16 miliardë lekë (131 milionë euro) fondet për institucionet dhe programet e shpenzimeve publike.

Në mënyrë të veçantë, në sektorin e arsimit: Shkurtimet përfshinë Ministrinë e Arsimit, me mbi 1,6 miliardë lekë (13 mln euro) ose 3.6% e parashikimit në buxhetin fillestar.

Shpenzimet për Arsimin Universitar pësuan shkurtimin më të madh me mbi 5.5%, ose 600 milionë lekë. Fondet për arsimin bazë u reduktuan me 3% ose 756 milionë lekë dhe fondet për arsimin e mesëm u shkurtuan 3% ose 278 milionë lekë”- shkroi në një postim në Facebook deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho në mars të këtij viti.

Screenshot postimi i Erisa Xhixho në Facebook, 23 mars 2022

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të parë si kanë ndryshuar shpenzimet për sektorin e arsimit. Sipas të dhënave, akti normativ me të cilin qeveria ndryshoi buxhetin e vitit 2022 shkurtoi fondet për arsimin.

Nga përpunimi i të dhënave rezulton se shpenzimet për arsimin u reduktuan me 1,678,826 milionë lekë ose 3.69% më pak.

Për sa i përket arsimit parashkollor, fondet u shkurtuan me 756,365 milionë lekë ose 3.04%.

Në lidhje me shpenzimet për Arsimin Universitar, ato rezultojnë të jenë reduktuar me 600,000 lekë ose 5.55%.

Sipas të dhënave, shkurtim të fondeve ka edhe në fusha të tjera të arsimit si: fondet për shkencën, zhvillimin e sportit dhe rinisë apo edhe planfikimin, menaxhimin dhe administrimin.

Tabela e përgatitur nga Faktoje, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave

Më 15 nëntor të vitit 2021, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi në fjalën e mbajtur gjatë seancës plenare se buxheti 2022 për arsimin është 15% më I lartë se viti pararendës.

“Pas dy fatkeqësive të mëdha natyrore të rrisim buxhetin për sektorin e arsimit me 15% në raport me vitin 2021, ose 8.3 miliardë lekë më shumë që përfaqëson 3.6% e produktit të brendshëm bruto”, u shpreh Kushi.

Më tej ajo shtoi se një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për rritjen e pagave për mësuesit, por edhe për investimet në laboratorë modernë për shkollat, apo edhe për rritjen me 50 % të buxhetit të transportit për nxënësit dhe mësuesit.

“Për t’iu përgjigjur nevojës për laboratorë më moderne buxheti parashikon 400 milionë lekë për të furnizuar 100 shkolla me laboratorë didaktikë bashkëkohorë për lëndët fizikë, biologji dhe kimi dhe 570 milionë lekë për fuqizimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në arsim. Lajmi tjetër i rëndësishëm lidhet me rritjen prej 50 % të buxhetit të transportit 35 mijë nxënës që kanë vendbanimin 20 km nga shkolla dhe për 12 mijë mësues, që punojnë 5 km larg nga vendbanimi”, janë disa investimet e parashikuara për arsimin sipas ministres Kushi.

Në një artikull që mban datën 9 tetor 2021, Monitor raportonte se qeveria kishte shkurtuar me 12 mln euro buxhetin e arsimit edhe gjatë atij viti.

Nga ana tjetër, ekspertët thonë se financimet e ulëta në arsim frenojnë jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe zhvillimin social të vendit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img