BallinaFaktometerE PavërtetëShqipëria portë hyrëse e investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor?

Shqipëria portë hyrëse e investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor?

Në kohën e pandemisë dhe krizave që ajo sjell si pasojë, është e vështirë të flasësh për suksese ekonomike. Megjithatë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, në një deklaratë të pak ditëve më parë e konsideroi Shqipërinë si porta hyrëse e investimeve për rajonin. “Faktoje” verifikoi këtë deklaratë, duke marrë si referencë shifrat zyrtare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe klimën e investimeve në vendin tonë.

—————————————————————————————————————————————–

Shqipëria mbetet edhe sot, porta hyrëse e investimeve në Ballkanin Perëndimor”. Kjo ishte deklarata e ministres së Financave dhe Ekonimisë, Anila Denaj në 26 qershor, postuar në profilin e saj në rrjetet sociale.

Kjo deklaratë u bë pas përurimit të Fabrikës së prodhimit të pjesëve automotive të Kompanisë Yura Corporation Albania – një investim prej rreth 1 miliard lekësh.

Por a është Shqipëria portë hyrëse e investimeve të huaja?

 Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Shqipëria nuk është në vendin e parë për investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor.

Në vend të parë, në fakt është Serbia e ndjekur nga Shqipëria dhe Bosnje e Herzegovina.

Në vlerë monetare, Serbia ka katërfishin e investimeve të huaja direkte të Shqipërisë.

Vlerat janë në 000 dollarë

Ndër të tjera, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit 2020 investimet e huaja kanë shënuar një rënie me 20% kundrejt një viti më parë.

Si shifër, investimet e huaja direkte për tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë 227 milionë euro.

Klimë e përkeqësuar e të bërit biznes

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri prezantoi dje (29 qershor) Edicionin e 8-të të Indeksit të Biznesit për vitin 2010-2020.

Indexi i Biznesit i Dhomës Amerikane për vitin 2019 ka zbritur në 38 pikë nga 100 të mundshme, duke reflektuar një rënie prej 4.98 nga një vit më parë.

Gjetjet e Indexit u bënë publike nga Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço. Gjatë prezantimit të rezultatit të sondazhit, Jaço bëri të ditur se 66% e anëtarëve të Dhomës Amerikane e perceptojnë klimën e biznesit në Shqipëri në vitin 2019 si të pafavorshme ose shumë të pafavorshme, 7% e anëtarëve e konsideruan atë si pozitive dhe 26% neutrale.

Nisur nga shqetësimi për klimën e biznesit, Jaço tha:

Rezultatet e Index-it të 2019 nuk janë të mira. Kjo duhet të na vendosë të gjithëve në një situatë urgjence për ta përmirësuar situatën. Në radhë të parë sektori privat dhe administrata publike, forcat politike dhe partnerët ndërkombëtarë për të krijuar së bashku një ambient transparent biznesi, me rregulla të qarta tregu që e bën Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse për Investime në Ballkan” -u shpreh Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim gjatë fjalës së saj e konsideroi rezultatin e ulët të Indexit, pasojë të klimës së brendshme politike, e cila siç tha ajo, bëhet frenuese për investitorët e huaj.

Është një fakt që kriza politike është një nga problemet themelore dhe njerëzit tashmë janë të lodhur nga kjo. Ata duan t’i shikojnë liderët politikë të punojnë se bashku për të ardhmen e  tyre.  Ne duam lëvizje të drejtë që godet korrupsionin dhe që krijon një ambjent më të mirë për të ardhmen e fëmijeve.  Une ju sfidoj të gjithë ju këtu që të përdorni sot këtë  raport për të parë çfarë duhet të rregullohet dhe cfarë duhet të ndryshohet për të ecur përprara” –tha ndër të tjera Ambasadorja, Yuri Kim.

 LEXO EDHE: https://faktoje.al/klime-e-favorshme-apo-zhgenjyese-per-investimet-e-huaja/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img