BallinaPertejNisja e transportit ndërqytetas teston fuqitë për mbijetesë të operatorëve

Nisja e transportit ndërqytetas teston fuqitë për mbijetesë të operatorëve

ANXHELA RUÇI

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pak ditë më parë njoftoi rifillimin e transportit publik, vendim që nuk u zbatua nga të gjithë përfaqësuesit e këtij sektori. Disa prej linjave të transportit ndërqytetas rifilluan aktivitetin e ndërprerë që prej 12 marsit nga situata e krijuar nga COVID-19. Po si është rikthimi pas 3 muajsh paralizimi të aktivitetit?


“Faktoje” bëri një vëzhgim në Terminalin e Transportit ndërqytetas Jug-Durrës dhe Veri dhe në Terminalin e Autobusëve Juglindje, 5 ditë pas rifilimit të aktivitetit. Ajo që vërehet është numri i ulët i pasagjerëve, fakt që u konfirmua edhe nga disa prej shoferëve të linjave ndërqytetase.

Furgoni që në mesditë do të udhëtonte drejt Klosit, 30 minuta përpara nisjes kishte vetëm një pasagjer, ndërsa në rrugën e mëngjesit kishte ardhur me 6 udhëtarë, me biletën e të cilëve nuk mbulohej as karburanti i makinës me kosto 4500 lekë. Avdiu, shoferi i kësaj linje tha për “ Faktoje” se ditën e parë të rikthimit në punë doli me minus 3500 lekë, ditën e dytë me 500 lekë fitim, ndërsa ditën e tretë nuk u nis nga stacioni pasi nuk kishte udhëtarë.

Pothuajse e njëjta situatë është edhe për linjën e Lezhës, ku mesditën e së hënës autobusi 50 vendësh do të nisej drej qytetit verior pa pasagjerë. Qëkur rinisi aktiviteti, autobusi ka udhëtuar me një numër shumë të ulët udhëtarësh, me një mesatare prej 5 personash në ditë. Shoferi i kësaj linje tha se s’ka rrugë tjetër, i duhet të dalë në punë, pavarësisht se s’ka pasagjerë.

Linja e qytetit jugor të Gjirokastrës në orarin e mëngjesit ishte nisur pa asnjë pasagjer, me shpresën se në kthim nga Tirana në Gjirokastër do të kishte udhëtarë. Po duket se edhe në kthim numri i tyre ishte i kufizuar, pasi në minibusin 30 vendësh udhëtuan vetëm 3 pasagjerë, në një kohë kur kostoja e karburantit për linjën e qytetit të gurtë është rreth 15000 lekë.

I njëjti fenomen vërehet edhe në linjat e terminalit të autobusëve të juglindjes, ku shoferi i linjës së Prenjasit tha se dita më e mirë që nga rikthimi në punë ishte ajo kur ka transportuar 10 veta në një rrugë vajtje-ardhje.

Të gjithë shoferët e linjave ndërqytetase pranuan se kanë respektuar masat  për dezinfektimin e autobusëve, të cilat kushtojnë sipas tyre të paktën 3500 lekë bashkë me pajisjet higjenizuese për mjetet e tyre. Pasagjerët nuk lejohen të udhëtojnë në autobus pa maskë, ndërsa për ruajtjen e distancës deri tani nuk ka pasur probleme, pasi numri i ulët i tyre e garanton këtë kriter. Por shqetësimit për numrin e ulët të ‘klientëve’ i shtohet edhe tregu informal, ku automjete të vogla dhe të palicensuara iu marrin edhe ata pak pasagjerë që lëvizin.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe në një intervistë lajmëroi se do të jepet edhe një pagë e dytë për punonjësit e këtij sektori me një vlerë totale 2.4 milionë euro. Në transportin publik ndërytetas janë gjithësej 450 linja që operojnë nga jugu në veri, me një numër ditor prej 150 mijë udhëtarësh.

Ndërkohë transporti qytetas paraqitet edhe më problematik, pasi një pjesë e linjave refuzon të nisë aktivitetin. Për këtë arsye këtë të hënë kryetari i Bashkisë Tiranë ku në ditë të zakonshme qarkullojnë mbi 200 mijë pasagjerë, paralajmëroi shoqëritë e transportit qytetas se nëse nuk fillojnë aktivitetin, kjo bashki do të anulojë licensat e aktivitetit për t’ua dhënë kompanive të tjera, që pranojnë të rinisin punën me rregullat aktuale të tregut.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img