BallinaFaktometerE PavërtetëShpenzimet e Ramës për udhëtime nuk kanë ç’iu duhen qytetarëve, sipas Kryeministrisë

Shpenzimet e Ramës për udhëtime nuk kanë ç’iu duhen qytetarëve, sipas Kryeministrisë

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar të paktën një herë në muaj me charter në këto 9 vite në detyrë. Pas akuzave për shpenzime marramendëse, vetë Rama u ‘mbrojt’ duke u krahasuar me ish-kryeministrin Berisha, të cilin e akuzoi se ka shpenzuar akoma më shumë kur ishte në të njëjtën karrige. Kur Faktoje kërkoi informacion zyrtar për të vërtetuar këtë pretendim, Kryeministria u justifikua se nuk ka të drejtë t’i tregojë qytetarëve shpenzimet e kryeministrit në udhëtime jashtë vendit. Edhe pse faturat paguhen nga buxheti i shtetit, Kryeministria argumenton se ato janë lëshuar nga shoqëria private Air Albania, e cila nuk është subjekt i ligjit për të drejtën e informimit. Eksperti ligjor jep argumentat përse ky pretendim i Kryeministrisë është i pavërtetë.

Jona Plumbi

Kostoja e udhëtimeve të zyrtarëve publikë në Shqipëri shkakton zhurmë periodikisht, sa herë në media është publikuar ndonjë faturë që nuk përputhet aspak me realitetin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Ky ishte rasti i zbulimit të faturës së hotelit në Romë të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, që i kushtoi shqiptarëve 700 Euro për një natë.

Edhe pse shpenzimet e titullarëve të institucioneve shtetërore paguhen nga buxheti i shtetit, e për rrjedhojë janë në interes të publikut i cili paguan për to – në Shqipëri është e pamundur të arrihet transparencë lidhur me këto shpenzime.

Kryeministria është një nga institucionet që ka refuzuar të japë faturat e kërkuara nga Faktoje përmes kërkesës për informacion, që në vitin 2019, çështje e cila po gjykohet në Apelin e Gjykatës Adinistrative.

Informacioni “i rrjedhur”

U “desh” një sulm kibernetik, që media shqiptare të merrte informacion mbi numrin dhe mënyrën e udhëtimit të kryeministrit Rama, gjatë vizitave të punës jashtë vendit. Rezultati?

Të paktën një herë në muaj, gjatë 9 vjet që Rama ka qenë kryeministër, ai ka udhëtuar me charter. Kjo do të thotë se ai ka përdorur një avion për një udhëtim specifik, që nuk është pjesë e itinerareve dhe destinacioneve të rregullta të një linje ajrore.

Juristi Dardan Mustafaj shpjegon për Faktoje nga pikëpamja juridike, se në fakt është praktikë standarde në të gjitha vendet e zhvilluara me demokraci të konsoliduar që shpenzimet publike dhe mënyra e përdorimit të fondeve publike përbën “çështje të interest publik”. Kjo pasi analiza e këtyre shpenzimeve, i ofron qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese mundësinë të gjejnë raste të konfliktit të interesit.

Zyrtari mund të përfitojë udhëtime për çështje private të financuara nga buxheti i shtetit, apo nëse udhëtimet e tij kanë qenë nën kosto, nevojitet hetimi i arsyeve që çuan një shoqëri private – që ka për objektiv maksimizimin e fitimit – në shitjen nën kosto të produkteve të saj për një zyrtar, si dhe përfitimeve të tjera që mund të jenë dhënë në këmbim.” – thekson Mustafaj.

Retorika publike

Ky informacion u përdor nga opozita, e cila akuzoi Ramën se ka bërë më shumë udhëtime charter se ish-presidenti amerikan George Bush.

Kaq mjaftoi për kryeministrin, i cili nisi një retorikë publike, ku akuzonte ish-kryeministrin Berisha se në kohën kur ishte në pushtet ka shpenzuar 4 herë më shumë se vetë Rama për udhëtime jashtë vendit.

27 Tetor Rama tha se i ka dhënë të plota faktet se pse dhe si konkretisht bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të gjithëhershëm të qeverisë. Në të vërtetë, në asnjë moment kryeministri nuk ka bërë transparencë, aq më pak të plotë, për shpenzimet e tij në udhëtimet jashtë vendit.

Reflektim matematikor

I vetmi informacion që Rama ofron, është një shifër të cilën e quan “shpenzim mesatar vjetor”. Nga pikëpamja matematikore, shpenzimi mesatar vjetor përllogaritet duke mbledhur shpenzimet e të gjitha viteve, pjesëtuar me numrin e viteve kur janë bërë këto shpenzime.

Për ta kuptuar më qartë marrim një shembull hipotetik.

Nëse gjatë katër viteve, kryeministri ka bërë këto shpenzime: 2019 – 10 lekë; 2020 – 12 lekë; 2021 – 20 lekë; 2022 – 22 lekë, përllogaritja e shpenzimit mesatar vjetor” bëhet kështu:

Pas kësaj llogarie, mund të thuhet se shpenzimi mesatar vjetor është 16 lekë. Ky shpenzim mesatar vjetor është i njëjtë për të gjithë vitet. Por në llogaritë e tij kryeministri jep shifra të ndryshme të mesatares vjetore për vitin 2020 dhe vitin 2022.

Nga pikpamja matematikore, të ofrosh dy shifra të ndryshme për “shpenzim mesatar vjetor” e aq më pak ta shoqërosh me një vit specifik, si ndodh në dy publikimet e kryeministrit, është nonsens logjik.

Përgjigjja ‘pa përgjjigje’ e Kryeministrisë

Nisur nga këto publikime krahasimore të shpenzimeve të kryeministrave Rama dhe Berisha, Faktoje iu drejtua Kryeministrisë me një kërkesë për informacion lidhur me shpenzimet e të dy kryeministrave, gjatë viteve përkatëse që kanë qenë në krye të Këshillit të Ministrave.

Përgjigjja e ardhur nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, pranë Kryeministrisë, është në fakt një manifestim i mentalitetit të cunguar të të bërit transparencë në vend. Sipas Kryeministrisë, më shumë rëndësi ka ruajtja e “privatësisë” së kompanisë që ofron shërbimin, sesa shqiptarët të dijnë se sa paguajnë për çdo udhëtim të kryeministrit.

Faturat tatimore lëshohen nga një shoqëri tregtare si “Air Albania” e cila nuk është autoritet publik dhe nuk është subjekt i ligjit për të drejtën e informimit, ndaj në respekt të marrëdhënieve kontraktore tregtare, që janë të natyrës private dhe pa efekt mbi individë […], Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk është e përligjur të komunikojë elementë materialë të kësaj natyre.” – thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.

Pra, sipas Kryeministrisë, kostoja e udhëtimeve të kryeministrit Rama, paguar nga buxheti i shtetit, është “e natyrës private dhe pa efekt mbi qytetarët”. Sa i përket shpenzimeve të kryeministrit kur këtë post e zinte Sali Berisha, përgjigjja e Kryeministrisë nuk dha asnjë informacion.

Për juristin Dardan Mustafaj, informacioni mbi shpenzimet e kryeministrit në udhëtimet jashtë vendit, bie përgjithsësisht në fushën e të drejtës së informimit dhe duhet të bëhet publik.

Reflektim ligjor

Tri janë arsyet që Mustafaj liston si fakte që vërtetojnë se informacioni i kërkuar është në interes publik dhe për rrjedhojë është detyrim i Kryeministrisë ta ofrojë atë.

E para, në legjislacionin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar të ratifikuar nga vendi ynë, përcaktohet qartë koncepti i “dokumentit zyrtar” apo “informacionit publik”. Kështu Mustafaj na kujton se në Konventën e Këshillit të Europës, termi “dokument zyrtar” lidhur me aksesimin e dokumentave nënkupton çdo informacion të regjistruar në çdo lloj forme, i hartuar apo që është marrë dhe mbahet nga autoritetet publike. – neni 1b.

Kjo përforcohet në ligjin shqiptar për të drejtën e informimit ku “informacioni publik” përkufizohet si çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik.  Në rastin konkret, thekson Mustafaj “fakti që ato [pagesat] i bëhen një shoqërie private apo subjekti publik nuk është element që përjashton zbatimin e ligjit të mësipërm.

E dyta,kërkesa për informacion i është dërguar një autoriteti publik, i cili nuk mund të mohojë se zotëron informacionin, pasi është institucioni për llogari të të cilit kryhen udhëtimet, pra ai që porosit biletat dhe bën pagesat përkatëse”, thekson juristi Dardan Mustafaj.

E treta, edhe nëse informacioni i kërkuar është klasifikuar si “sekret”, Kryeministria ka për detyrë të njoftojë këtë fakt, si arsyen përse nuk ofron informacionin e kërkuar. Edhe në këtë rast, shpjegon Mustafaj, “Institucioni nuk mund t’i shmanget detyrimit për të dhënë një informacion të përgjithshëm si për shembull një vlerë totale për shpenzimet, numrin total të fluturimeve, numrin e personave që kanë fluturar etj… ose informacione të anonimizuara (pjesërisht të fshira) në rast se nuk krijojnë një kosto/barrë tepër të lartë administrative.”

Sa i përket marrëveshjes tregtare, përmes të cilës Kryeministria merr shërbimin e fluturimeve nga Air Albania, Faktoje shqyrtoi kontratën me qëllim identifikimin e nenit ku përcaktohet mbajtja sekret e kostove të shërbimit. Në asnjë nen të kësaj kontrate të lidhur mes kompanisë Air Albania dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (kupto: Kryeministrisë, kupto: Shtetit shqiptar), nuk thuhet që faturat të jenë sekret tregtar.

Gjithashtu, marrëveshja tregtare e Kryeministrisë me “Air Albania” ka nisur në 30 Janar 2020, pra nuk mbulon të gjitha udhëtimet e kryeministrit në 9 vjet. Po në 7 vitet paraardhëse si është vepruar për udhëtimet e kryeministrit?

Kaq pranë dhe përsëri larg standardit

Është detyrë e secilit në vend e sidomos e personave të zgjedhur si dhe shërbyesve civilë që të ruajnë kuletën e shtetit, ata duhet të jenë model për të gjithë qytetarët” – tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference, i pyetur mbi shpenzimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nisur nga kjo deklaratë dhe kontekstit të njëjtë me rastin e Shqipëisë, Faktoje vendosi të kërkojë informacion pranë Kryeministrisë së Kosovës, për shpenzimet e kryeministrit Alib Kurti në udhëtimet e tij jashtë vendit, përgjatë vitit 2022. Përgjigjja e Kryeministrisë së Kosovës erdhi vetëm dy ditë pas marrjes së kërkesës.

E ndërsa qytetarët e Shqipërisë mund të përllogarisin se taksapaguesit në Kosovë kanë shpenzuar 31,757 euro gjatë vitit 2022 si shpenzime të udhëtimeve të kryeministrit Kurti, të njëjtën gjë e kanë të pamundur për kryeministrin e tyre, Edi Rama pasi ky i fundit refuzon të japë informacion mbi paratë e shpenzuara për udhëtimet e tij jashtë vendit.

*Komentin e plotë të juristit Dardan Mustafaj mbi ligjin për të drejtën e informimit e gjeni këtu.

 

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img