BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitShkodër, pandemia shkaktoi një kontigjent tjetër të varfërish që nuk u ndihmua

Shkodër, pandemia shkaktoi një kontigjent tjetër të varfërish që nuk u ndihmua

ANILA DUSHI

Pandemia e COVID-19 shtoi vështirësitë për mbijetesë edhe në Shkodër, sidomos tek familjet e varfëra. Bashkia thotë se ka ndihmuar me pako ushqimore, detergjentë dhe para’, përveç kategorive në nevojë, edhe familjet që kishin aplikuar për këtë status e që ishin lënë jashtë skemës. Kontigjenti i mbetur pa ndihma rezulton të jetë ai që për shkak të pandemisë humbi punën (informale) dhe preku fundin, nga rënia e menjëhershme e të ardhurave. Ky komunitet mbeti në hije dhe i papërfshirë as në ndihmat më bazike me ushqime dhe sende higjieno-sanitare të Bashkisë.


Mark Lisani, banor i rajonit nr. 5 në qytetin e Shkodrës është përballur me vështirësi të mëdha mbijetese gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, pas aktit normativ që shpalli qeveria. ( datë 15.3.2020 )

“Jemi 6 vetë në familje. Jam i papunë dhe jetoj pas shinave të trenit. Kam një celular të thjeshtë që e përdor për komunikim pasi çdo ditë dal tek sheshi “Isa Boletini” dhe rri aty me shpresën se dikush më kërkon për punë. Por gjatë izolimit nuk kam dalë pasi askush nuk kishte nevojë për punë të ndryshme në oraret e lejuara. Nuk kam profesion, kam ardhur nga Shoshi në qytet, 4 vite më parë dhe punoj çfarëdo që më ofrohet. Kur kam dalë pas heqjes së kufizimit në lëvizje kam mësuar se ishin ndarë ushqime për familjet në nevojë.”

Ne u interesuam se si u bë përzgjedhja e familjeve që kishin nevoja të ngutshme për ushqime dhe ndihma higjieno-sanitare. Burime zyrtare nga Bashkia Shkodër, dhanë këtë sqarim për “Faktoje”:

“Nga data 11.03.2020 deri 30.06.2020, janë mbështetur me pako ushqimore dhe higjienike 4,962 famije në të gjithë territorin e Bashkisë, sipas prioriteteve. Nga këto, 3520 familje janë në qytet dhe pjesa tjetër në njësitë administrative të kësaj bashkie. Numri i njerëzve të identifikuar në rang bashkie si persona në nevojë për mbështetje ka qenë rreth 6,200 persona.

Bashkia Shkodër

Nisur nga kufizimet e aktiviteteve, si masë për mospërhapjen e epidemisë COVID-19, mbështetja me pako ushqimore dhe higjienike ka filluar më datë 17.03.2020, me familjet më në nevojë, në komunitetin Rom në vendqëndrimet e tyre: pranë prokurorisë, Tophanë, Buzë Drinit, Zalli i Kirit dhe Beltojë. Kjo bazuar në vendimin e marrë, sipas urdhërit nr. 257 datë 25.03.2020 “Për ngritjen e grupeve të punës, pjesë e komisioneve të mbrojtjes civile për dërgimin e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, te shtresat në nevojë në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga Covid-19”.

Edhe nga përgjigjja e bashkisë, kuptohet se praktikisht nuk janë identifikuar individët apo familjet që mbaheshin me të ardhura nga puna në të zezë dhe që mbetën të papunë sapo nisi izolimi. Ata u gjendën papritur të përjashtuar nga çdo skemë ndihme, qoftë edhe me pako ushqimore apo higjienike, që ishin jetike sidomos gjatë asaj situate. Ne pyetëm qytetarë në Shkodër, në vështirësi ekonomike, një pjesë e të cilëve nuk kanë marrë ndihma, ndërsa ata që i kanë marrë thonë se ishin të pamjaftueshme.

Alban Veliaj, banor i lagjes “Tre heronjtë” thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë ushqimore, edhe pse nga pandemia humbi punën.

“Kam aplikuar për pagën e luftës, por nuk ma dhanë. Kur u rihap lokali ku punoja rifillova punën, por pas një muaji pronari më tha se duhet të largohesha, pasi do shkurtonte personelin”-thotë Veliaj.

Ardjan Guri jeton bashkë me gruan në një banesë me qira. Ai thotë se nga bashkia ka marrë vetëm një herë pako ushqimore gjatë pandemisë, 1 kg sheqer, dy pako makarona, 2 kg miell dhe 1 litër vaj. Ardjani është punëtor informal në ndërtim, ndërsa e shoqja, e papunë.

Luljeta Progni ka punuar si pastruese në disa shtëpi, por gjatë periudhës së pandemisë mbeti e papunë.

“Kam burrin e sëmurë që nuk punon dot dhe katër fëmijë të vegjël. Jetojmë me pensionin e vjehrrës,12 mijë lekë në muaj. Nuk kam marrë ndihmë ushqimore pasi nuk kam ditur ku duhet të kërkohet. Gjatë izolimit më kanë ndihmuar dy herë me ushqime, persona të ndryshëm.”-tregon Luljeta.

Lorenc Koçi thotë se pandemia e la pa punë dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka marrë asnjë ndihmë.

“Kam gruan dhe një fëmijë të porsalindur, jetoj me qira. Kam punuar punë të ndryshme. Gjatë pandemisë nuk punoja, mblidhja kanaçe, por dhe ato u pakësuan, sepse nuk punonin lokalet.”-thotë Lorenci.

Bashkia Shkodër përmes Vendimit Nr. 87, me Nr. 5073/3 Prot., dt.25.03.2020, ka miratuar rishpërndarje të fondit nga zërat e shpenzimeve korente, brenda programit “Mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja civile” për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Kështu, fondi prej 4,915,000 lekë është përdorur për blerjen e produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore për shtresat në nevojë sipas referencës përkatëse në Vendimin Nr. 2 (të lartpërmendur), i cili në shtojcën 1 të tij përcakton edhe masën minimale të produkteve për një periudhë dy-javore. Ky fond ka mbuluar pakot për 839 familje në nevojë.

Drejtorja e Shërbimit Social në Shkodër, Valbona Tula thotë se për muajin korrik, në Bashkinë Shkodër janë 4655 familje që kanë përfituar ndihmë ekonomike si dhe 489 familje të tjera që me vendim të Këshillit Bashkiak përfitojnë nga fondi 6% i të ardhurave të bashkisë.

“Gjatë muajve të pandemisë, pagesa për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike ka qenë e dyfishuar, me vendim qeverie. Në mars-qershor, kanë përfituar nga 16 mijë lekë të reja edhe ato familje që më parë nuk kanë marrë ndihmë ekonomike, pasi nuk përmbushnin kriteret ligjore, por që kishin aplikuar. Gjatë 3 muajve të izolimit aplikimet për ndihmë ekonomike kanë qenë të shumta. Pas daljes nga izolimi, janë bërë verifikimet dhe ka rezultuar se shumë kanë gënjyer, megjithatë për tre muajt e pandemisë ato e kanë marrë ndihmën ekonomike”- thotë Valbona Tula.

Ndërkohë, sipas Bashkisë Shkodër, mbetet një tjetër fond i alokuar me të njëjtën bazë ligjore dhe për të njëjtin qëllim, me vlerë 5,219,312 lekë.

Por vështirë që “kontigjenti” i ri i të varfërve nga pandemia, që vazhdon të rritet në numër, të përfitojë prej tij.

Fatjon Koca thotë se kishte shpresë të punonte në Velipojë gjatë verës.

“Fillova punë atje si kamerier, por pas dy javësh pronari e shkurtoi personelin pasi ishte pakësuar ndjeshëm numri i klientëve, muzika u ndalua dhe u vendosën më pak tavolina se zakonisht, pasi duhet ruajtur distanca. Edhe në qytet ku kam punuar para pandemisë tek një lokal nate, puna u ndërpre dhe pasi rifilloi, u ndalua muzika, kështu mbeta i papunë. Më ndihmon kush të mundet. Jetoj me babanë që ka një pension të vogël fshati dhe dy motra që janë në shkollë. Punoj vetëm unë.”-tregon Fatjoni.

Lidhur me ankesat e qytetarëve që nuk kanë marrë ndihma ushqimore Bashkia Shkodër përmes Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun sqaron:

“Një grup i posaçëm, brenda strukturës së Bashkisë Shkodër, është ngritur për verifikimin e familjeve më në nevojë, përgatitjen e planit për shpërndarjen sipas prioriteteve dhe menaxhimin e kontakteve me donatorë të organizatave /shoqatave dhe fondacioneve të ndryshme, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim”.

Numri i të papunëve në qytetin e Shkodrës, të regjistruar si punëkërkues, sipas të dhënave të Zyrës Rajonale të Punësimit, aktualisht, i kalon 6000 personat.

Rritja e varfërisë në Shkodër vihet re edhe tek rënia e fuqisë blerëse. Shumë tregtarë, përfshirë dhe ato që shesin produkte të konsumit të përditshëm si fruta, perime, etj, ankohen se njerëzit blejnë shumë më pak për shkak të pasigurisë për të ardhmen që ka shkaktuar mes të tjerash pandemia e Covid-19.

Atrida Ferketi, eksperte e shërbimeve sociale shprehet për “Faktoje” se të varfërit që nuk kanë përfituar ndihma gjatë izolimit dhe që përballen me vështirësi të shumta ekonomike, nuk janë të informuar për mundësitë që mund t’u ofrohen.

“Shumë prej tyre as nuk e dinë ku është bashkia apo zyra e punës. Rajonet dhe njësitë administrative kanë punonjës socialë, por ato janë të pamjaftueshëm, pasi merren kryesisht me plotësimin e dokumentacionit të familjeve që aplikojnë për ndihmë ekonomike. Tek kjo kategori vunerabël, mungon informimi dhe duhen grupe të përbashkëta të pushtetit vendor, zyrës së punësimit, qendrës së formimit profesional që të bëjnë idenifikimin në terren të këtyre personave, t’u japin informacionin e duhur dhe t’i ndihmojnë konkretisht në zbutjen e varfërisë. Kjo do mundësojë edhe në hartimin e strategjive për këtë kategori dhe bashkëpunimin me donatorë apo OJF, në mënyrë që atyre t’u ofrohet zgjidhje. Nuk është se zgjidhet problemi me një pako ndihma ushqimore. Duhen dhënë zgjidhje përmes punësimit individual dhe formimit profesional, pasi kjo kategori, në përgjithësi e ardhur nga zonat malore në qytet ose në zonat rurale fushore, është me nivel të ulët arsimor.”-thotë Ferketi.

*Foto e parë është realizuar nga Terenc Pepa

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img