BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitBiznesi turistik në Vlorë, mbijetesë me "pahir" gjatë pandemisë

Biznesi turistik në Vlorë, mbijetesë me “pahir” gjatë pandemisë

ENRIKO GABAJ

Në Vlorë disa komunitete u përballën me një realitet të vështirë, me t’u shfaqur pandemia dhe izolimi për shkak të saj. Tregtarët ambulantë, fasonët, bizneset, sidomos ato të vogla u prekën më rëndë nga pasojat e pandemisë. Drejtoria e Tatimeve thotë se në tremujorin e dytë, që përkon me situatën e Covid-19, u mbyllën vetëm 54 biznese të vogla, ndërsa Dhoma e Tregtisë raporton më shumë. Nga ana tjetër, përfaqësues të operatorëve turistikë dëshmojnë për rënie drastike të prenotimeve me pasojë tkurrjen e të ardhurave. Ky sezon po teston forcat për mbijetesë në kushte të jashtëzakonshme për turizmin.


Izolimi dhe pasojat

Bizneset e vogla dhe turizmi në Vlorë pësuan krizën më të rëndë nga pandemia.  Disa prej tyre ulën qepenat me shpalljen zyrtarisht të “hyrjes” së Covid-19 në Shqipëri dhe akteve normative që kufizuan në mënyrë drastike thuasje të gjitha aktivitetet. Qiraja e lartë detyroi pronarët të linin objektet e marra për shfrytëzim, sepse e kishin të pamundur t’i shlyenin. Dyqanet anës rrugëve kryesore dhe ato përgjatë bulevardit të Vlorës, qiratë e së cilave shkojnë mesatarisht 50-60 mijë lekë të reja në muaj ishin të “mposhturit” e parë nga pandemia.

Arben Breshani, kreu i Dhomës së Tregtisë në Vlorë tregon se 200-300 punonjës të biznesit të vogël dhe atij turistik u shkurtuan nga 10 marsi deri më 31 maj, ndërkohë që shkurtimet vijojnë edhe sot. Sipas të dhënave nga dhoma e tregtisë, 75% e protestave u ndërmorën nga të punësuarit në fasoneri, fabrika këpucësh dhe rrobaqepësi dhe 25% nga tregtarët, punonjës të transportit publik dhe atij ndërqytetas.

Protesta e punonjësve të transportit urban

Protestë e personave të punësuar në fasoneri 

Fasonët kërkonin pagën e luftës, pasi shumë prej tyre nuk e përfituan, me argumentin se bizneset ku ata punonin nuk ishin mbyllur me vendim qeverie. Edhe tregtarët ambulantë, tezgat e të cilëve u mbyllën për shkak të Covid-19, organizuan disa protesta për mbylljen e tregut, ku ushtronin aktivitetin. Më tepër se 100 tregtarë ambulantë mbetën mes katër rrugëve dhe nuk përfituan as pagën e luftës.

Me përfundimin e izolimit, shumë prej tyre nuk arritën të rinisin aktivitetin, ndërsa të tjerë po. Ata u vendosën në tregun e përkohshëm te vendi i quajtur Sahati. Tregtarët ambulantë që arritën t’i rikthehen punës flasin për një realitet të vështirë.

Protestë e tregtarëve

Arbeni, prej rreth 10 vitesh punon si shitës i fruta-perimeve, por me mbylljen e tregut të orizit është zhvendosur tek tregu i Sahatit.

Kushtet nuk janë aspak normale në tregun ku jemi vendosur, ndërsa shitjet janë minimale. Por, nuk kisha zgjidhje tjetër, pasi kjo është e vetmja punë që unë kam bërë. U detyrova të vendosem e të shes këtu, por me sa shoh nuk ka punë. Klientët e mi i kam në tregun ku isha, ndërsa këtu jam një i ri. Ka pasur ditë që e kam mbyllur me 500-600 lekë të reja.”-shprehet ai për “Faktoje”.

E njëjta gjë edhe për Diana Veizin, një ndër tregtaret më të vjetra të tregut të mbyllur industrial.

1 javë që kam në këtë treg, nuk kam shitur asgjë, as që krahasohet me vendin e vjetër të punës. Nëse vazhdon kështu gjendja, me shumë mundësi nuk vijoj më punën dhe do të qëndroj në shtëpi apo të shoh për punë diku tjetër. Kjo që ndodhi, na i prishi të gjitha ekuilibrat.”- thekson ajo.

Agroni, një ndër tregtarët që mori pjesë edhe në protestat gjatë pandemisë, u detyrua të vendosej në tregun e Sahatit, pavarësisht kundërshtive. Sipas tij, tregu “i ri” ka po të njëjtat probleme, mungesën e tualetit, ujit, higjienës dhe në krahasim me atë që u mbyll është edhe më keq.

“Në këtë treg nuk ka as tavolina për të vendosur mallin, kur më para përdornin tezga të posaçme, të paktën për të mos vendosur produktet në tokë. Fitimi? Thuajse zero, konkurrenca është e madhe, tregtarët vendas punojnë aty prej vitesh kështu që për të rinjtë është një mision i vështirë”- shpjegon ai.

Ndërkohë bizneset e vogla që u mbyllën në qytetin bregdetar të Vlorës përfituan tre paga minimale, por prapëseprapë disa prej tyre falimentuan.

Një i ri, i cili menaxhonte një bar kafe në lagjen “Kushtrimi”,  u detyrua ta mbyllte aktivitetin për shkak të Covid-19. Ai nuk arriti të riniste punë.

Biznesi im ashtu si edhe të tjerët nuk u ndihmua nga shteti, pasi të gjithë e dimë që u dha vetëm paga e luftës, e cila i shërben punonjësit, por jo drejtpërdrejt biznesit. Nëse do të jepej një paketë shtesë për ne, do tentoja ta rihapja sërish lokalin, por tani është e pamundur”- shprehet për “Faktoje” Amarildo Beqiraj.

Mbyllja e bizneseve të vogla

Disa nga bizneset të cilat shpallën falimentin ankohen se shteti nuk i ndihmoi, madje u kërkoi të paguanin taksat pavarësisht se kishin qëndruar mbyllur gjatë gjithë periudhës së karantinës.

Për mua qeveria nuk e menaxhoi siç duhet situatën, duke ndihmuar vetëm punonjësit dhe me pretendimin se shumica e bizneseve janë familjare. Por unë nuk e kisha biznesin familjar, pasi kisha lokal dhe duhej të paguaja pagën e kamerierit, banakierit, sanitares dhe rojës, pavarësisht se fitimet ishin shumë të ulëta. Tani mirë që paguam pagat dhe ata përfituan dhe pagat e luftës, por qeveria më thotë merr kredi, si ndihmë ndaj biznesit. E kush më jep mua kredi? Si mund të më besojnë mua për të më dhënë kredi, kur unë nuk kam besim te vetja se mund të ringrihem?!”- shprehet një tjetër pronar lokali, i cili nuk pranoi të identifikohet.

Për kreun e Dhomës së Tregtisë në Vlorë, Arben Breshani, dëmi që shkaktoi Covid-19 është i pallogaritshëm.

Përveç paketës financiare të ketë edhe një paketë të dytë mbështetëse, atë të likuiditetit, dhe paketa financiare mbështetëse për biznesin duhet të jetë më e madhe. Ndër të tjera frika nga një periudhë tjetër izolimi është e madhe gjë që do të rezultojë fatale. Dëshira është që të mos ketë më izolime, e sigurisht përgjatë sezonit veror, pasi kjo do të çonte drejt falimentit rreth 90% të këtyre bizneseve.”-shprehet Breshani.

Falimentimet, shifra kontradiktore mes bashkisë dhe biznesit

Në Vlorë, ndesh shpesh dyqane me qepena të ulur me njoftimin për qiradhënie, në çdo rrugë të saj. Drejtoria e Tatim-Taksave e pyetur për “Faktoje”, dha shifrat për vitin 2019 dhe 2020 duke krahasuar tremujorin e dytë.

Gjatë vitit 2019 janë mbyllur 120 biznese të vogla gjatë tre muajve Mars-Prill Maj. Konkretisht janë mbyllur 40 biznese në muajin Mars 2019, në muajin Prill 45 dhe në muajin Maj 35”- deklaroi Drejtoria e Tatimeve Vlorë.

Po sipas këtij institucioni gjatë tre muajve të pandemisë u mbyllën 54 biznese të vogla.  

“Në mars u mbyllën 18 biznese, në prill 19 biznese dhe në maj 17 biznese”- deklaron Drejtoria e Tatim-Taksave. 

 *Tabela me bizneset e vogla të mbyllura sipas Drejtorisë së Tatim-Taksave Vlorë

Por Dhoma e Tregtisë jep shifra më të larta, që bien ndesh me ato të institucioneve zyrtare. Sipas Breshanit, janë më shumë se 80 biznese të vogla që janë mbyllur në qytetin e Vlorës përgjatë periudhës Mars-Maj 2020.

52 ishte numri i bizneseve të mbyllura në këtë periudhë një vit më parë, ndërsa ky numër është rritur me 40% sivjet. Shkak është bërë pamundësia për të mbijetuar në këtë periudhë, duke mos pasur mundësi të paguajnë shpenzimet që kërkon çdo ditë biznesi.”- shprehet kreu i Dhomës së Tregtisë në Vlorë.

*Grafik krahasues mes shifrave të Drejtorisë së Tatimeve dhe atyre nga Dhoma e Tregtisë

Turizmi, në luftë për mbijetesë

Pandemia shkaktoi dëme të mëdha ekonomike edhe tek operatorët turistikë dhe  strukturat hoteliere. Gjatë kësaj periudhe, problemi kryesor rezultoi mungesa e prenotimeve dhe anulimi i tyre.

Emanuela Tafa, menaxherja e një prej hoteleve në Vlorë flet për vështirësitë që gati e çoi në falimentim biznesin ku ajo punon.

Gjatë periudhës së Covid-19 është punuar me staf të reduktuar, ndërsa tani situata duket ndryshe. Nga ana e hotelit janë bërë të gjitha përgatitjet, por mungojnë turistët, prenotimet dhe fluksi është vetëm në fundjavë. Ndihma që shteti dha nuk ishte aspak e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet. Ne aktualisht jemi në luftë për të mbijetuar”- shprehet ajo për “Faktoje”.

Adnand Aliaj, administratori i një prej hoteleve dhe plazheve në qytetin e Vlorës, tregon për disa pengesa shtesë të krijuara nga urdhri i ri për përdorimin e plazheve. Rregullat e reja nuk mund të zbatohen tek plazhi që ai administron. Distanca 10 metra larg detit i pezullon aktivitetin, pasi nga 30 çadra që vendoste më parë, tanimë mund të vendosë vetëm 15.

Momentalisht në hotelin që administroj situata është e vështirë, për faktin se askush s’mund të vijë në hotel, të prenotojë dhomën pa pasur mundësi të frekuentojë detin apo të bëjë pushime. Ky urdhër duhet të rishikohet! Në periudhën e Covid-19 nuk ka pasur asnjë prenotim, ndërsa prenotimet e para nisën gjatë këtij fillim sezoni veror.”-shpjegon Aliaj.

Një tjetër pronar hoteli, Luixhino, i cili bashkëpunon me agjencitë turistike shpjegon se situata nuk duket premtuese.

Në ditët e këtij sezoni, pas hapjes së hotelit punohej vetëm me 30 % të stafit dhe kryesisht hotelin e menaxhonim familjarisht. Me kalimin e ditëve dhe rritjen e temperaturave, në Vlorë shpesh është shënuar fluks turistësh, por kjo është kryesisht gjatë fundjavave. Ne nuk mund të mbahemi vetëm me fundjavat. Ne kemi nevojë për sezon të plotë, që të bëjmë dhe investime. Turistë të huaj nuk kemi asnjë. Një vit më parë, hoteli ishte plot me prenotime me turistë të huaj. Këta pak turistë që vijnë nga Shqipëria, ose nga Kosova, duket se janë më të kursyer, pasi pandemia i ka dëmtuar të gjithë!”- shprehet ai.

Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë për jugun, thotë për “Faktoje”:

Problem kryesor është mungesa e prenotimeve, por në muajin gusht pritet të ketë turistë. Shqetësim tjetër është dhe vendosja e çadrave dhe shezlongeve, që duhet të jetë e lejuar për hotelet e licencuara. Sezoni në të cilin ndodhemi është tepër i vështirë dhe nuk dihet fati se si do të vijojë!”.

Ndihma ndaj turizmit, në nivelin zero 

Përfaqësues të bizneseve që kanë fokus turizmin, thonë se nga Bashkia Vlorë janë bërë disa lehtësime, por të papërfillshme përballë një krize si kjo e shkaktuar nga Covid-19.

Ne pyetëm Bashkinë Vlorë për masat e marra dhe nëse ka ndonjë strategji për të përballuar situatën dhe për të ndihmuar bizneset. Bashkia ktheu këtë përgjigje për Faktoje:

Masat e marra nga Bashkia e Vlorë janë si më poshtë;

  1. Shtyhet afati i pagesës se taksave dhe tarifave vendore që është 20 prill, 50% në 20 korrik dhe 50% në 20 shtator.
  2. Falen kamatëvonesat nga 20 prill deri në 20 shtator.
  3. Falen 4-muaj (mars, prill, maj dhe qershor) hapësirat publike.
  4. Ulet tarifa për ndriçim, pastrim, gjelbërim për dhomat e hotelit nga 1000 lekë/dhomë në 700 lekë/dhomë.

Këto masa janë marrë për t’i ardhur në ndihmë të gjitha bizneseve në territorin e saj dhe konkretisht atyre që operojnë në fushën e turizmit”.

Por, bizneset hoteliere, të cilat janë rezultojnë më të prekurat nga pandemia përgjigjen me skepticizëm ndaj këtyre masave.

E vetmja masë që na ka ardhur në ndihmë, mund të jetë ulja e tarifës për ndriçim, pastrim, gjelbërim për dhomat e hotelit nga 1000 lekë/dhomë në 700 lekë/dhomë. Të gjitha të tjerat nuk janë falje, por shtyrje. Le të ndërmarrin masa dhe programe konkrete për të zgjidhur situatën që i ka kapluar të gjithë. Edhe këto masa duket më shumë se i kanë marrë për vete që mos t’u mbetet buxheti bosh nga falimentimi ynë, sesa na vijnë në ndihmë neve”- u shprehën operatorët turistikë për “Faktoje”.

Në Vlorë, gjatë një vëzhgimi në ditët e para të muajit gusht, konstatuam se edhe gjatë fundjavës, kur fluksi i pushuesve është më i lartë, ishte e lehtë të gjeje dhoma të lira, edhe pse në kulmin e sezonit turistik. Ky fenomen nuk ndodhte prej vitesh, çka dëshmon për krizën me të cilën po përballet biznesi sidomos ai turistik në këtë bashki.

Operatorët turistikë deklarojnë se numri i turistëve për këtë sezon ka rënë në mënyrë drastike për muajin qershor ku është shfrytëzuar vetëm 30% e kapacitetit akomodues. Gjatë muajit korrik vërehet përmirësim, pasi raportohet të jetë punuar me 70% të kapacitetit, megjithatë në krahasim me vitin 2019 ecuria e turizmin është shumë larg pritshmërive.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img