BallinaFakte dhe MjedisiShfrytëzimi i Shushicës për ndërtimin e rrugës i kushton shtrenjtë mjedisit

Shfrytëzimi i Shushicës për ndërtimin e rrugës i kushton shtrenjtë mjedisit

INVA HASANALIAJ

Shtrati i lumit të Shushicës –dega e dytë më e madhe e Vjosës po shfrytëzohet intensivisht nga kompania austriake Strabag AG për ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës, një praktikë e kritikuar nga ekspertët për kostot e larta në dëm të mjedisit.


Inva Hasanaliaj në Vlorë dhe Tiranë

Shtrati i lumit Shushicë i ngjan një kantieri të madh ndërtimi mbi urën e Gjormit –pjesë e luginës së njohur si Lumi i Vlorës në bashkinë Selenicë në jug të Shqipërisë. Gërmimet dhe zhvendosjet e zhavorrit kanë krijuar gropa të thella përgjatë rrjedhës, ndërsa qarkullimi i shpeshtë i fadromave ka hapur rrugë të reja mbi ujë.

Shushica është dega e dytë më e madhe e Vjosës dhe rrjedh paralel me segmentin në ndërtim e sipër të rrugës së Lumit të Vlorës–që synon të lidhë zonat turistike në jug të Shqipërisë.

Por projekti infrastrukturor i qeverisë po rëndon mbi eko-sistemin e pasur të luginës, ndërkohë që baseni i lumit të Shushicës është kthyer në një “magazinë” zhavorri dhe intertesh për ndërtimin e rrugës.

Fultjan Mema, banor i zonës ankohet se makineritë për nxjerrjen e inerteve nga lumi punojnë në shtatë ditë të javës, natën ose herët në mëngjes. “Të gjithë banorët e dinë këtë gjë, por jo të gjithë mund të flasin pasi një pjesë e tyre janë të punësuar nga kompania,” tha ai.

Ndërtimi i segmentit rrugor Ura e Gjormit –Brataj – Ura e Laskos është financuar me rreth 4.2 miliardë lekë nga qeveria shqiptare dhe fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, ndërsa fituese u shpall kompania austriake Strabag AG.

E pyetur për ndikimin negativ mbi mjedisin, Strabag AG tha përmes një zëdhënëseje se punimet po kryheshin nga kompania bijë në Shqipëri, Trema Engineering 2, në përputhje me lejet e lëshuara nga institucionet shqiptare.

“Ne mund t’u sigurojmë që të gjitha punimet po kryhen sipas lejeve të lëshuara nga Këshilli i Basenit Ujor të Vlorës dhe në përputhje me miratimin e marrë nga Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit,” tha zëdhënësja e grupit Strabag, Marianne Jakl.

Shushica nuk është lumi i vetëm që po shfrytëzohet intensivisht për llogari të projekteve të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri. Më 28 maj, edhe banorët e fshatit Hambar në Fier protestuan kundër shfrytëzimit pa kriter të lumit të Vjosës nga kompanitë që po ndërtojnë By Passin e Fierit.

Dëmtimi i shtretërve të lumenjve është një ndër krimet mjedisore më të përhapura në Shqipërinë e tranzicionit dhe sipas ekspertëve të mjedisit, ka sjellë një zinxhir problemesh në habitatet lumore si dhe në erozion.

“Nëse një shtrati lumi i hiqet një sasi inertesh…brigjet pësojnë ndryshim dhe të gjitha habitatet që janë në brigjet e lumenjve dëmtohen dhe ka lloje që zhduken. Një pjesë e këtyre habitateve janë globalisht të kërcënuara,” tha Aleko Miho, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.

Rruga në kurriz të lumit

Projekti i rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës u inaugurua në prag të fushatës elektorale të vitit 2017 dhe krijoi presion të menjëhershëm mbi basenin e Shushicës.

Një hetim i vitit 2018 i Prokurorisë së Vlorës ngriti akuza mbi një grup kompanish nënkontraktore që u përfshinë në ndërtimin e Lotit I të rrugës për falsifikim dokumentesh dhe shfrytëzim të paligjshëm të lumit Shushicë përgjatë aksit Peshkëpi-Gjorm.

Nëntë persona, mes të cilëve zyrtarë lokalë dhe administratorë kompanish u morën të pandehur, por dosja shkoi drejt Gjykatës së Vlorës e ndarë më dysh.

Në një komunikim me Gjykatën e Vlorës mësuam se në datën 24 shkurt 2020 përfundoi shqyrtimi gjyqësor për pesë të pandehur, por asnjëri prej tyre nuk mori dënime me burg.

Katër prej të pandehurve të akuzuar për ndërtim të paligjshëm dhe falsifikim dokumentesh u dënuan me 150 -200 orë punë në interes publik, ndërsa njëri prej tyre fitoi pafajësinë.

Inertet e lumit të Shushicës vazhduan të shfrytëzoheshin edhe për ndërtimin e lotit të dytë të rrugës që krijon një lidhje të shkurtër nga Borshi në qytetin e Vlorës.

Pas një morie kërkesash për të drejtë informimi dhe përgjigjeve kontradiktore të marra nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ne arritëm të sigurojmë një vendim për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, VNM në favor të kompanisë austriake Strabag AG, vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Leja për shfrytëzimin e inerteve të lumit Shushicë në zonën “Ura e Gjormit –Kallarat” është firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Edison Konomi.

Dokumenti tregon se shfrytëzimi i inerteve të lumit për ndërtimin e lotit të dytë të rrugës ishte pjesë e një marrëveshjeje të lidhur mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kompanisë fituese të tenderit, Strabag AG më 17 prill 2019.

Më pas, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës që të përfshijë aksin Ura e Gjormit –Brataj –Ura e Laskos në listën e punëve publike që e kanë të domosdoshme shfrytëzimin e inerteve –kërkesë e cila është miratuar.

Strabag është pajisur më pas me leje nga Këshilli i Basenit të Vlorës dhe VNM paraprake nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për të shfrytëzuar inertet në 6 pika të lumit nga Brataj në Kallarat.

Vendimi për VNM paraprake përban gjithashtu edhe një listë të gjatë detyrimesh për kompaninë ndërtuese, përfshi sistemimin e shtratit të Shushicës, forcimin e brigjeve përmes mbjelljes së fidanëve të rinj si dhe shmangien e punimeve herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje –për të mos shqetësuar banorët e zonës.

Nga vëzhgimi ynë në terren në fillim të muajit maj nuk rezultoi që ndonjëra prej detyrimeve të mësipërme të ishte zbatuar ende. Ne mësuan gjithashtu se institucionet shtetërore kanë bërë një sy qorr ndaj zbatimit të kushteve të VNM-së, ndërkohë që asnjë inspektim nuk është kryer përgjatë vitit 2020.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, ISHMPUT tha se nuk ka bërë asnjë inspektim përgjatë vitit 2020 në Shushicë pasi institucioni është në “ristrukturim të plotë”.

“Me mbarimin e ristrukturimit dhe implementimin në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, drejtoria e inspektimit të ujërave do të hartojë programin e punës për evidentimin dhe inspektimin e të gjitha subjekteve që shfrytëzojnë inerte pa leje në të gjithë shtretërit e lumenjve, e në veçanti në lumin Shushica,” tha Inspektoriati.

Pasojat në mjedis

Shfrytëzimi masiv i shtretërve të lumenjve me qëllim ndërtimin e rrugëve kritikohet nga ekspertët e mjedisit në Shqipëri si një praktikë e dëmshme dhe me pasoja afatgjata për mjedisin. Ekspertët vërejnë gjithashtu një sërë dobësish të institucioneve shqiptare në licensimin e subjekteve dhe kontrollimin e tyre.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës Eco Albania e denoncoi shfrytëzimin përgjatë gjithë lumit të Shushicës si një fenomen që bëhet për të ulur kostot e rrugës, pa llogaritur kostot mjedisore.

“Efekti në florë dhe faunë është mjaft i qartë, pasi marrja e materialeve inerte sidomos në periudha të prurjeve minimale krijon ato që quhen pellgje apo xhepa anësore të lumit.  Nëse ky fenomen është mjaft i shfaqur në seri, krijohet humbja e lidhjes gjatësore të lumit, çka do të thotë pengimi i rrugës së migrimit të specieve ujore, të cilat më pas nuk mund të kryejnë proceset e mbijetesës së llojit të tyre,” tha Nika.

Edhe pedagogu Aleko Miho mendon se shfrytëzimi për inerte i lumenjve ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i tranzicionit –veçanërisht për ndërtimin e rrugëve dhe ndërtime të llojeve të tjera.

“Nuk ka asnjë arsye për të marrë inerte nga lumi për të ndërtuar rrugë, është kosto e lartë dhe një dëm i madh që i bëhet mjedisit,” tha Miho.

“Prurjet e lumenjve janë në ekuilibër me të gjithë habitatet që ato kanë rreth e rrotull, kështu që ndërhyrja në mënyrë të tillë, marrja prej lumenjve e inerteve është një shqetësim që sjell dëmtime nga më të ndryshmet,” shtoi ai.

Ekspertët bëjnë apel për zbatimin e legjislacionit për mjedisin dhe për ndëshkimin e atyre që abuzojnë me burimet natyrore të vendit.

“Për fat të keq, edhe 30 vjet më pas vazhdojmë të kemi një keqshfrytëzim të lumenjve, edhe pse institucionet janë aty, legjislacioni është aty, por është një e metë e jashtëzakonshme e institucioneve për të zbatuar ligjet,” tha Nika nga Eco Albania.

“Zgjidhja është vullneti i zbatimit të ligjit,” shtoi ai.

Edhe profesori Aleko Miho tha se ka ardhur koha që t’u thuhet ndal abuzimeve dhe t’u jepet kohë lumenjve që të përtërijnë veten.

“Kjo mbase nuk e zgjidh dëmin e shkaktuar në shumë vite, por në një moment të caktuar duhet t’i themi vetes ndal… Asnjëherë nuk është vonë për të treguar kujdes ndaj natyrës,” përfundoi Miho.

*Foto e parë është marrë nga balkanrivers.net


 

Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img