BallinaFakte dhe MjedisiUjërat e zeza derdhen në det pranë impianteve të kushtueshme

Ujërat e zeza derdhen në det pranë impianteve të kushtueshme

ANXHELA RUÇI

Premtimet e vazhdueshme dhe investimet në miliona euro për impiante nuk i kanë dhënë ende zgjidhje problemit “gangrenë” të ndotjes së detit nga ujërat e zeza. Ekspertët mjedisorë kritikojnë bashkitë për mungesë prioriteti me pasoja të rënda në ekosistem dhe turizëm.


Anxhela Ruçi, në Durrës, Vlorë dhe Tiranë

Shëtitorja e qytetit të Vlorës, e njohur gjerësisht si Lungomare, është projekti flamur dhe më i kushtueshëm i Rilindjes Urbane, por përgjatë 4 kilometrave të saj, ne dokumentuam në fillim të majit të paktën tri pika të derdhjes së ujërave të zeza në det.

Derdhje e ujërave të bardha dhe të zeza në det, Lungomare, Vlorë

Kanale të ngjashme ujërash të ndotura janë një pamje e gjithëpërhapur në vijën bregdetare të Shqipërisë, pavarësisht premtimeve ndër vite dhe legjislacionit në fuqi, që e ndalon rreptësisht derdhjen e tyre në det.

Të dhënat e siguruara nëpërmjet ligjit për të Drejtën e Informimit nga 7 bashki bregdetare të vendit tregojnë se investimet në dhjetëra-miliona euro nuk e kanë zgjidhur ende problemin “gangrenë” të kanaleve të ujërave të zeza përgjatë plazheve shqiptare.

Nga vëzhgimet e kryera në terren, ne fotografuam një duzinë pikash të nxehta të ndotjes në plazhet popullore të Durrësit, Vlorës dhe Orikumit.

Përgjatë dekadës së fundit, në bashkitë e Vlorës, Lezhës, Himarës, Sarandës, Durrësit dhe Shkodrës janë investuar së bashku rreth 44.6 milionë euro në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, por këto investime mbulojnë vetëm një pjesë të vijës bregdetare, duke e ekspozuar pjesën tjetër ndaj ndotjes.

Derdhja e ujërave të zeza në det fajësohet prej vitesh për dëmtimin e ekosistemit ujor, të turizmit dhe shëndetin e popullatës. Ekspertët dhe aktivistët mjedisorë shprehen të shqetësuar për pasojat, ndërsa kritikojnë bashkitë e vendit se nuk e kanë prioritet zgjidhjen përfundimtare të problemit.

“Është investuar shumë në qytetet bregdetare, por në realitet ende nuk shihet të reflektohet gjithë ky investim i madh. Shpesh impiantet nuk mbulojnë gjithë hapësirën e detit. Pushteti lokal nuk e ka parë si prioritet menaxhimin e ujërave dhe pasojat janë të mëdha, pasi ndikojnë edhe në shëndet, edhe në turizëm”, – tha Xhemal Mato, një nga ekspertët veteranë të mjedisit në Shqipëri.

Investime të pamjaftueshme

Derdhja e ujërave të zeza në det ndalohet specifikisht në ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, konkretisht neni 67, por zbatimi i legjislacionit vazhdon të injorohet. Premtimet e përsëritura të kryetarëve të bashkive nuk kanë arritur gjithashtu të garantojnë një det të pastër.

Në qarkun e Vlorës ekzistojnë dy impiante të trajtimit të ujërave të zeza; i pari i ndërtuar në vitin 2015 në Orikum me vlerë rreth 530 milionë lekë dhe i dyti i ndërtuar në vitin 2019 përmes një investimi prej 4.2 milionë eurosh nga fondet IPA të Bashkimit Europian.

Ndonëse impianti i Vlorës është projektuar për të plotësuar nevojat e 90 mijë banorëve në dimër dhe 160 mijë banorëve në sezonin veror, bashkia pranon se aktualisht ka ende derdhje të ujërave të zeza në det – që sipas saj do të zgjidhet me një investim të ri në proces.

“Për këtë arsye është bërë projekti për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në zonën bregdetare, me qëllim një det të pastër..”, – tha Bashkia e Vlorës, ndërsa shtoi se projekti ishte në zbatim nga firma Vëllezërit Hysaj. Impianti i ri pritet t’iu kushtojë taksapaguesve edhe 3.3 milionë euro të tjera.

Disa kilometra në jug të Lungomares, në detin e kristaltë të Orikumit, një kanal me ujëra të ndotura derdhet vetëm pak metra larg impiantit të trajtimit.

Impianti i përpunimit të ujërave të ndotura, Orikum 

Plazhi përdoret, jo vetëm nga pushuesit gjatë sezonit të verës, por edhe nga peshkatarët e zonës.

Derdhja e ujërave të ndotura në plazhin e Orikumit

Peshkatarët e zonës duke peshkuar në zonën ku derdhen ujërat e ndotura

Një situatë e ngjashme mbizotëron edhe në Bashkinë e Durrësit, pavarësisht investimeve të konsiderueshme në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza. Impianti i parë në Durrës është ndërtuar në vitin 2013 me financim të Bankës Botërore dhe Bankës Europiane të Investimeve në vlerën e 11 milionë eurove, ku trajtohen ujërat e ndotura të qytetit, si dhe të zonës së Plazhit dhe Shkëmbit të Kavajës.

Megjithatë, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pranon se pavarësisht impiantit, ka derdhje të ujërave të zeza në zonën e ish-Kënetës, pasi nuk është ndërtuar ende rrjeti i kanalizimeve.

Impianti i dytë i ndërtuar në vitin 2019 ka kushtuar 1.31 miliardë lekë dhe gjendet në fshatin Hamallaj. Ky impiant ka si qëllim grumbullimin dhe pastrimin e ujërave të ndotura të zonës turistike në Gjirin e Lalëzit dhe fshatrat e njësisë administrative Ishëm, që janë Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Lalëz, Kuraten, Bizë, Drac, Shetaj.

Një nga zonat më problematike të Durrësit vazhdon të mbetet shëtitorja Taulantia, nyja kryesore e qytetit gjatë sezonit turistik. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës e quan tubacionin e shkarkimit në shëtitoren Taulantia “një derdhje të vogël të ujërave të zeza në det”, që sipas saj ndodh pas reshjeve të shiut.

Pamjet e dokumentuara janë bërë në një periudhë kohore që nuk ka pasur reshje shiu dhe koha ka qenë e thatë, fakt ky që rrëzon pretendimin e UKD-së.

Tubacioni i ujërave të ndotura që derdhet në det, shëtitorja Taulantia, Durrës

Dikur kjo zonë ishte destinacioni kryesor i banorëve të Durrësit, por edhe i pushuesve të ardhur nga vendet e tjera. Derdhja e ujërave të zeza dhe burimet e tjera të ndotjes kanë sjellë braktisjen e plazhit nga pushuesit.

Bashkia Himarë, e cila mbulon edhe fshatrat më të frekuentuar turistikë të rivierës shqiptare: Qeparo, Borsh, Lukovë, Dhërmi dhe Palasë, ka vetëm një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura, i vendosur në zonën e Dhralës.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, bashkia Himarë tha se ka nevojë edhe për pesë impiante të tjera për të trajtuar ujërat e ndotura dhe për të ndalur derdhjen e tyre drejt detit.

Bashkia e Lezhës thotë se pas ndërtimit të impiantit me vlerë 3.1 milionë euro në vitin 2014, “asnjë pikë ujë i ndotur” nuk derdhet më në det.

Bashkia e Divjakës nuk ka ende impiant dhe i trajton ujërat e ndotura urbane në gropa septike. Bashkia Shkodër ka dy impiante më vlerë investimi 18,7 milionë euro. Këto impiante të ndërtuara në zonën e Velipojës dhe Shirokës, sipas Ujësjellës-Kanalizime Shkodër, mbulojnë të gjitha nevojat për trajtimin e ujërave të ndotura të zonës, si në muajt e dimrit, ashtu edhe gjatë muajve të verës.

Bashkia e Sarandës, e kritikuar shpeshherë në të shkuarën për derdhjen e ujërave të zeza në det, pretendon se impianti i ndërtuar në vitin 2013 me vlerë 2.3 milionë euro është i mjaftueshëm për nevojat e qytetit.

“Nga konstatimet e shoqërisë nuk ka të dhëna për derdhje apo pika të nxehta të burimit të infeksionit si pasojë e shkarkimeve të pakontrolluara të ujërave të zeza, pasi investimet e fundit kanë eliminuar të gjitha shkarkimet e pakontrolluara”, – tha një zëdhënës i Bashkisë së Sarandës.

Dëme të shumëfishta

Ekspertët mjedisorë iu bien kambanave të alarmit se derdhja e ujërave të papërpunuara në brigje dhe plazhe mund të sjellë një dëm të parikuperueshëm për florën dhe faunën nënujore, por edhe për pushuesit që i frekuentojnë këto ujëra.

Eksperti i mjedisit, Olsi Nika, thotë se derdhja e ujërave të ndotura në mjediset ujore prish pothuajse të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, duke sjellë një dëm të madh dhe të parikuperueshëm për gjallesat e botës nënujore.

“Ndikimi i ujërave të përdorura në mjedise apo ekosistemet natyrore ujore ka të bëjë me shkallën e rritjes së lëndëve trofike ose ushqyese në ujë. Duke u shtuar ky ritëm e bën të pamundur jetesën normale dhe mbajtjen e ekuilibrave normalë ekologjikë të faunës që ndodhet në ujë dhe kjo shkakton atë që ne quajmë ngordhjen masive të peshqve. Praktikisht dalëngadalë mjedisi, nga divers me të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor apo të rrjedhave trofike, shndërrohet gradualisht në një mjedis më tepër bakterial dhe dekompozues dhe ky në fakt është një proces që ne e quajmë “proces i eutrofikimit”, – tha Nika.

Klaudio Hyseni, drejtues i qendrës Durrësi Aktiv dhe autor i disa artikujve për problemin e ujërave të ndotura, mendon se përveç faunës nënujore, ky fenomen dëmton edhe shëndetin e pushuesve.

“Unë banoj në këtë lagje (shëtitorja Taulantia) dhe kam parë degradimin e zonës. Këtu ekziston rreziku që njerëzit të infektohen nga sëmundjet ngjitëse dhe epidemiologjike. Uji në këtë zonë bëhet burim infeksioni për qytetarët. Ne kemi vërtetuar nëpërmjet qendrave shëndetësore që kanë pasur probleme me shikimin, dëgjimin dhe infeksionet në lëkurë ata që janë larë në këto ujëra”, – tha Hyseni.

Ndonëse përgjegjësia për derdhjen e ujërave të ndotura në det është e pushtetit lokal, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të ndjekë zbatimin e ligjeve, të cilat kanë si qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit në të gjithë vendin.

Megjithatë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit zgjodhi të mos kthejë përgjigje se çfarë masash ka marrë ky institucion për kontrollin e derdhjes së ujërave të ndotura në brigjet dhe plazhet e vendit.


Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img