BallinaTë pambajturaRama: Brenda qershorit do të shpallim planin kombëtar të rimëkëmbjes

Rama: Brenda qershorit do të shpallim planin kombëtar të rimëkëmbjes

Kryeministri Edi Rama, më 8 qershor, në emisionin “Open” njoftoi se brenda po atij muaji do shpallej zyrtarisht plani kombëtar i rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e pandemisë “Covid-19”. Plani konsiderohet jetik pasi synon injektim të fortë në ekonomi dhe nxitje të punësimit. Një deklaratë të ngjashme kryeministri Rama e kishte bërë edhe më 24 maj, por deri më sot, plani kombëtar i rimëkëmbjes ende nuk është shpallur.


Më 8 qershor, kryeministri Edi Rama, në emisionin “Open” në Top Channel, njoftoi se brenda muajit do bëhej publik plani kombëtar i rimëkëmbjes ekonomike si një instrument që do shërbente në menaxhimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia “Covid-19”.

Brenda qershorit do të shpallim planin kombëtar të rimëkëmbjes dhe ai plan është një plan që synon një injektim shumë të fortë në ekonomi dhe që synon një nxitje të punësimit – deklaroi kryeministri Edi Rama.

Një njoftim të ngjashëm, kryeministri Rama e bëri edhe më 24 maj gjatë një lidhjeje direkte në rrjetin social “Facebook”.

Shumë shpejt do të paraqesim planin e ri kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale me qëllim që 4 mujori i fundit të këtij viti të kthejë normalitetin e të ardhurave për familjet, ekonominë dhe shtetin. Dhe viti i ardhshëm të shënojë një kapërcim të ri përpara falë paketës së re tërësore të këtij plani të ri kombëtar – u shpreh kryeministri Edi Rama.

Deri më tani, qeveria ka vendosur në dispozicion dy paketa financiare si mbështetje sociale për kategori të caktuara individësh dhe biznesesh.

Nga paketa e parë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 60,421 qytetarë kanë përfituar, nga tre paga në vlerën e 26,000 lekëve secila.

Paketa e parë e ndihmës, burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Nga paketa e dytë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë më shumë se 170.000 qytetarë, kanë përfituar nga një page me vlerë 40.000 lekë, ku edne rreth 7,000 qytetarë nuk kanë përfituar.

Paketa e dytë ekonomike, burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Po paketa e tretë, ajo e rimëkëmjes ekonomike?!

Ndërsa ajo ende nuk është shpallur, ekspertë të ekonomisë e konsiderojnë atë të domosdoshme. Dritan Shano, argumenton se paketa e rimëkëmbjes nuk është një opsion, por detyrim i qeverisë ndaj qytetarëve.

Më shumë se një paketë 3-të sociale, mendoj se duhet një paketë e 1-rë ekonomike, që mbështet drejtpërdrejt biznesin shqiptar sidomos: turizmin, fasonët. Këto dy aktivitete janë goditur fort nga vendimi i qeverisë për të mbyllur ekonominë, dhe sot nëse i pyet të thonë se i leverdis më shumë të mos e hapin aktivitetin. Meqenese jemi në sezon veror, ndarja e kostove në sektorin e turizmit do e ndihmonte atë të mbante çmime konkurruese dhe të shtonte punësimin, formal dhe informal -i tha “Faktojes”, eksperti i ekonomisë, Shano.

Kur ende nuk dihet se kur do të shpallet paketa dhe cilat kategori do përfitojnë, përfaqësues të qeverisë kanë shprehur ide për mënyrën e shpërndrjes së saj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraprakisht njoftoi se nga paketa do përfitojnë kryesisht sektori i turizmit, prodhimit dhe shërbimeve në përgjithësi. Denaj shtoi se paketa do nxisë edhe punësim apo ripunësimin e atyre që e humbën si pasojë e pandemisë “Covid-19”.

Pas verifikimit që bëmë edhe në Vendimet e Këshillit të Ministrave, Fletrores Zyrtare apo vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, deklaratën e kryeministrit Edi Rama mbi shpalljen e një pakete të tretë ekonomike, do ta kategorizojmë si “Premtim të pambajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img