BallinaFaktometerE PavërtetëSa taksa paguajnë kompanitë e naftës në Shqipëri? Shteti hesht

Sa taksa paguajnë kompanitë e naftës në Shqipëri? Shteti hesht

INVA HASANALIAJ

Industria naftënxjerrëse në Shqipëri supozohet të ndihmonte në ekonomi, pasi vendi ka vendburime në disa zona. Por kur pyet institucionet për shifra për ta ilustruar këtë kontribut, informacioni nuk jepet. “Faktoje” pyeti 5 institucione në përpjekje për të marrë të dhënat, por pa sukses.

————————————————————————————————————————————————————-Damian Gjiknuri: “Shqipëria hyn tashmë në vende avangardë përsa i përket publikimit dhe transparencës së të dhënave në industrinë nxjerrëse këtu. Flas transparenca përsa i përket publikimit të të dhënave, do të thotë sasitë që nxirren, renta që paguhet apo të ardhurat.

Kjo është deklarata e bërë nga ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës në datën 24 mars 2016 gjatë një emisioni televiziv.

Por sa është kontributi konkret i kësaj industrie në ekonominë e vendit?

Nisur nga deklarata e ish-ministrit Gjiknuri “Faktoje” vendosi të kërkojë se sa është sasia e naftës që nxirret në një vit nga kompanitë që operojnë në kërkimin dhe nxjerrjen e këtij produkti. Sa taksa i paguajnë shtetit shqiptar këto kompani?

Këto janë disa nga pyetjet që i kemi dërguar disa prej institucioneve përkatëse për t’u informuar.

Fillimisht kontaktuam me Albpetrol si institucioni kryesor,  i cili ka lidhur kontratat me kompanitë operuese. “Faktoje” kërkoi informacion mbi  taksat që kanë paguar dhe paguajnë kompanitë si dhe të ardhurat që ka arkëtuar shteti shqiptar. Në përgjigjen e kthyer Albpetrol thotë se “nuk janë institucioni që mund të na informojë, ndërsa për përfitimet që ka shteti nuk mund të na japë të dhëna”.

Të njëjtën pyetje kemi dërguar po ashtu edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve e cila dha këtë përgjigje:“Në rastin konkret, jemi në kushtet e kufizimit të së drejtës për informim, i kushtëzuar nga detyrimi ligjor për të ruajtur kofidencialitetin e të dhënave tregtare dhe tatimore të administruara. Për sa më sipër, informacioni i kërkuar nuk mund t’ju vihet në dispozicion.”

Edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka dhënë përgjigje negative për sa i përket kërkesës për informacion mbi taksat. “AKBN nuk disponon asnjë të dhënë, pasi këto kompani nuk dorëzojnë pranë saj Bilancet Financiare Vjetore të aktivitetit të tyre.”-ishte përgjigja e insitutucionit.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ishte institucioni i radhës që pyetëm për taksat dhe përgjigjia e  saj ishte: “Nuk disponojmë një informacion të tillë, pasi këto kompani nuk dorëzojnë Bilancet Financiare Vjetore të aktivitetit të tyre në Ministri apo institucione që ndodhen në varësi të MIE”.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës na orientoi t’i kërkojmë këto të dhëna në Ministrinë e Financave.

Kjo e fundit nuk na dha një përgjigje, por ia delegoi këtë kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të  Tatimeve, duke na rikthyer aty ku “Faktoje” nisi fillimisht kërkesat për informacion.

Në fund të këtij cikli të dërgimit të kërkesave zyrtare, “Faktoje” nuk arriti të marrë informacionin e kërkuar se sa taksa i paguajnë shtetit shqiptar kompanitë naftënxjerrëse dhe sa është kontributi në PBB(Prodhimi Brendshëm Bruto) i kësaj industrie?

Nisur nga deklarata e ish-ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe verifikimi i gatishmërisë të institucioneve për të dhënë informacion, këtë deklaratë do ta konsiderojmë të PAVËRTETË.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img