BallinaOpinioneVirtyti që shpëtoi 601 bijtë e Solomonit

Virtyti që shpëtoi 601 bijtë e Solomonit

Reportazh nga Alma Lahe

Pasi ndalojmë tek sheshi prapa Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, që njihet si Markata, ngjisim kalldrëmin nëpër rrugën ‘Mihal Komnena’, në lagjen Mangalem të Beratit. Është mesditë dhe, edhe pse fundshtatori, dielli nxeh si në zhegun e verës. Në krah të majtë, para një ndërtese njëkatëshe të veshur me gurë të bardhë dekorativë, me tri porta harkore, të cilat theksojnë ‘perspektivën’ e ndërtesës krijuar nga pjerrësia e rrugës së kalldrëmtë, dallojmë një baner me mbishkrimin ‘Muzeu Solomon’. Provojmë dyert njëra pas tjetrës. Të tria janë të mbyllura. Përtej xhamave nuk shquajmë njeri, vetëm stenda të varura në mure dhe disa vegla pune mbi dysheme.

Muzeu ‘Solomon’, i pari muze privat në Berat dhe jo vetëm, u çel në 3 maj të vitit 2018, nga studiuesi i apasionuar beratas Simon Vrusho. Muzeu ishte një ‘dhomëz’ modeste në të cilën prezantohej historia e jashtëzakonshme e shpëtimit të hebrenjve në Berat. Për fat te keq, pak muaj pas hapjes së muzeut, studiuesi Vrusho ndërroi jetë papritur në moshën 69-vjeçare dhe ekzistenca e muzeut u rrezikua seriozisht. Ne e humbëm mundësinë për t’u takuar dhe biseduar me ideatorin dhe themeluesin e muzeut ‘Solomon’, por sot, në ambientin e ri ku po trasferohet muzeu, kemi ardhur të takojmë bashkëshorten e tij, Angjelinën, e cila i është përkushtuar amanetit të të shoqit.

Teksa presim Angjelinën, e cila ka shkuar të drekojë, i telefonojmë Adelinës, një mikeshe të vjetër e cila është ‘guida’ jonë sa herë ndodhemi në qytetin e ‘një mbi një dritareve’. Ishte pikërisht ajo që na foli një vit e gjysëm më parë për ‘muzeun e hebrenjve’ që po hapej në Berat. Adelina na fton për një gliko në shtëpi. Nuk mund t’i themi jo as glikosë së famshme beratase, as dëshirës për të vizituar një banesë karakteristike. Shtëpia e Adelinës ndodhet prapa muzeut dhe është një ndërtesë e vjetër karakteristike dykatëshe. Edhe pse në të nuk është ‘vënë dorë’ prej kohesh, siç thotë Adelina, ndërtesa e ruan madhështinë. Dritaret e larta renditen krah njera-tjetrës si fotot në një album. Banesat ngjitur me atë të Adelinës janë shitur dhe pronarët e rinj i kanë kthyer në hotele dhe restorante, por ajo vazhdon t’i rezistojë ofertave. Ndërsa shijojmë pamjen mbresëlënëse të rrugës me kalldrëm dhe një pjesë të lagjes Mangalem, përzier me shijen e glikosë, Angjelina na telefonon për të na njoftuar se na pret.

Njëra prej dyerve tashmë është hapur. Angjelina është duke biseduar me këmbë e duar me dy burra. Adelina më tregon se njëri është banor i lagjes, ndërsa tjetri është Sami Starova. Profesori i dikurshëm i historisë ka një dyqan antikuaresh ngjitur me Muzeun. Ndër sendet më të vyera në dyqanin e profesorit është një fragment i Yllit të Davidit në gur, të cilin ai e ka gjetur pranë vendit të quajtur Varri i Çifutit, si dhe dy pllaka metalike, në njërën prej të cilave është gdhendura horoskopi hebraik dhe në tjetrën kalendari hebraik. Profesori do t’ia huazojë objektet Muzeut ‘Solomon’ për një ngjarje të rëndësishme: rihapjen e muzeut në ambientin e ri dhe përkujtimoren e Simon Vrushos, që bashkëshortja dhe miqtë e tij organizojnë për nder të studiuesit në ditën e tij të lindjes.

Salla ku po vendoset muzeu është një hapësirë rreth 100 m2, e ndriçuar mirë nga drita natyrale që vjen prej xhamave të dyerve. Në tre faqet e saj janë renditur stendat me foto, faksimile dhe informacione rreth histories së vjetër dhe të re të hebrenjve në Berat. Në mes të sallës, mbështetur në kolonën cilindrike që zbret nga tavani pingul mbi dysheme, ngrihet një altar po aq i bardhë sa muret. Në pamjen ballore të altarit ndodhet bazorelievi me portretin e profesorit. Faltorja dhe bazorelievi janë dhuratë e skulptorit beratas Nezir Ago për muzeun, në respekt të punës së studiuesit Simon Vrusho, por edhe për nder të gjyshit të vet Bajram Ago, i cili ishte njëri prej familjeve që ofroi strehë, ushqim dhe siguri për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa lëvizim nga stenda në stendë, vëmë re se janë të shumtë njerëzit që hyjnë në sallën e papërfunduar të Muzeut. Shumica janë banorë të lagjes Mangalem. Janë të lumtur që lagjja e tyre nuk do ta humbasi këtë pasuri dhe ofrojnë ndihmën dhe mbështetjen për t’i dhënë dorën e fundit Muzeut.

Edhe pse shumë e zënë me rregullimet e fundit, ‘e zonja e shtëpisë’ gjen pak kohë për ne. Ulemi në një cep të sallës ku ndodhen disa karrige. Angjelina është një zonjë tek 65–tat me trup të imët dhe portret tepër shprehës, ku shquan një vështrim i mprehtë zhbirues. Pa u ulur mirë, kërcen nga vendi dhe drejtohet tek ustai që po punon pranë njërës prej dyerve. “Fjongot do t’i vendosim kështu – mat me sy nivelin nga toka ku do të vendosen fjongot per diten e inagurimit – në të njëjtën lartësi.” Pastaj kthehet nga ne: “Këto fjongo i ka zgjedhur vetë Simoni.” Pasi jep udhëzimet e nevojshme, kthehet tek ne pa e shqitur vështrimin vigjilent nga ustai.

 

Simon Vrusho – pas gjurmëve të historisë së hebrenjve në Berat

“Muzeu ishte amaneti i fundit i Simonit – fillon bisedën, pa pritur pyetjen tone Angjelina. – Nuk mund ta lija të mbyllej. Punoi 28 vite pa pushuar, ditë e natë. Madje shpesh bënim sherr, sepse kjo punë po i hante jo vetëm kohën, por edhe paratë.”

Kur e pyesim se si ia ka dalë familja e saj të përballojë kostot e një angazhimi të tillë, Angjelina tund dorën: “Zëre se do të shpenzonim për të shkolluar fëmijën.” Dokumentimi i historisë së hebrenjve në Berat dhe ngritja e muzeut ‘Solomon’ ishin për Simonin dhe janë tani për bashkëshorten tij, fëmija që nuk e patën kurrë.

Angjelina, me zë të fortë kumbonjës, karakteristikë e një mësuesi matematike, profesion që e ka ushtruar për 40 vjet, na rrëfen se si i shoqi në gjithë këto vite nuk la lagje, rrugicë e shtëpi të Beratit dhe mal, luginë, shpat e gërxh të zonës pa shkelur. Takoi dhe pyeti të vjetër e të rinj, mblodhi kujtimet, fotot dhe objektet që ruheshin me fanatizëm nga pasardhësit e atyre që strehuna hebrenjtë. Rizbuloi toponimet hebraike si Varrin e Çifutit në Bilçë, Qafën e Çifutit, e deri edhe fshatin David, thellë në zonën malore.

Qyteti që mbrojti hebrenjtë i thotë JO grabitësve të historisë së tij

Sytë e Angjelinës vishen teksa tregon se më shumë se vdekjen e papritur të bashkëshortit ka vuajtur atë që ndodhi më pas. “Ishte si vdekje e dytë. Ende pa mbledhur veten nga fatkeqësia më trokitën në derë ‘miq’ me pushtet nga Berati dhe Tirana, për të më kërkuar ‘pronësinë’ e muzeut.”

“Nga Tirana erdhi një çift, – ngre kokën dhe më ngul sytë vigjëlentë. – Po t’ua them emrat, i njihni… Janë të njohur. Nuk ka rëndësi, – tund dorën në ajër si për ta mbyllur aty identitetin e çiftit te njohur. – Simoni i kishte miq. Burrin e kishte ndihmuar… Më thane se do të më ndihmonin me muzeun. Më kërkuan dokumentat që Simoni kishte përgatitur për regjistrimin në gjykatë. Më premtuan se u do të merreshin me procedurat. Pak kohë më vonë mësova se gruaja po e regjistronte muzeun në emrin e organizatës që ka në Tiranë. U bëra keq. Më dukej sikur Simoni më akuzonte që nuk i dola për zot mundit të tij.”

“E zgjidhëm tani dhe nuk ka pse të shqetësohesh më, – ndërhyn Adelina dhe të dyja na tregojnë se muzeu u shpëtua, a do të mbyllet, as nuk mund të grabitet. Tashmë një grup qytetarësh bertas janë ofruar të mbështesin Angjelinën. Sipërmarrësi Gazmend Toska, skulptori Nezir Ago, Adelina, Yzedini dhe figura të tjera beratase janë pjesë e bordit te Muzeut. Së shpejti, Muzeu ‘Solomon’ përfundon edhe proceduart e regjistrimit. Tashmë, shpenzimet e qirasë që përballoheshin nga pensionet e çiftit  Vrusho janë marrë përsipër nga sipërmarrësi. Edhe pse ende në proces regjistrimi, bordi mblidhet pothuaj çdo ditë për të koordinuar punët. “Do të ishte fatkeqësi për Beratin dhe qytetarët e saj që një vlerë e tillë t’u grabitej nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me muzeun, përveç qëllimit të mbrapshtë për të nxjerrë fitime prej tij, – shprehet Adelina.

 

Historia 500-vjeçare e hebrenjve të Beratit

Studiuesi Simon Vrusho në librin e tij ‘Hebrenjtë e Beratit’ sjell historinë mbi 500 vjeçare të hebrenjve në Berat. ‘Bijtë e Solomonit’ zenë një vend të rëndësishëm në zemrën e beratasve, të cilët i kanë mikëpritur me bujari në shekuj. Deri para Luftës së Dytë Botërore hebrenjtë kishin mëhallën e tyre në zemër të qytetit, ku sot ndodhet rruga ‘Hebrenjtë’. Atje, në mes të xhamisë dhe kishës ortodokse ngrihej madhështore sinangoga, nga e cila sot nuk ka asnje shenjë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur terrori naziste ishte në kulmin e vet dhe numri I hebrenjve u rrit ndjeshem. ‘Në Berat janë strehuar rreth 600 hebrenj gjatë luftës?’ pyes Angjelinën. ‘Jo rreth, por ekzakt 601’, nuk më lë të rrumbullakos mësuesja e matematikës. Kur mendon se në Shqipëri në atë kohë kanë hyrë rreth 3200 hebrenj, historia e strehimit të tyre në Berat duket e jashtëzakonshme.

Berati u zgjodh nga hebrenjetë jo vetëm për pozitën gjeografike dhe sepse banorët e tij ishin të kamur dhe me banesa të mëdha, por edhe për shkak të namit të madh që kishte marrë mikëpritja beratase. Hebrenjtë që bujtën në Berat u mbrojtën nga e gjithë popullsia. Ishte një besëlidhje e pashkruar që bashkoi ortodoksë, muslimanë dhe bektashinj; partizanë, ballistë dhe legalistë; zengjinë dhe të varfër; qytetarë dhe fshatarë, madje edhe kolaboracionistët, në një mision të shenjtë: strehimin dhe mbrojtjen e jetës të çdo hebreu.

Bertasit arritën t’i fshihnin makinerisë së sofistikuar naziste jo vetëm dy kodikët e famshëm, por edhe 601 hebrenj, pikërisht aty nën hundën e tyre, ku çdo ditë gëlonin mbi 200 ushtarë dhe oficerë gjermanë.

Hebrenjtë në Berat nuk gjetën vetëm strehë, por familje që i donin dhe i mbronin si anëtarët e vet. Familja e Haxhi Qani Civeja, nga lagjja ‘Murat Çelepi’, zë vendin e nderit në historinë e familjeve që strehuan hebrenjtë. Historia e saj përmendet në librin e studiuesit Vrusho dhe librin “Besa: Muslims who saved Jews in World War II” (Besa: Muslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore) të autorit Norman H. Gershman. Familja Civeja strehoi dhjetë familje hebreje të mbërritura nga Prishtina.

Kujtim Civeja, pasardhësi i familjes, referuar ditarit familjar dhe kujtimeve të tij ka rrëfyer: “Ne u lamë familjeve çifute shtëpinë tonë të madhe dhe u zhvendosëm në një shtëpi më të vogël… Nga fundi i luftës, situata u përkeqësua. Nazistët bombarduan qytetin… Vendosëm të zhvendoseshim tek shtëpia e xhaxhait që jetonte në fshatin malor Kamcisht. ‘Po ne këtu do na lini’, pyetën mysafirët të friksuar. Gjyshi u tha se ata jetonin me ne dhe do të vinin atje ku të shkonim ne. Çifutët i veshëm si fshatarë dhe i morëm me veteBabai shkruante se mundësinë për të strehuar kaq shumë familje çifute, e konsideroi privilegj dhe kjo i dha gëzim… Të jesh bujar është virtyt.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img