BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëRudina Hajdari: Vetëm 50% e fëmijëve me aftësi të kufizuara ndjekin arsimin

Rudina Hajdari: Vetëm 50% e fëmijëve me aftësi të kufizuara ndjekin arsimin

INVA HASANALIAJ

Një deklaratë e deputetes së opozitës Rudina Hajdari, për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar, nxiti “Faktojen” të bëjë një kërkim bazik në dy institucionet që disponojnë të dhëna. Nga ky kërkim konstatuam se për të njëjtën kategori, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë ka mospërputhje të theksuar të shifrave

“Vetëm 50% e fëmijëve me aftësi të kufizuara ndjekin arsimin”. Kjo ishte deklarata e deputetes Rudina Hajdari gjatë fjalimit në Kuvend në datën 28/10/2019. 

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” komunikoi me dy institucionet kryesore që disponojnë të dhëna për këtë çështje, Ministrinë e Arsimit Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Shifra e deklaruar nga deputjetja Hajdari përkon me ato Ministria e Shëndetësisë i dërgoi “Faktojes”. Për vitin 2018 rezulton se nga 14 992 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 8087 ndjekin arsimin çka përbën 53% të totalit.

Të dhënat e dërguara nga Ministria e Shëndetësisë  

Ndërkohë, nga tabela e të dhënave zyrtare e Ministrisë së Arsimit, janë 4686 fëmijë të cilët kanë ndjekur arsimin për vitin shkollor 2017-2018.

Nëse krahasojmë  shifrat e të dy ministrive për të njëjtin vit, na rezulton se gjatë vitit 2018-2019 sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 8087 fëmijë me aftësi te kufizuara ndjekin arsimin parauniversitar,  ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit ato janë 4686, pra thuajse gjysma që deklaron Shëndetësia.  

Ndërkohë të dhënat e organizatave ndërkombëtare, vënë në dukje një tjetër problematikë, vetëm 8% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë akses në shërbimet e integruara, të domosdoshme për ta. Problem madhor mbetet identifikimi i ketyre fëmijëve, dhe krijimi i kushteve të përshtatëshme për ndjekjen e arsimit të detyruar.

“Faktoje” tentoi të kontaktojë me deputeten Hajdari për ta pyetur se cilit burim i është referuar për shifrat e deklaruara, por nuk pati përgjigje prej saj.  

Nisur nga deklarata e deputetes Hajdari dhe të dhënave që “Faktoje” arriti të marrë në rrugë zyrtare, këtë deklaratë do ta kategorizojmë Gjysmë të Vërtetë  për shkak se ajo përputhet me të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, por jo me ato të Ministrisë së Arsimit. 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img