BallinaAktualitetPse janë të rëndësishme zgjedhjet e 14 majit 2023?

Pse janë të rëndësishme zgjedhjet e 14 majit 2023?

Të dielën e 14 majit qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe ekipin që do të qeverisë 61 bashkitë e vendit në mandatin e ardhshëm. Rëndësia e këtij procesi zgjedhor, në sytë e shoqërisë civile, lidhet me imazhin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, si procesi i parë pas hapjes së negociatave. Njëkohësisht ato konsiderohen si një test politik i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe ofrimit të një procesi pluralist dhe konkurrues.

Jona Plumbi

Në votimin për drejtuesit e bashkisë, qytetarët zgjedhin administratorin e qytetit për 4 vitet e ardhshme. Thirrjet drejtuar qytetarëve për të dalë në votime kanë qenë pjesë e punës që Komisoni Qendor i Zgjedhjeve i bën ushtrimit të së drejtës së votës.

“Voto, të dëgjohesh” është deviza e përdorur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të nxitur qytetarët të votojnë në 14 Maj.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve, nga pikpamja e shoqërisë civile është mesazhi që ky proces do t’i përçojë, si partive politike në vend ashtu edhe organizatave ndërkombëtare ku Shqipëria kërkon të bëhet pjesë, si Bashkimi Europian.


Ky është procesi i parë zgjedhor kombëtar që bëhet pas ndryshimit të statusit të Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian, pra qëkur u hapën negociatat. Ky proces do të konsiderohet si test për maturinë e institucioneve, Shqipërisë dhe reflektimit nga gabimet e tranzicionit.”

— Afrim Krasniqi, studiues, Instituti i Studimeve Politike

Drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, thekson rëndësinë e mesazhit që sjell vota e qytetarëve për partitë politike, pavarësisht nëse vetë qytetarët kanë apo jo shpresë se mund të sjellin ndryshimin, apo edhe nëse mendojnë se mos-dalja në votime është ndëshkim i mjaftueshëm për partitë politike.


“Qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit, të ushtrojnë të drejtën dhe detyrën që kanë për të votuar pasi nëse nuk marrin pjesë, fuqizojnë ata që janë duke votuar dhe ata kandidatë për të cilët janë të pakënaqur duke i dhënë mundësi të vijojnë të qëndrojnë në pushtet.”

— Erjon Tase, Akandemia e Studimeve Politike

Fakt është se rastet e votave të prishura me qëllim nga qytetarët, në procesin e numërimit dhe raportimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ nuk numërohen të ndara nga votat që janë të pavlefshme nga gabimet njerëzore. Kjo e bën edhe më të rëndësishme pjesëmarrjen në zgjedhje, pasi mesazhi i votës, siç thekson Erjon Tase, shkon për subjektin që po voton, por po ashtu edhe për ata që nuk po voton.

Në momentin që nuk janë të kënaqur me partitë e mëdha, është një mënyrë e mirë për të votuar kandidatë apo grupime të reja për të dhënë një mesazh për politikanët e vjetër që qytetarët reagojnë dhe nuk janë të kënaqur për mënyrën si qeverisen, por edhe për t’i dhënë shpresë lëvizjeve të reja që mund të kenë më shumë shpresë të sjellin përmirësimin dhe ndryshimin e politikës.”- përfundoi ai.

Afrim Krasniqi, këtë proces zgjedhor e sheh edhe si test politik që shkon në funksion të zgjedhjeve parlamentare dhe nëse Shqipëria e përmbush standardin e një pluralizmi efektiv, konkurrues dhe alternativ.

Rigels Xhemollari, aktivist i Qëndresës Qytetare thekson edhe faktin se pas këtyre zgjedhjeve vendi do mund t’i rikthehet një normaliteti në këshillat bashkiakë, të cilët kanë qënë njëngjyrësh prej votimeve pa opozitë të vitit 2019.


Rëndësia e zgjedhjeve të 14 majit qëndron në faktin që pas tyre do të krijohen Këshilla Bashkiakë heterogjene, me debat dhe diskutime, e për rrjedhojë me më shumë transaprencë brenda tyre.”

— Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare

Konteksti në të cilin vijnë zgjedhjet, pas atyre të vitit 2019 të bojkotuara nga opozita, sollën një pushtet monist në vend, me pushtetin qendror dhe atë lokal të 60 bashkive në vend të përqendruara në duart e një partie dhe një kryetari. Mungesa e një reforme zgjedhore përpara votimeve të këtij viti tregon mungesën e vullnetit të klasës politike për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rrjedhimisht përmirësimin e standardit të zgjedhjeve, gjë e cila do të reflektohet drejtpërdrejt në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Kjo mungesë e vullnetit politik të partive për demokratizimin e procesit zgjedhor, dhe konteksti i përqendrimit të pushtetit në duart e një partie politike e bëjnë veçanërisht të rëndësishëm procesin zgjedhor të 14 majit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në to.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img