BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTitull bombastik për Ilva Taren për të tërhequr klikime

Titull bombastik për Ilva Taren për të tërhequr klikime

Një artikull i publikuar nga portalet, ku pretendohet se gazetarja e njohur, Ilva Tare po bën dicka të “pabesueshme” në SHBA, është thjesht një manipulim i audiencës. Faktoje verifikoi se lajmi nuk ka asnjë lidhje me titullin dhe portali duket qartë që ka abuzuar me qëllim tërheqjen e klikimeve.

Në janar të këtij viti, portalet kanë publikuar një artikull në lidhje me Ilva Taren, ku nëpërmjet titujve “bombastikë” flasin për një angazhim të “pabesueshëm” të gazetares në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

U largua nga televizioni pas 25 vitesh karrierë, s’do e besoni dot se çfarë pune bën Ilva Tare në Amerikë”, shkruan portali “Lajmi i Fundit”. 

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali 

Nëse do të shohim më tej në brendësi të artikullit vihet re që pjesa më e madhe e faqes është e mbushur me reklama, ku çdo klikim mbi to përkthehet në përfitime financiare për portalin. Poshtë tyre ndodhet një pjesë e tekstit, që flet mbi jetën e gazetares së njohur Ilva Tare, pa dhënë detaje se çfarë po bën konkretisht gazetarja në SHBA.

Në këtë artikull, vihen re edhe gabime drejtshkrimore dhe shenja pikësimi të panevojshme, të bëra me qëllim nga portali për të mos u kapur nga motorët e kërkimit.

Gazetarja Ilva Tare është ‘bërë e gjallë’ pas zhvendosjes përfundimisht në Amerikë. Në një postim në Twitter ajo bëri me dije se do të marrë pjesë në Samitin e rëndësishëm të demokr.atëve në SHBA”, shkruan ndër të tjera portali “Lajmi i Fundit”.

Në të gjithë këtë artikull nuk thuhet asgjë mbi punën e gazetares në SHBA dhe titulli ‘sensacional’ është bërë thjesht me qëllim për të tërhequr lexuesit. Në këtë shkrim, shihet qartë që nuk ka asnjë lidhje mes titullit dhe tekstit.

Në qershor të vitit 2021, Ilva Tare njoftoi largimin nga ekranet shqiptare pas 25 vitesh punë në televizion.

Kemi kaluar shumë së bashku unë dhe ju… dhe tani është momenti që unë ta mbyll këtë kapitull, për t’i dhënë më shumë kohë familjes sime. Është koha të nis një kapitull të ri, në një stacion tjetër të jetës sime” – bëri të ditur Ilva Tare, rreth 2 vite më parë.

Ndërkohë, që prej vitit të vitit të shkuar, Ilva Tare është bërë pjesë e Këshillit të Atlantikut, Qendra për Europën. Nëpërmjet një postimi në Twitter, ajo njoftoi: “Jam e emocionuar të ndaj disa lajme personale: që nga 1 prilli, jo vetëm që jetoj në anën tjetër të Atlantikut, por kam filluar të punoj me Këshillin e Atlantikut në Uashington DC, ku do të lançoj serinë Balkans Debrief”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img