BallinaPertejPremtimet i bëri qeveria, ndihmën ua dha Zoti

Premtimet i bëri qeveria, ndihmën ua dha Zoti

Të ndodhur mes dy fatkeqësive, tërmeti nga njëra anë dhe pandemia nga ana tjetër, shumë persona në Shqipëri u gjendën në nevojë emergjente për plotësimin e kërkesave minimale të jetesës. “Faktoje” shkoi në terren në zona të ndryshme rurale të goditura nga tërmeti dhe të rënduara nga pandemia për të parë situatën nga afër. Ajo që konstatuam ishte një përpjekje minimale nga ana e shtetit për t’iu gjendur me ndihma banorëve, të cilët thonë se u ndihmuan nga komunitetet fetare dhe shoqatat e bamirësisë.


Thumana u kthye në simbolin e tragjedisë që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, për shkak se gjysma e viktimave i përkiste vetëm kësaj zone, me 24 jetë të humbura. Mijëra të tjerë mbetën të pastrehë të cilëve qeveria u dha çadra ku kaluan dimrin e tani përballen me motin e nxehtë. Në 7 maj “Faktoje” shkoi në terren, për të verifikuar se çfarë po bëhej me premtimet e qeverisë për strehimin dhe ndihmat ushqimore të premtuara nga qevera. Ashtu siç kemi shkruar më parë, banorët na rrëfyen se ndihmat më të mëdha kanë ardhur nga kisha, e cila i ka mbështetur jo vetëm me ushqime, por kryesisht me kontenierë ku të banojnë, për shkak se jetesa në çadra për ta ishte një torturë.

Strehimi nuk është i vetmi funksion që është mundësuar nga institucionet fetare dhe organizatat e bamirësisë. Gjatë verifikimit në terren të premtimit të qeverisë se do të rindërtonte shumë shpejt spitalin e Laçit, “Faktoje” konstatoi githashtu, se jo vetëm që spitali kishte mbetur një gërmadhë e paprekur, por funksionin e tij e kryente ndërtesa e një organizate bamirësie.

“Faktoje” shkoi në zonën e Ishmit më 26 qershor ku familje të mbetura pa strehë jetojnë ende në çadrat e ‘dhuruara’ nga shteti. Po atë ditë takuam përfaqësues të Kishës Ungjillore të cilët po transportonin një kontenier për në fshatin Gjuricaj, ku një familje jetonte në kushte skandaloze nën një çadër qëku iu dëmtua shtëpisa nga tërmeti.

Foto e realizuar nga “Faktoje” gjatë transportimit të kontenierit, 26 qershor 2020

D.T., 48 vjeç është kryefamiljar i një familjeje me 6 veta. Ai tregon se shtëpia e tyre u bë e pabanueshme, në shkallën maksimale të dëmtimit, DS5.

Foto e shtëpisë së dëmtuar në masën DS5, 26 qershor 2020

Ata kanë ndenjur në çadër dhe tregojnë se kanë muaj pa marrë bonusin e qerasë, me të cilat familjet në zonat rurale janë trajtuar si me ndihmë ekonomike:

“Sa ka ra tërmeti nuk kemi marrë, kemi 4 muaj që nuk marrim. Kemi kërkuar dhe ndihmë, por nuk na kanë dhënë. Një herë na ka sjellë ushqime Kryqi i Kuq dhe një herë kisha që na solli kontenierin”- tha ai.

Foto e kontenierit të transportuar, 26 qershor 2020

Ne biseduam dhe me I.F. 48 vjeç, i cili jeton me bashkëshorten dhe 3 fëmijët. Shtëpia e tyre është shpallur pabanueshme, në shkallën DS5, ndërsa qeveria i kishte vendosur në një çadër.

Por për familjen, jeta në çadër ishte e pamundur, ndaj në përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar kushtet, kishte improvizuar një barakë.

Foto e barakes së improvizuar, 26 qershor 2020

Foto në brendësi të barakes, 26 qershor 2020

“Nuk rrihej në çadër dhe ndërtuam barake. Ça të bënim, rrinin dot kalamajt në shi, në të ftohtë, në dimër? Këtu ndenjëm deri sa na solli kisha kontenierin në fund të shkurtit. E kam dhe djalin alegjik nga pluhurat, bimët, lagështira. Nuk rrinte dot në çadër.” – thotë I.F, i lodhur nga hallet dhe vështirësitë që po kalon që prej tërmetit të nëntorit.

Foto e kontenierit të dhënë nga kisha, 26 qershor 2020

Edhe kjo familje tregon se prej 2-3 muajsh nuk po e merr bonusin e qirasë, pasi u duhet të shkojnë deri në Durrës, por transporti deri atje, aq më tepër në këtë kohë pandemie është kosto më vete. Kur e pyetëm kryefamiljarin nëse ka marrë pako me ushqime, siç ka premtuar kryeministri, ai përgjigjet:

“Ka mbi 3 muaj që nuk na ka ardhur askush, dhe nuk na ka sjellë ndihma ushqimore dhe ansjë lloj gjëje.”

Ne shkuam edhe në familjen e A.M. 49 vjeç, kryefamiljar i një familjeje me 5 anëtarë. Gjurmë nga shtëpia e tij nuk gjetëm, vetëm bazamenti mbi të cilin dikur ngriheshin muret.

Foto e vendit ku dikur ndodhej shtëpia, tashmë e rrafshuar plotësisht, 26 qershor 2020

Ai thotë se as çadër nuk kanë dashur t’i sjellin pasi nuk i figuronte emri në listë, ndërsa përballë mundësisë për të fjetur në qiell të hapur me familjen e tij, është detyruar ta marrë me forcë. Vetë vazhdon të flerë në çadër së bashku me gruan, ndërsa vajzat i ka sistemuar në kontenierin që kisha ia ka sjellë më 11 mars.

“Këto shoqatat që kanë ardh me na pa hallin, erdhën e prunë Pastor Gencin. Ai, në bashkëpunim me stafin e vet morën përsipër dhe prunë kontenierin, bashkë me një pastor nga Fieri. Ata erdhën dhe më janë gjind jashtë mase.” – thotë për “Faktoje” 49-vjeçari.

Foto e kontenierit të dhënë nga kisha, 26 qershor 2020

“Faktoje” bisedoi me Pastor Genci Shehun, përfaqësues i Kishës Ungjillore i cili tregon sesi arriti të vihej në kontakt dhe të ndihmonte banorët.

“Kontakti erdhi nga nevojat e mëdha që tërmeti i 26 nëntorit krijoi në rrethin e Durrësit, veçanërisht në fshat. Kishat dhe organizatat e rrethit Durrës, në kuadër të “Aleancës së Durresit” të Vëllazerisë Ungjillore të Shqipërise (VUSH), kanë ndihmuar mijëra vetë të zhvendosur nga tërmeti me ushqime, veshmbathje, materiale logjistike e kontenierë.”- tha ai.

Zoti Shehu thotë se deri në këtë moment numri i kotenierëve të vendosur nga kisha apo organizata ungjillore në zonën e Ishmit është 8, ndërsa ato janë pajisur edhe me njësi të reja mobilimi.

“Faktoje” kontaktoi edhe me Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë për ta pyetur mbi numrin e kontenierëve të shpërndarë nga komuniteti fetar. Përfaqësues të VUSH thanë se janë shpërndarë mbi 30 kontenierë në Thumanë, në Klos të Burrelit, Vorë, Marikaj, Pezë, Ishëm dhe Porto Romano. Megjithatë ata specifikuan se ky numër nuk është i plotë, pasi shumë kisha kanë ndihmuar edhe në mënyrë individuale pa dërguar të gjitha detajet tek VUSH.

Nga një takimi i datës 11 maj, përmes videokonferencës me donatorët për ecurinë e procesit të rindërtimit, ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj raportoi për mbi 2700 familje që jetojnë ende në cadra.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 11 maj 2020

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 11 maj 2020

Familjet e raportuara që jetojnë në çadra, janë kryesisht në zonat rurale dhe vijojnë të përballen me kushte ekstreme të mbijetesës ndërsa presin të kenë më në fund një shtëpi ku të fusin kokën.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img