BallinaTë pambajturaLaçi pa spital pas tërmetit, pacientët në “dorën e Zotit”

Laçi pa spital pas tërmetit, pacientët në “dorën e Zotit”

Më shumë se gjysmë viti nga dëmtimi i spitalit në Laç prej tërmetit të 26 nëntorit, ende nuk ka nisur rindërtimi i premtuar nga qeveria. Mjekët e Laçit që mbulojnë nevojat e 80 mijë banorëve, janë zhvendosur në një qendër bamirësie të improvizuar si spital dhe punojnë në kushte lufte. Në një hapësirë krejt të pamjaftueshme për një spital, u shërbehet pacientëve, priten rastet e urgjencës, kryhen vizitat dhe vijnë në jetë foshnjat, duke sfiduar edhe kërcënimin nga pandemia e covid-19.

—————————————————————————————————————————————-

Tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa, përfshirë edhe Spitalin e Laçit, i cili u ofronte shërbim rreth 80 mijë banorëve. Për spitalin që doli jashtë funksionit, tre përfaqësues të qeverisë premtuan se do të rindërtohej së shpejti.

Postimi për ardhjen në jetë të një bebeje në Laç, në kushte të vështira pune, e nxiti “Faktojen” të verifikojë se çfarë po ndodh me rindërtimin e spitalit rajonal, jashtë funksionit që prej nëntorit të vitit të kaluar.

Pak javë pas tërmetit të 26 nëntorit, kur qeveria ende po bënte verifikimet dhe llogaritë për dëmet, u dhanë disa premtime për rindërtimin e spitalit të Laçit.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në datën 11/12/2019  u garantoi qytetarëve në Laç se shërbimi i përkohshëm i urgjencës nuk do të ndërpritej në asnjë moment, ndërkohë që po merreshin masa për një zgjidhje më të qëndrueshme, deri në rindërtimin e spitalit bashkiak të Laçit.

Vetëm dy ditë më pas, në datën 14/12/2019 kryeministri Rama gjatë një inspektimi në këtë spital tha se shumë shpejt do të niste puna për ndërtimin e godinës së re.

 

Rindërtimi i ndërtesave që ofrojnë shërbimin shëndetësor u premtua edhe nga drejtuesi qëndror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, Bledi Çuçi, i cili  ka deklaruar në 2019-n se procesi do të fillojë me shkollat dhe qendrat shëndetësore.

Nisur nga këto deklarata “Faktoje” fillimisht pyeti  Ministrinë e Shëndetësisë nëse  ka filluar puna për rikonstruktimin e spitalit të Laçit, por  deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi një përgjigje.

“Faktoje” shkoi në terren për të parë gjendjen e spitalit dhe nëse punimet  kishin filluar. Ndërtesa ishte tërësisht e  boshatisur dhe nuk kishte asnjë shenjë të fillimit të punimeve.

Nga bisedat që bëmë me banorë të zonës dhe personelin mjeksor mësuam se të gjitha shërbimet spitalore në Laç ishin zhvendosur në një ndërtesë tjetër, jo shumë larg spitalit të shpallur i pabanueshëm. Ndërkohë, godina që shërben si spital ështe një qendër bamirësie.

 

 

Brenda kësaj hapësire  kryhen të gjitha vizitat për pacientët, pritjet e rasteve të urgjencës dhe lindjet.

“Është  shumë stres për ne, ja në këtë hapësirë të presësh të gjithë pacientët. Më e vështirë për ne është kur një pacient i cili mund të ketë një temperaturë nuk  arrijmë ta mbajmë dot më shumë se një ditë nën vëzhgim, sepse nuk kemi shumë shtretër në dispozicion. Detyrohemi e ndjekim  me telefonatë  nga shtëpia për të parë  nëse ka simptoma të cilat lidhen me Covid-19, por kjo nuk  është punë , nuk është ajo që bëjnë mjekët me pacientët. Çdo pacient duhet ndjekur nga afër si rast”-tha mjeku i cili kërkoi të mbetej anonim.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img