BallinaAktualitetPolitikanët e 2020-s me premtimet e 1990-s

Politikanët e 2020-s me premtimet e 1990-s

Mbetet një vit nga zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare dhe vëmendja e aktorëve politikë, edhe ata jashtë parlamentit është e gjitha për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike vazhdon turin e takimeve nëpër Shqipëri, ku përsërit premtimin për bukë, ujë dhe drita. Tre dekadat që ndajnë 2020-n nga ndryshimi i sistemit dhe partive në pushtet, kanë lënë të pandryshuar varfërinë. Një e treta e popullsisë sot jeton me rrezikun për tu bërë i varfër.

Në takimin me qytetarë nëpër Shqipëri, kreu i opozitës jashtëparlamentare Lulzim Basha ka bërë disa premtime, por mes tyre njëri përsërtitet prej dekadash.

Në planin tonë të pamundurit nuk do të braktisen, por do të jetë buxheti i shtetit që do t’iu mundësojë, bukë, ujë e drita siç bën çdo qeveri e përgjegjshme sot në botë”- tha Basha gjatë një takimi në Kamëz.

Edhe pse jemi në vitin 2020, në Shqipëri ende premtohet garantimi i kushteve bazike.

Sa shqiptarë jetojnë nën kushtet minimale?

Afërsisht një e treta e popullsisë shqiptare ndodhet në rrezik për të hyrë në kufijtë e varfërisë.

Të dhënat u prezantuan nga Instituti i Statistikave (INSTAT) kur publikoi në fund të vitit 2019 anketën për matjen e nivelit të jetesës në vendin tonë.

Janë 671 mijë persona të cilët jetojnë me aq pak të ardhura, sa rrezikojnë të futen në kufirin e varfërisë.

Të ardhurat mesatare për frymë në vendin tonë gjatë vitit 2018 arritën në 26 mijë e 100 lekë.

Dy grupet që rrezikohen më shumë për t’u prekur nga varfëria janë familjet me shumë fëmijë dhe pensionistët.

 30 vite tranzicion dhe vuajnë ende për bukë-ujë-drita

Entela Binjaku, sociologe, thotë se është zhgënjyese dhe dramatike që pas 30 vitesh premtohen gjëra bazike. Fushatat e politikës shqiptare sipas saj tashmë janë kthyer në pikën fillestare, u premtohet e njëjta gjë: minimumi jetik.

Sapo kemi përkujtuar për herë të 30-të “2 korrikun e ambasadave” që na risjell në kujtesë dëshirën e madhe të shqiptarëve për t ‘i ikur varfërisë dhe nevojën e madhe për të takuar një botë të re e të lirë. 30 vjet më pas, të dëgjosh që familjarëve të të ikurve në atë kohë, por edhe më pas, u premtohen ato që mungonin në atë kohë e mungojnë ende: mbijetesën, është sa dramatike po aq edhe zhgënjyese. Dramatike, sepse rruga drejt integrimit në BE edhe pse ka qenë shumë e mundimshme, ende popullata ndodhet në nivelin e parë të nevojave: ato bazike. Zhgënjyese, sepse pritshmëritë e qytetarëve janë të tradhtuara edhe pse ato janë premtuar periodikisht në çdo dy vjet. Premtime të këtilla tregojnë se nëse në vitin 2020 ligjërimi politik përmban premtimin për përmbushjen e minimales së mundur,  për nevojat të tjera as që është menduar. Po a është qytetari shqiptar i 2020-s ai i 1990-ës?”- ngre shqetësimin Binjaku.

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë tha për Faktoje se ky është një lloj populizmi ekonomik tipik i fushatave.

Ky është populizëm ekonomik, karakteristikë e fushatave në Shqipëri. Është çështje propagande, duan “të prekin telat” e të varfërve. Nga ana tjetër ka edhe një referencë kushtetuese, pasi shteti është përgjegjës për sigurimin e minimumit bazë për të gjithë shtetasit. Ky lloj populizmi ka ndodhur prej vitesh, por shpresoj që kur të vijë në pushtet (Lulzim Basha) ta mbajë këtë premtim”- tha Preçi.

 

 

*Fotoja kryesore nga profili i z.Basha

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img