BallinaPertejOrikumi me sytë nga deti, bizneset presin të nisë sezoni

Orikumi me sytë nga deti, bizneset presin të nisë sezoni

JOEL ÇELA & MERXHAN DACI

Muaji korrik i ka gjetur qytezën e Orikumit dhe bizneset buzë detit thuajse të boshatisur. Një vit më parë, në këtë periudhë ishte e vështirë të gjeje dhoma në hotel, pasi prenotimet nisin që në muajt e dimrit. Bizneset lokale raportojnë se të ardhurat nga turizmi sivjet po shkojnë në pikiatë, ndërkohë që taksat që s’kanë ndryshuar apo shpenzimet për rinovime, vetëm sa po ua thellojnë humbjet në këtë situatë pandemie.

Është e hënë korriku dhe në Orikum nuk ka shumë lëvizje përveç ndonjë automjeti që shkon drejt bazës së Pashalimanit. Çadrat e plazhit janë kryesisht të mbylluara, jo sepse kjo fillimjave pati mot me erë, por sepse pandemia e COVID-19 e ka paralizuar qytezën, që në këtë periudhë zakonisht gumëzhin nga pushuesit. Sot ata mund të numërohen me gishtat e dorës.

Kamerieri i një prej bareve pranë detit në Orikum, i ri në moshë, i tha Faktoje se turistë këtë vit ka shumë pak.

Po punojme vetëm fundjavave. Puna ka rënë me thuajse 50%. Si fillim korriku që është duhej të ishte plot normalisht. Më shumë punojmë në gusht, tani të shohim”-tha ai.

Një prej bareve sezonale të plazhit në Orikum po ngrihet tani, ndërsa deri vjet përgatitjet fillonin që në pranverë. Arsyen na e tregon një nga pronarët.

Këtë vit u vonuam prej lejes se u bë edhe aplikimi online, plus që dhe pandemia pati ndikimin e saj. Punën më të madhe e bëjmë me shezllonet. Këto janë sezonale, e montojmë dhe e çmontojmë”- i tregoi ai Faktojes.

Pronarja e hotel Sunrise në Orikum tha për Faktoje se po përjetojnë stres teksa nuk shohin shumë njerëz që të frekuentojnë biznesin e tyre dhe qytezën e Orikumit.

Jemi shumë të shqetësuar, shumë të mërzitur, se nuk kemi asnjë përkrahje nga shteti. Unë jam vetë i gjashtë, burrin, djalin me nusen pa punë, me dy fëmijë të vegjël. S’kemi njeri me të ardhura që të kompensojë vitin. Taksat, detyrimet i paguajmë, bashkia nuk është se ka bërë ndonjë ulje për shkak të pandemisë, atë tarifë që ka qenë vjet dhe sivjet. Kam dy kredi. S’është se ka Orikumi ndonjë aktivitet tjetër që mbasi mbaron sezoni të punojmë”.

Ajo na tregon me hollësi se si anulimet që kishin nisur që në dimër u shtuan me shfaqjen e pandemisë.

“Prenotimet fillojnë që në janar. Ne kishim prenotime aq shumë dhe u anuluan. Sa kishin filluar prenotimet. Ne me të huajt kemi punuar jashtë mase. Siç e sheh, kam vetëm stafin, asnjë klient, asnjë makinë, asgjë. Në hotel janë 20 dhoma, 4-5 i zëmë vetë. Në këtë periudhë mund të jenë 17-18 të zëna, tani nuk ka asnjë. Bëjmë sakrificë për maksimumi dy muaj behar. Kemi 5 vjet që kemi punuar me biznesin, po ka nevojë për rinovime. Na shkon mirëmbajtja goxha lekë”.

Hotel Sunrise

Fabio, djali i pronares që pranoi të na tregonte për vështirësitë që po has këtë sezon veror, ulet për të na treguar më shumë për Orikumin dhe biznesin familjar.

Është zonë shumë e varfër dhe e lënë pasdore. Nuk është zonë e studiuar. Nuk i bëhet reklamë sa duhet. Nuk bëhet një promovim i vlerave. Nuk ka asnjë lloj mënyre menaxhimi. Nuk ka asnjë dritë jeshile. Klientelë të huaj kemi zakonisht 70%, dmth varemi nga ata. Të tjerët janë rastësorë. Llogaria për qershorin dhe majin nuk del, nuk ka shanse, del me minus!- tregon ai i shqetësuar për të ardhmen e pasigurt që po i shkakton kjo situatë.

Shënimet e Fabios me rezervimet e vetme të këtij sezoni

Agimi është një nga pushuesit e paktë që ka ardhur në Orikum. Ai tregon se çmimet e akomodimit janë të përballueshme.

Po rri në një shtëpi me qira këtu në Orikum. Çmimi është 25 mijë lekë të vjetra nata. Për mua nuk është keq. Duket që s’është situatë normale”- tha ai për Faktoje.

Shpend Mustafa, pronar i hotelit Alba-Gert në Orikum i tha Faktoje se tani turistët vijnë kryesisht vetëm në fundjavë.

Duke patur parasysh fluksin që kemi pasur të viteve të tjera, nga të gjithë vendet e botës p.sh. Rusia, Ukraina etj. në vite normale ka qenë 90% klientelë e huaj, kurse tani është 3 %. Kapaciteti ynë është 20 dhoma. Por të zëna s’janë as katër dhoma. Në këtë periudhë kanë qenë të zëna totalisht. Të gjitha. Kemi marrë edhe dhoma hua se kam klientelë timen që kërkojnë. Vjet me datën 3 korrik kam marrë hotel me qira. S’kisha mundësi t’i përballoja. Disa vite ka qenë puna shumë mirë” – thotë ai duke shtuar se kostot e rinovimeve këtë vit kanë shkuar rreth 55 mijë euro. Rinovimet i filloi në tetor dhe i përfundoi një javë përpara se të shfaqej pandemia në Shqipëri.

Hotel Alba-Gert

Mustafa tregon se humbja për këtë vit deri më tani është shumë e madhe.

Prenotimi fillon që nga muaji nëntor nga të huajt me Booking. Më ka mbajtur hotelin plot, tërë kohën. Këtë vit janë anullua,r 25 mijë euro pa frikë. E kisha hotelin të garantuar për gjithë sezonin. Anulimet kanë vazhduar gjithë kohën. Shumica më vjen keq se kanë afruar deri tani edhe më drejtohen, më pyesin. I them unë anulloje, s’është problem. S’ke penalizim” – na tregon ai.

Ndër të tjera, Mustafa thotë se përgjegjësia që mund t’i ngarkojë shtetit sot është që t’i shikojë më shumë bizneset, pasi nuk ka logjikë që të paguajnë kur nuk po fitojnë.

Më shumë gjërat shteti duhet t’i verifikojë në terren. T’i shikojë, ore ça po bëhet? Dakort, na dha ca lekë për ata të punësuarit që ngelën pa punë. Por nuk mund të paguajmë kur s’fitojmë. Të gjitha taksat e bashkisë unë i kam paguar. Ka njerëz në plazh? S’ka. Si do e paguaj plazhin unë?”- thotë Mustafa.

Më shumë për Orikumin

Sipas të dhënave të CENSUS-it 2011 popullsia e Orikumit ishte 5500 banorë. Njësia përfshin fshatrat Dukat Fushë, Tragjas dhe Radhimë.

Orikumi News, një media lokale në zonë, në fund të vitit 2017 kishte listuar afro 60 biznese shërbimi ose tursitike në Njësinë Administrative të Orikumit.

Sot, nëse kërkon në platformën e njohur të rezervimeve Booking.com për një akomodim në Orikum gjen së paku 60 mundësi.

Në fillim të qershorit 2018 kryeministri Rama ishte në Orikum nga ku paraqiti objektivin e qeverisë së tij për 10 milionë turistë të huaj brenda pesë viteve të ardhshme. Deri atëherë, qeverisë dhe komunitetit do t’i duhet ende ‘shumë rrugë’ dhe angazhim për t’ia arritur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img