BallinaNë lupën e FaktevePolicia e Shtetit ‘në borxh’ me efektivët, pagesa të prapambetura dhe jo më shumë se 16 orë shtesë në muaj

Policia e Shtetit ‘në borxh’ me efektivët, pagesa të prapambetura dhe jo më shumë se 16 orë shtesë në muaj

Klementina Cenkollari

Në nëntor 2021 drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano premtoi pagesën e orëve shtesë, pagesat e prapambetura dhe rritjen e pagës për policët që punonin larg vendbanimit. Por efektivët e policisë, në rastin më të mirë paguhen vetëm për 16 orë shtesë, edhe pse ato mund të bëjnë dyfishin e kësaj kohe jashtë orarit për shkak të ngjarjeve në terren, pa përmendur angazhimin pas tërmetit të nëntorit 2019. Drejtoria e Policisë së Shtetit, zyrtarisht thotë se pagesat janë shlyer, por policë të gradave të ndryshme pohojnë se qeveria është ende në borxh dhe ata as mund të protestojnë për atë që u takon.

—————————————-

Në nëntor 2021, kur edhe mori detyrën, vendimi i parë në krye të Policisë së Shtetit i Gledis Nanos ishte pagimi i detyrimeve të prapambetura financiare të gjithë efektivëve të policisë në vend për orët shtesë që kanë mbetur pa paguar përgjatë viteve.

Sipas tij, këto para do të paguhen nga fondet e policisë, por edhe nga paratë e konfiskuara nga krimi.

“Shpenzimet e personelit, të cilat rriten me rreth 200 milionë lekë, sigurojnë trajtimin e plotë të punonjësve të Policisë, me pagat e shtesat mbi pagë, pagesën e punës në orët e natës, pagesën e mbikohës së punës, trajtimin e veçantë për rreth 1179 punonjës që punojnë jashtë qendrës së banimit, të cilët, duke filluar nga janari 2022, do të marrin shtesë 50 % të pagës aktuale. Për herë të parë këtë shtesë do ta përfitojnë edhe punonjësit e rolit bazë me gradën inspektor”- do të shprehej aso kohe Gledis Nano.

Një deklaratë e tillë gëzoi jo pak punonjësit e Ministrisë së Brendshme, të cilët në total arrijnë në rreth 14 300 individë.

Gjatë një verifikimi për “Faktoje” mësuam se nga janari, tashmë efektivët e Policisë së Shtetit kanë filluar të marrin pagesat për orët shtesë si dhe për dietat, por në mënyrë të paplotë.

Kreu i Sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta sqaron:

“Orët shtesë paguhen çdo tre muaj, por jo më shumë se 16 orë në muaj…kur nuk kanë mundësi brenda dy muajve t’u japin pushim. Ligji lejon pagesat deri në 192 orë në vit.”

Ai thotë për “Faktoje” se specialistët dhe ndihmës specialistët e krimeve dhe të rendit në terren punojnë orar pa orar dhe nuk paguhen. Problematike mbetet edhe pagesa për punonjësit e policisë rrugore.

“Edhe pse duhet të punojnë si gjithë të tjerët, 40 orë në javë, deri tani puna e tyre në terren për zbulimin, parandalimin e dokumentimin e krimit nuk është e ndarë në turne.  Drejtori i Përgjithshëm ka nxjerrë urdhër për të reformuar strukturat. Të shikojmë se si do të zbatohet në praktikë. Abuzohet shumë dhe me punonjësit e qarkullimit rrugor me mbingarkesë pune, pa u dhënë pushime apo pagesë për orët suplementare. Ata punojnë mbi 40 orë plus në muaj, por paguhen vetëm 16 orë suplementare. Pagesa 16 orë në muaj për mbikohë pune që realisht bëjnë mbi 40 orë në muaj, është shkelje e Kodit të Punës”- nënvizon Fishta.

Ne iu drejtuam dhe Drejtorit të Përgjithshëm të  Policisë së Shtetit për dhënien e pagesave për orët shtesë. Indirekt edhe z. Nano e pranon kufizimin e 200 orëve shtesë në vit. “Trajtimi financiar për mbikohën e punës dhe të shërbimit, bazohet  në Aktet, Kodi i Punës i ndryshuar me Ligjin nr.136/2015, date 05.12.2015, nenet 88, 89 dhe 90, Ligjin nr.108/2014, date 31.07.2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar  dhe Vkm nr.101, date 15.02.2017 “Për kohen e punës dhe të pushimit në Policinë e Shtetit”. Këto Akte normojnë të drejtën për të trajtuar financiarisht treguesin e mbikohës se punës dhe shërbimit , “jo me shume se 200 orë në vit”, thekson ai.

I pyetur nëse punonjësit paguhen për më shumë se 16 orë shtesë në muaj, Nano sqaron:

“Punonjësit e policisë përfitojnë trajtime shtese sipas akteve të përcaktuara ne piken 1, dhe për këto janë trajtuar, sipa aktivizimit të tyre në sherbime plotesuese.

Në total,efektet financiar për ketë trajtim, për vitin 2021, janë në shumën 389,450 mijë lekë, ndërsa për 3-mujorin e parë të vitit 2022, janë  në shumën 59,810 mijë lekë. Pra qe cdo trajtim i punonjesve te policise behet  bazuar ne aktet ligjore sipas pikes 1 Bazuar në sa me sipër, e drejta e normuar është buxhetuar, aktualisht jemi në kushtet kur për ketë tregues nuk ka detyrime të prapambetura”, thuhet në përgjigjen e z. Nano, për “Faktoje”.

Ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare edhe Policisë së Shtetit për të marrë informacion në lidhje me pagesat e prapambetura të efektivëve të policisë, për orët shtesë.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian se për trajtimin e treguesit “mbikohë pune dhe shërbimi”, në Buxhetin e Policisë së Shtetit, çdo vit buxhetor planifikohen fonde, të cilat ndryshojnë sipas nivelit të detyrimeve të maturuara, të cilat shlyhen sipas mundësisë së buxhetit. Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, ndihmuar edhe nga mungesat organike, detyrimet e maturuara janë buxhetuar në masën e plotë.

Përkundër këtij qëndrimi, rezulton se pagesat jepen, por jo për të gjitha orët shtesë që do t’u takonin normalisht efektivëve të policisë.

Një fakt të tillë na e pohon edhe një prej efektivëve të policisë së shtetit që punon tek struktura kundër krimit të organizuar në kryeqytet, i cili kërkoi të mos  identifikohet.

“Më tepër marrin patrullat që merren gjatë ndeshjeve në stadium. Një pjesë të lekëve që na takonin i morëm dy muaj përpara, por varet kur çelet fondi nga ana e Ministrisë së Brendshme. Më tepër është çështje vonese ndër vite dhe mungesë fondesh. Nuk pyet njeri për orët se dihet situata”- thekson ai për Faktoje.

Punjonjësi i policë tregon se të drejtat e tyre e kanë të pamundur që t’i kërkojnë qoftë edhe duke protestuar. Sipas tij, një organi të sigurisë siç është Policia e Shtetit i është ndaluar protesta dhe problemet duhet t’i zgjidhin me eprorin, e nëse dhe këtu nuk mundet, duhet të komunikojnë me eprorin e eprorit.

Gjatë verifikimit, “Faktoje” mësoi se zgjidhje të pjesshme kanë marrë dhe vonesat e pagesave për punët jashtë orarit të efektivëve të policisë të angazhuar gjatë periudhës së tërmetit.

“Në total, efektet financiare për këtë trajtim, për vitin 2021, janë në shumën 389,450 mijë lekë, ndërsa për 2-mujorin e parë të vitit 2022, janë në shumën 35,857 mijë lekë”- bën me dije zëdhënësi i Policisë së Shtetit.

E teksa efektivët e policisë presin me shpresë për të marrë orët e plota shtesë, BE vijon që t’i lerë si detyrë Shqipërisë rritjen e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe të kapaciteteve të saj.

“Hetimet financiare duhet të shoqërojnë procedurat penale sistematike. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të rritur numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivel të lartë. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar krimin kibernetik, trafikimin e qenieve njerëzore dhe rastet e pastrimit të parave”- thuhet në progresraportin e fundit.

Pjesë nga Progresraporti 2021

Orët suplementare, një histori që përsëritet ndër vite

 Prej disa vitesh, efektivët e Policisë së Shtetit janë ankuar për mungesë të pagesës për orët shtesë si dhe për dietat. Mospagesa e orëve suplementare bie ndesh jo vetëm me ligjin e policisë, por edhe me kontratën kolektive, si dhe me Kodin e Punës. Në nenin 5 të kontratës është përkufizuar koha normale e punës dhe shtesat mbi pagë për kohëzgjatjen e saj. Sipas këtij neni, në sistemin e punës së shërbimit policor, koha normale javore e punës është 40 orë. Orari i punës përcaktohet në përputhje me interesat e palëve, përjashtuar rastet e përcaktuara me ligj dhe specifikat konkrete të vendit të punës. Gjithashtu, në nenin 5 deklarohet se punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Në nenin 90 të Kodit të Punës deklarohet se për punë suplementare, si dhe kur kërkohet për emergjenca të ndryshme për situata jo të zakonshme, sasia e orëve nuk mund të jetë më shumë se 10 orë në javë. Ndërsa në nenin 91 shtohet se orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë 25 për qind më shumë se orët normale.

Ligji: Neni 81:

1)Çdo punë e kryer nga ora 19:00 deri 22:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20%.

2) Çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 deri 06:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë, jo më pak se 50%.

Neni 91:

Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj. Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor, ose të ditëve të festave zyrtare, kompensohen me pushim, ose pagë të paktën 50% më të madhe se orët suplementare ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës (shërbimit).

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img