BallinaNë lupën e FakteveKur do të jetë hera e fundit që votohet pa diasporën?

Kur do të jetë hera e fundit që votohet pa diasporën?

Diaspora shqiptare që llogaritet në rreth 1.7 milionë individë, ku 1.3 janë në moshë mmadhore, duhej të kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit vitin e kaluar, sipas premtimit që kryeministri Rama bëri në 2017-n. Në terma realiste, votimi i diasporës mund të mbetet një premtim i realizuar pa afat, për shkak të sfidave madhore që nisin me krijimin e regjistrit të zgjedhësve e deri tek mënyra e votimit apo numërimit të votave, që përveç vullnetit politik, kërkon kosto domethënëse.

Patris Pustina

“Kjo është hera e fundit që ju nuk mund të votoni direkt nga ku ndodheni, motra dhe vellezër emigrantë, sepse ne kemi nisur punën: një punë kolosale për të regjistruar shqiptarët jashtë Atdheut.”

Kështu premtoi kryeministri Rama para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Fakt është se në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 25 prill 2021, për Kuvendin e ri, diaspora nuk votoi dhe çështja që shtrohet tani është se cilat janë shanset që votimi i tyre të bëhet realitet në zgjedhjet e radhës të përgjithshme.

Sa realist është krijimi i Regjistrit të Gjendjes Civile para zgjedhjeve të 2025-s ?

Nëse një emigrant do të kërkonte përgjigje në faqen online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës nga vendi ku jeton dhe punon, do të haste në krye të faqes, një sektor emërtuar miklueshëm “Këndi i Diasporës”. Ky seksion përbëhet nga tri faqe, përmbajtja e përmbledhur e të cilave shpjegon se Kushtetuta i garanton të drejtën e votës çdo shtetasi shqiptar që jeton jashtë territorit, por deklaron se KQZ ende është në procesin e hartimit të rregullave të detajuara për të mundësuar votimin e bashkëatdhetarëve tanë në diasporë.

Bazuar në nenin 24 të Kodit Zgjedhor, gjithashtu shpjegohet se mund të votojnë ata emigrantë shqiptarë që:

  1. Kanë vendbanimin e përhershëm jashtë Shqipërisë
  2. Kanë regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë Shqipërisë
  3. Kërkojnë nga KQZ të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë

Regjistrimi i adresës në RKGjC kryhet nëpërmjet portalit e-albania. Për të regjistruar adresën e përhershme jashtë vendit, një shqiptar i diasporës duhet të plotësojë në formular shtetin, kodin postar, qytetin, adresën, dhe një dokument nga shteti ku ai banon që dëshmon vërtetësinë e adresës.

Në janar 2021, KQZ raportoi se ishin regjistruar në këtë mënyrë 32 mijë shtetas me banim jashtë vendit. Por, një muaj më pas, Komisioneri Ilirjan Celibashi tha se në databazë rezultojnë më pak se 900 qytetarë, për të cilët duhen krijuar mundësitë që të votojnë.

Për sa i përket dokumentacionit të votimit nga jashtë, pas interesimit tonë, na u tha se është ende herët për t’u informuar për procesin e marrjes së tij (megjithëse, na siguruan, nëse realizohet ndonjëherë, se do të jetë online). Zyra pranë KQZ, të cilës i telefonuam na këshilloi të prisnim deri në një mbledhje të Shtatorit, kur KQZ do të diskutojë mbi rregullat e votimit nga jashtë sërish.

Sipas një projektvendimi të KQZ nga viti 2021, shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit që kërkon të votojë duhet të plotësojë në sistem:

  1. Numrin personal
  2. Emër, atësi, mbiemër, datëlindje
  3. Foto të dokumentit të letërnjoftimit ose të pasaportës të lëshuar nga RSH
  4. Foto të dokumentit të identitetit të lëshuar nga shteti ku ka vendbanimin, ose leje qëndrimi në shtetin përkatës
  5. Adresën e vendbanimit jashtë RSH
  6. Adresë e-mail aktive
  7. Numër telefoni celular aktiv
  8. Një dokument që tregon lidhje me shtetin ku jeton si kontrate qiraje shtëpie ose dokument pronësie, kontratë me ujësjellës/energji/gaz, kontrate punësimi, kontratë shkollimi, etj”

Për verifikimin e identitetit të votuesit, KQZ ka propozuar dy mënyra.

E para parashikon t’i kërkojë votuesit një sërë të dhënash që mund të dëshmojnë identitetin e tij si emrin, datëlindjen dhe vendlindjen e prindërve, vëllezërve, motrave, apo fëmijëve të tij.

E dyta përfshin verifikimin me anë të teknologjive që identifikojnë fytyrën dhe për ta përdorur do të nevojitej një smartphone ose një kompjuter me kamera.

Pas krahasimit të të dhënave të mbledhura nga ky proces me të dhënat e Regjistrit Kombëtar së Gjendjes Civile, përpilohet lista e zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit. Shtetasit e regjistruar në këtë listë do të hiqen nga listat e votuesve në Shqipëri.

Ekperti- Regjistri i saktë i zgjedhësve, kyç për votimin e diasporës

Politologu Afrim Krasniqi argumenton se për sa kohë Shqipëria nuk ka një regjistër të saktë dhe të pakontestuar të zgjedhësve, është e paimagjinueshme që shteti të arrijë të bëjë një regjistër të diasporës jashtë të tillë, të saktë dhe të pakontestuar. Kjo për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në vite, pasi një numër emigrantësh kanë ndryshuar gjeneraltetet dhe të dhënat e banimit. Po ashtu një numër i madh i tyre kanë lindur fëmijë, të cilët sot janë në moshë madhore dhe nuk ekzistojnë në regjistrat e shtetit shqiptar.

“Ndaj procesi i regjistrimit është afatgjatë, por për të shkuar te një proces final i regjistrimit do duhej të bëhej një fazë e parë ku qytetarët që kanë vullnet për të votuar të regjistroheshin dhe të deklaroheshin, sepse jo cdo qytetar që ndodhet në botë llogaritet që mund të ishte votues. Fakti që Ministria e Diasporës nuk ekziston më, dhe drejtoria përkatëse në Ministrinë e Jashtme është shkrirë, është një shenjë pesimiste që shteti ka realisht një axhendë e cila mund të çojë në regjistrin e diasporës, dhe pastaj në jetësimin e votës së diasporës. Gjithashtu, ne kemi pasur testime dhe sondazhe të ndryshme, sidomos në vende ku ka numër të madh të qytetarëve siç është Britania e Madhe, Italia apo Greqia dhe, sidomos në Britani na është thënë që një numër i madh emigrantësh kanë gjeneralitete të një shteti tjetër, të Kosovës apo gjeneralitete të ndryshme nga emrat e tyre dhe me siguri që një pjesë e madhe e tyre nuk do jenë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve për një regjistër dhe për pjesëmarrje në lista votimi.”-thotë për Faktoje zoti Krasniqi.

Regjistrimi i zgjedhësve, është vetëm hapi parë i një procesi të komplikuar. KQZ e ngarkuar me hartimin dhe zbatimin e një plani për realizimin e votës së diasporës, ende nuk ka vendosur si do të bëhet votimi, si do të administrohen dhe si do të numërohen votat. Megjithatë përpjekja fillestare u shënua në 15 qershor, pasi komisioneri urdhëroi ngritjen e një grupi pune për hartimin e rregullave për votimin nga jashtë vendit.

konferencën e organizuar në muajin Maj, Komisioneri Celibashi foli për synimin e KQZ për të përfunduar procesin e votimit nga jashtë, jo më vonë se vjeshta e vitit 2023. Ai këmbënguli, përsëri, se realizimi i këtij procesi ka të domosdoshëm një konsensus “thuajse të plotë politik”. Duket se, edhe nëse plotësimi i kushteve teknike, paçka vështirësive, arrin të realizohet, KQZ mbetet e kushtëzuar nga politika.

Mënyrat e votimit nga jashtë

Përgjithësisht, mënyrat e votimit nga jashtë janë tri: votimi në ambasada, votimi me postë, dhe votimi online. Si pasojë e distancave të mëdha gjeografike ku ndodhen shqiptarët nëpër botë, votimi në ambasada bie poshtë si jo-praktik. Ndërsa alternativa e votimit online mund të kërkojë shumë nga një KQZ që gjendet tashmë përpara një sfide domethënëse teknike, si regjistrimi i zgjedhësve emigrantë. Mënyra më e prekshme duket se mbetet ajo e votimit me postë, mënyrë e praktikuar edhe nga Kosova.

Votimi me postë, gjithashtu, mund të kryhet në disa mënyra:

  1. Fleta e votimit shkarkohet online, printohet, dhe dërgohet nga votuesi, bashkëngjitur me një fotokopje të dokumentit të identifikimit. Në këtë rast kostot e postës mbulohen nga vetë qytetari.
  2. Fleta e votimit dërgohet fizikisht në adresën jashtë vendit, së bashku me një zarf, posta e të cilit është parapaguar nga shteti shqiptar. Pas plotësimit zarfi kthehet, bashkë me një fotokopje të dokumentit të identifikimit, Kostot në këtë rast mbulohen nga KQZ.

Nëse llogarisim një kosto mesatare prej 10 euro për postën e klasit të parë, nga ShBA dhe Europa, vetëm pajisja e rreth 1,3 milionë zgjdhësve të diasporës me fletë votimi do t’i kushtonte KQZ-së afërsisht 13 milionë euro. Për krahasim, buxheti i KQZ për vitin 2023 parashikohet të jetë më pak se gjysma e kësaj shume ose, 5.5 milionë euro.

Pse duhet të votojë diaspora?

Së pari, sepse Kushtetuta e Shqipërisë, i garanton të drejtën e votës çdo shtetasi shqiptar.

Diaspora shqiptare, bazuar në shifrat e INSTAT arriti 1,7 milionë shtetas në vitin 2020. Në janar të këtij viti popullsia e Shqipërisë ishte 2.8 milionë. Kjo do të thotë se të paktën 38% e të gjithë shqiptarëve jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Vendi ynë ka, kështu, diasporën më të madhe në krahasim me popullsinë për vendet me mbi 1 milionë banorë. Duke patur parasysh se 60% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, pritshmëritë janë që kjo diasporë do të rritet, ndërsa popullsia brenda vendit do të tkurret. KQZ supozon se 1,4 milionë votues banojnë jashtë vendit që do të thotë se 39% e votuesve shqiptarë nuk kanë mundur të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese deri tani.

Diaspora shqiptare kontribuon në mënyrë direkte në zhvillimin e vendit me anë të remitancave, apo dërgesave të parave që u çojnë familjarëve të tyre në Shqipëri. Vetëm në vitin 2020, emigrantët dërguan në atdhe 1,5 miliardë USD, që përkthehet në rreth 10% e gjithë PPB-së vjetore të vendit. Nga viti 1992, emigrantët llogaritet të kenë dërguar 30 miliardë USD në Shqipëri.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img