ESMERALDA TOPI

Qeveria ka lajmëruar rikthimin e faturimit të energjisë përmes fashave, alternativë që socialistët e hoqën pas ardhjes në pushtet duke e etiketuar si ‘strehë për maskarenjtë’. 7 vite më vonë qeveria risjell këtë mënyrë faturimi me argumentin ‘krizë energjitike’. Çdo familje që aktualisht paguan 8 mijë lekë në muaj për energjinë, duhet të përgatitet për një faturë shumë më të shtrenjtë. Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se janë 55 mijë deri në 65 mijë familje që konsumojnë mbi fashën 700 kilovat/orë energji në muaj.

“Për këtë shërbeu fasha në Shqipëri. Për ta kthyer nga një mburojë për të varfrit në një strehë për maskarenjtë. Duke hequr fashën, të gjithë tani kanë dalë në dritë.” – shprehej Kryeministri Edi Rama në janar të 2015, një muaj pas heqjes së faturimit të enrgjisë elektrike përmes dy fashave.

Por 7 vite më vonë ‘streha e maskarenjëve‘ ra.

“Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë në faturën e energjisë.”- tha Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare të 31 marsit.

Idenë e hedhur në parlament, Kryeministri e përforcoi më tej gjatë punimeve të kongresit  të Partisë Socialiste, kur tha se kriza e energjisë dikton nevojën e shpërndarjes së barrës sipas mundësive.

“Do të vendosim një çmim tjetër për të gjithë ata që konsumojnë energji elektrike shumë më tepër se sa masa e gjerë e popullit, sepse janë më të pasur.”- tha Rama gjatë Kongresit të PS-së në 9 prill.

Pak ditë më vonë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u kujdes të sqaronte mediat mbi këto deklarata, duke theksuar se Kryeministri i referohej familjeve që konsumonin sasi më të mëdha energjie, të cilat jo detyrimisht mund të jenë të ‘pasura’.

“Ndoshta ata nuk janë më të pasur, por e kanë nevojën të madhe, megjithatë ne jemi në përfundim të një analize të thellë e cila tregon se cila fashë, se sa kilovat/orë i duhen një familjeje për të pasur një konsum normal.”- tha Balluku pas mbledhjes së qeverisë në 13 prill.

Po sa kilovat/orë energji i duhen një familjeje për konsum normal?

“Rreth 700 kilovat/orë konsiderohet një konsum normal për një familje mesatarisht me 4 apo 5 anëtarë. Mbi këtë fashë, e cila nuk është miratuar akoma, do të paguhet me çmim më të lartë”- tha ministrja Belinda Balluku.

Pra nëse qeveria vendos këtë fashë, çdo familje që sot paguan një faturë 8000 lekë për energjinë elektrike (përfshi edhe TVSH-në) do t’i shtrenjtohet fatura e energjisë elektrike, pasi çdo kilovat mbi 700 do t’i faturohet më shtrenjtë se aktualisht që është 9.5 lekë.

Më konkretisht, referuar të dhënave të siguruara për Faktoje, familjet që mesatarisht konsumojnë mbi 700 kilovat/orë energji llogariten nga 55 mijë deri në 65 mijë.

Ndërkohë, referuar raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2021, klientët familjarë zënë 86.17% të numrit total të klientëve të FSHU-së nga të cilët vetëm 5% do të preken nga rritja e çmimit.

https://ere.gov.al/images/2022/04/Raporti%20Vjetor%202021%20perfundimtare.pdf\.

https://ere.gov.al/images/2022/04/Raporti%20Vjetor%202021%20perfundimtare.pdf\

Edhe në raportet vjetore të Entit Rregullator të Energjisë ndër vite, numri mesatar mujor i kosumatorëve familjarë që harxhojnë më shumë se 500 kilovat/orë energji varion nga 55.000 deri në 65.027.

Edhe ish-zëvendësministri i Energjitikës dhe ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi thotë për Faktoje se nisma është e njëanshme.

“Qeveria nuk mund të reflektojë ccmimet dhe kostot e tregut vetëm tek qytetari pa marrë dhe pa reflektuar keqmanaxhimin, korrupionin, nepotizmin tek kompanitë publike që japin këtë shërbim. Po përpiqet ta përqëndrojë vëmendjen tek një segment i problemit që është mëse legjitim si problem por nuk është legjitime përqasja e njëanshme e kësaj gjëje, ku vetëm qytetari duhet të përballet me kostot më të larta ndërsa drejtuesit e kompanive publike në fakt kanë dështuar në mënyrë të konsiderueshme. Dhe ndaj tyre nuk merret asnjë masë e nuk ka asnjë reflektim. Për ta kuptuar më thjesht, nëse Shqipëria do ti kishte humbjet sa Mali i Zi, Shqipëria në një vit normal s’do të kishte nevojë fare të bënte import. Nuk po them që të zhduken humbjet, por t’i ketë sa vendet fqinje dhe s’do të kishim nevojë që të shihnim këto rritje marramëndëse çmimi për të cilat po flitet.”

Nga ana tjetër eksperti për energjinë Lorenc Gordani i tha Faktoje se qeveria duhet të bëjë reformë të plotë tarifore.

“Në fakt ajo që duhet bërë është plotësimi i planit të veprimit të strategjisë së hapjes së sektorit të energjisë, ku ndër 17 pikat e saj, përfshihet dhe reforma e plotë tarifore. Por me sa duket, qeveria duket se druhet që nuk ka mjetet financiare për të mbështetur një kategori të gjerë të shtresave në nevojë që do duhet të rimbursohen nga buxheti lidhur me papërballueshmërinë e rritjes së çmimit të energjisë në këtë periudhe në tregjet ndërkombëtare. Për më shumë për këta konsumatorë nuk ka alternativa … sepse pikërisht nuk plotësohet reforma.” – thekson Gordani për Faktoje.

Ndërsa ish drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë Edurard Elezi ngre shqetësimin e cënimit të pavarësisë së këtij institucioni.

“Deklarimet nga ministrja janë të paligjshme sepse duhet të aplikojnë kompanitë. Çmimi ka formë tjetër se si del tarifa e energjisë elektrike, këto ja paraqesin Entit Rregullator të Energjisë, një institucion i pavarur. Kompanitë bëjnë aplikimin pranë ERE që të dalë tarifa e energjisë. Dhe pastaj merret aplikimi tek ERE dhe konsultohet me qeverinë. Sa program social ke vendosur për këtë punë. Sa buxhet ke, pasi është miratuar miratuar buxheti. Ndodh në raste emergjente që mund ta rishikosh çmimin, por rishikimi bëhet kur ke një emergjencë ose në rast se fitimet e kompanive janë të mëdha dhe kanë rënë çmimet në maksimum. Mund ta rishikosh por jo që ta rrisësh çmimin.”- thotë Elezi për Faktoje.

Enti rregullatori Energjisë s’ka ende propozime konktrete nga kompanitë, pasi nisma është në fazë studimi. Por në 2014, Enti Rregullator kur vendosi unifikimin e çmimit të energjisë elektrike në 9.5 lekë hoqi fashat me argumentin se rrisnin abuzimin.

“Aplikimi i tarifës me dy blloqe kishte rritur abuzimin nga ana e kompanisë, duke çuar në rritjen e numrit të ankesave nga familjaret për faturat e energjisë elektrike dhe ndërkohë pati ndikim të ndjeshëm në rritjen e nivelit të humbjeve joteknike të kompanisë.”- shprehej Kryeteri i ERE-s Petrit Ahmeti në dhjetor të 2014.

Ndërkohë propozimin e tanishëm të qeverisë Kryetari i ERE-s Petrit Ahmeti e sheh ndryshe nga 2014. Ahmeti i tha Faktoje se nuk mendon se vendosja e një fashe 700 kilovat/orë energji do të krijojë abuzime me faturimin.

“Struktura e çmimit tani nuk është e njëjta siç ka qënë atëhere. Edhe natyrisht edhe pasojat nuk janë të njëjtat siç mund të ishin më përpara. Është e vështirë të thuhet kjo gjë sepse për ata që janë pagues të rregullt nuk besoj që të ketë elementë të kësaj natyre. Bëhet fjalë për konsumatorët që mund t’i quajmë në thonjëza të pasur, të cilët nuk besoj se kanë nevojë që të bëjne makinacione për të përfituar një sasi energjie. Kjo mbetet për tu parë, është një propozim i cili natyrisht i nënshtrohet një diskutimi.” – theksoi ai.

Nismën e qeverisë për të rritur çmimin për familjet që harxhojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj Kreu i Entit Rregullator e sheh më shumë si një nismë për të kufizuar përdorimin e energjisë.

“Bëhet fjalë që është një nivel konsumi ku familjet mund të plotësojnë të gjithë nevojat e tyre dhe rezulton që vetëm një pjesë e vogël e familjeve shkojnë mbi 700 kilovat/orë por familje tek të cilat nuk është problem pjesa e pagesës. Ky mekanizëm është thjesht për të kufizuar disi përdorimin e energjisë elektrike në këto kushte që janë nga njëra anë është çmimi i palëvizshëm po nga ana tjetër mirë është që edhe të ekonomizohet do të thosha unë jo thjesht kufizohet përdorimi i energjisë elektrike.“ – tha Ahmeti.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë faturon 1 milion e 270 mijë abonentë. Sipas OSHEE leximi i matësve aktualisht po bëhet çdo muaj, ndryshe nga një vit më parë ku me vendim të ERE-s faturimi u bë njëhërë në dy muaj. Me rikthimin e fashës në faturë, OSHEE është e detyruar të lexojë matësat ccdo muaj dhe në data të njëjta. Ndaj mbetet për tu parë zbatueshmëria e nismës e cila ngre pikëpyetje të mëdha…