BallinaPertejPërmirësimi i kushteve në burgje do të shmangte "dënimin për të dytën herë"

Përmirësimi i kushteve në burgje do të shmangte “dënimin për të dytën herë”

ANDI BORA

Respektimi i të drejtave të njeriut lidhet ngushtësisht edhe me respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Në këtë aspekt, “Faktoje” pa të arsyeshme të kryente një vëzhgim lidhur me situatën aktuale në burgjet (I.E.V.P) e vendit, disa prej të cilave kanë jo pak probleme.

Institucioni i Avokatit të Popullit, në raporte të publikuara ka vënë në dukje një sërë problematikash që lidhen me sistemin e burgjeve dhe kushtet në to. Krijimi i kushteve të përshtatshme infrastrukturore dhe sigurimi i bazës materiale të nevojshme për të garantuar respektimin e të drejtave ligjore ndaj të paraburgosurve dhe të dënuarve, në raportin e 2017-ës, është konsideruar si neglizhencë e pajustifikuar e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë.

________________________________________________________________________________________________

Po ashtu edhe në vitin 2018, gjatë inspektimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit janë vënë në dukje problematika të përsëritura në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P), thënë ndryshe burgje. 

Infrastruktura në pjesën më të madhe të I.E.V.P.-ve në mënyrë të përsëritur paraqiste probleme të amortizimit, lagështirës, furnizimit me ndërprerje me energji elektrike e ujë, sigurimit të ndriçimit natyral dhe të ajrosjes së plotë të qelive, pranisë së insekteve, kushteve jashtë standardeve të tualeteve, kuzhinave, dusheve, ambienteve të ajrimit, dhomave të izolimit, etj. Veçanërisht kushtet materiale tejet degraduese në regjimet e brendshme të I I.E.V.P. Sarandë, I.E.V.P. Tepelenë, I.E.V.P. Burrel. Përjashtim bënin I.E.V.P.-të e reja dhe ato të rikonstruktuara”, thuhet në materialet e vëna në dispozicion nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në një intervistë për “Faktoje”, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha se gjendja në sistemin e burgjeve është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, por sipas saj është e nevojshme që hapat në këtë drejtim të jenë më të shpejta dhe më konkrete.

Ajo që ne mund të themi si Institucioni i Avokatit të Popullit është që ka një përmirësim të vazhdueshëm të kushteve në sistemin penintenciar dhe që ky qëndrim duhet të kthehet, në gjykimin tonë, në një përmirësim të qëndrueshëm. Sigurisht që nuk janë kushtet në burgje, ato që ne do të donim të ishin, por sigurisht që edhe jeta e gjithësecilit prej nesh nuk është në ato kushte që ne do të donim të ishim”, u shpreh Ballanca.

Megjithëse institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka fuqi vendimmarrëse, në raportin e vitit 2017 ka rekomanduar mbylljen e menjëhershme të burgut të Zaharisë (Krujë), Sarandës, Burrelit, Tepelenës, si dhe  të Institucionit të Veçantë Shëndetësor të Burgjeve(I.V.SH.B) ku është kërkuar transferimi i personave në burgje të tjera.

Avokatja e Popullit tha për ‘’Faktoje’’, se është pozitiv fakti që po ndërtohen disa burgje të reja, të cilat do të kenë kushte shumë më të mira, duke rikthyer përsëri vëmendjen tek sistemi i burgjeve që pas vëmendjes së munguar, pasi morëm statusin e vendit kandidat.

Tani duket që ka përsëri një vëmendje në lidhje me përmirësimin e kushteve në burgje. Po ndërtohen disa burgje të reja dhe kjo ka qenë gjëja pozitive, sepse kur ndërtohen burgje të reja, në thelb, kushtet janë shumë më të mira sesa përpara. Ndërkohë që ka edhe burgje të ndërtuara që në kohën e komunizmit, siç është burgu i Tepelenës apo burgu i Zaharisë që janë në kushte jashtëzakonisht të këqija dhe për të cilat institucioni jonë ka rekomanduar edhe mbylljen e tyre, pasi konsideron që janë tej kushteve të cilat do të krijonin mundësinë për të burgosurit për të patur një trajtim njerëzor në burgje”, tha Ballanca.

________________________________________________________________________________________________

Kushtet infrastrukturore në sistemin e burgjeve

Lidhur me faktin që është kërkuar mbyllja e një sërë burgjeve nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit, ‘’Faktoje’’ dërgoi një kërkesë për informacion në Ministrinë e Drejtësisë, ku në përgjigjen e ardhur thuhet që burgu i  Zaharisë(Krujë) është në vëzhgim.

Ndërkaq, burgu i Sarandës është rikonstruktuar pjesërisht dhe do të vazhdojë të funksionojë si paraburgim deri në një vendimmarrje nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe nga Qeveria.

E pyetur për burgun e Burrelit, në përgjigje thuhet se ky institucion është në aktivitet të plotë.

“Janë rikonstruktuar ambientet për përmirësimin e kushteve të jetesës në qeli. Janë përmirësuar ndjeshëm sistemi i ngrohjes, furnizimi me ujë dhe energji elektrike. Është përmirësuar së tepërmi ambienti i gatimit të institucionit, sheshi ajrimit etj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Raporti i vitit 2018 ende nuk është bërë publik, por një postim në faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit që mban datën 10 Janar 2019, vihen përsëri në dukje problematikat që lidhen me sistemin e burgjeve dhe më konkretisht në burgun e Fushë-Krujës.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar problematika të shumta e të mbivendosura të cilat kanë shkaktuar një situatë mosbesimi dhe pakënaqësie të përgjithshme nga të dënuarit dhe të paraburgosurit në këtë institucion. Ndër to renditen mungesa e ngrohjes edhe pse sistemi i kaldajës ishte funksional, mbipopullimin në nivele tërësisht jo-normale, si dhe përzierjen brenda të njëjtave ambiente të të dënuarve me të paraburgosurit, nivele të pakënaqshme të furnizimit me energji elektrike e ujë, etj”, thuhet në postim.

Në raportin e vitit 2017-të të Institucioni të Avokatit të Popullit , disa prej rekomandimeve kanë hyrë në seksionin e zbatimit duke u marrë masat për plotësimin e tyre si në rastin për kategorinë e të miturve, për krijimin e kushteve materiale të jetesës në dhomat e observimit dhe veçimit sipas standardeve të përcaktuara në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.

Problematike janë rastet e burgjeve që kanë ambiente me lagështirë, mungesë të ngrohjes, kushteve të dobëta të tualeteve dhe dusheve, por megjithatë në buxhetin e vitit 2018, një pjesë e këtyre rikonstruksioneve ishin të parashikuara.

Por, sipas një raporti monitorimi të kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit (KSHM), në Institucionin e Veçantë Zahari (Krujë),  i cili mban datën 02.03.2018, janë evidentuar një sërë problematikash që lidhen me ambientet e këtij institucioni. Në këtë I.E.V.P trajtohen persona me probleme të shëndetit mendor, prandaj situata është edhe më alarmante.

“Gjithashtu, kushtet janë ç’njerëzore, ka mangësi të të mirave materiale bazike të tilla si: tavolinë ngrënieje, karrige etj. Situata paraqitej akoma më alarmante tek ambienti i tualetit dhe kuzhinës. Ishin 4 tualete të organizuar në dy kate që duhet të përmbushin nevojat e 167 të akomoduarve. Kuzhina ishte mjedis i bollshëm, por me problematikë të theksuar infrastrukturore; kishte lagështirë dhe në një hapësirë të konsiderueshme pikonte vazhdimisht lagështira”, thuhet në raportin e KSHM.

___________________________________________________________________________

Të burgosurit me probleme të shëndetit mendor

Në vitin 2012 u miratua ligji “Për Shëndetin Mendor” që synonte ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, ku do të trajtoheshin të burgosurit që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm”, por edhe sot që flasim ky institucion nuk është ngritur.

Sipas Avokates së Popullit, ky ligj nuk ka funksionuar për shkak të mungesës së fondeve, ndërkohë që ajo shton se situata është problematike kur vjen fjala tek shëndeti mendor i të burgosurve.

“Ligji për shëndetin mendor ka qenë një ligj i cili është miratuar pa një faturë financiare të menduar mirë dhe për shkak të mungesës së fondeve për të ta vënë atë në zbatim jemi në këto kushte. Institucioni ende nuk është ngritur në parametrat përsa i përket ligjit. Ne kemi bërë edhe raport të veçantë ne lidhje me shëndetin mendor në përgjithësi, jo vetëm për burgjet por edhe në sistemin penintenciar. Situata është problematike në këtë kuadër dhe do të duhet një vëmendje më e madhe për ta bërë të mundur ndërtimin e këtij institucioni sipas modeleve, gjykoj unë, më të mira të rajonit”, tha Ballanca për Faktoje.

Aktualisht të dënuarit me probleme mendore trajtohen në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve (I.V.SH.B), Tiranë dhe në (I.E.V.P) Zahari, Krujë. Të dyja këto institucione, në raportin e vitit 2017 të Avokatit të Popullit janë kërkuar që të mbyllen pasi është i pamundur garantimi i të drejtave të të paraburgosurve dhe të dënuarve, të sanksionuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionit kombëtar në fuqi.

Gjatë vitit 2018, Institucioni i Avokatit të Popullit, ka konstatuar se edhe pas rekomandimeve që ka bërë, për ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor, rekomandime që nuk janë zbatuar, trajtimi i personave me probleme të shëndetit mendor, vijon të jetë i paligjshëm.

Trajtimi i kësaj kategorie në kushte burgu në I.V.SH.B. Tiranë dhe në I.E.V.P. Zahari, Krujë, dhe në seksione të kujdesit të veçantë të krijuara në disa IEVP, vijon të mbetet i paligjshëm”, thuhet në përgjigjen për ‘’Faktoje’’.

Ministria e Drejtësisë, e pyetur për këtë çështje shprehet se mbas rikonstruksionit të godinave 4 dhe 5 në I.E.V.P Lezhë, këto ambiente do të funksionojnë si Institut Mjekësor i Posaçëm, për shtetasit me vendim gjykate me masë mjekësore ‘’mjekim të detyruar’’.

Aktualisht, sipas ministrisë, të burgosurit me probleme mendore trajtohen konform Ligji Nr. 44, “Për shëndetin mendor”.

Konsultohen dhe diagnostikohen nga mjeket psikiatër dhe trajtohen sipas rekomandimeve të mjekëve specialist. Ata diagnostikohen nga mjekët psikiatër të sistemit të burgjeve dhe të institucioneve të MSH”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Por, në një monitorim të detajuar për I.E.V.P Zahari (Krujë), bërë edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili mban datën 02.03.2018, konstatohen një sërë problematikash që lidhen me trajtimin e personave të akomoduar që janë me probleme të shëndetit mendor.

Evidentohen mungesa të stafit mjekësor i cili ofron kujdes të pjesshëm ndaj personave me probleme të shëndetit mendor. Referuar organikës së miratuar, shërbimi mjekësor ofrohet me një numër të reduktuar të stafit, konkretisht ai mbulohet me mjekë të përgjithshëm të burgjeve dhe nuk ka mjekë psikiatër. Gjithashtu kishte mungesa në psikologë; përkatësisht ishin të punësuar 2 psikologë kur në fakt duhet të ishin 4 të tillë”, thuhet në raport.

___________________________________________________________________________

 

Mbipopullimi në burgje

Një raport tjetër monitorimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit në I.V.SH.B(Tiranë), i datës 26.06.2018, vëren edhe problemet që lidhen me gjendjen e mbipopullimit të këtij institucioni.  

Nga verifikimi vizual i ambienteve në të cilat qëndronin këta persona, rezultoi se kryesisht dhomat përbëheshin nga 5 persona, 3 nga të cilët flinin në krevatin e tyre, ndërkohë që 2 persona të tjerë flinin mbi shtroje sfungjeri në tokë. Ndërkohë që në institucion u verifikuar që në 1 dhomë rreth 14m2 qëndronin 7 persona, 4 nga të cilët flinin në krevatin e tyre, ndërsa 3 persona linin përdhe. Shtrojet e sfungjerit ishin të keqpërdorura dhe të ndotura”, thuhet në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

I njëjti konstatim mbipopullimi shkruhet edhe në raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit të vitit 2017, duke shkelur kështu ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Mbipopullim u konstatua edhe në I.E.V.P.-të Lezhë, Krujë, Rrogozhinë, Tepelenë, Drenovë e Sarandë, të cilat funksiononin në pjesën më të madhe të kohës mbi kapacitetin zyrtar. Si rrjedhojë e mbipopullimit, një pjesë e I.E.V.P.-ve kishte aplikuar shtimin e numrit të shtretërve, gjë që kishte pakësuar numrin e personave që flinin me shtroje përtokë, por që kishte sjellë si pasojë cenimin e standardeve të hapësirës dhe kubaturës minimale ligjore për person”, thuhet në raport.

Edhe për vitin 2018, vihet re e njëjta situatë, mbipopullim i burgjeve në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Në disa IEVP u konstatua se kishte mbipopullim, madje kishte persona të privuar nga  liria që flinin me dyshek përtokë. P.sh I.E.V.P Sarandë, Tepelenë, Vaqarr, funksiononin në pjesën më të madhe të kohës mbi kapacitetin zyrtar”, thuhet në përgjigjen për ‘’Faktoje’’.

Avokatja e Popullit shprehet se një pjesë e madhe e rekomandimeve që institucioni që ajo drejton janë reflektuar vit pas viti, por sipas saj përmirësimet varen edhe nga niveli i fondeve që institucionet mund të kenë pasur në dispozicion.

Nuk ka në asnjë rast apo rekomandim që ne të shkojmë dhe të mos gjejmë asnjë përmirësim nga një vit më parë. Sa herë që ne evidentojmë një çështje dhe një problematikë, ka përmirësime, të vogla apo të mëdha, varet nga institucioni dhe varet nga niveli i fondeve që ata mund të kenë pasur në atë vit, por qasja dhe fryma është gjithnjë e më tepër pozitive dhe e hapur dhe ne këtu shikojmë edhe vlerën më të madhe të pozicionit tonë”, u shpreh Ballanca.

Sistemi i burgjeve mbetet ndër sistemet më problematike në vendin tonë dhe që meriton vëmendje më të madhe. Përmirësimi i vazhdueshëm dhe i mëtejshëm i këtij sistemi do të krijonte një  panoramë ndryshe nga ç’përshkruajnë edhe disa nga raportet e sipërpërmendura duke shmangur edhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img