BallinaPertejPasojat që solli devijimi i trafikut te sheshi “Shqiponja” në Tiranë

Pasojat që solli devijimi i trafikut te sheshi “Shqiponja” në Tiranë

EDIT NIKOLLI & MARJO BRAKAJ

Devijimi i trafikut për shkak të punimeve te sheshi “Shqiponja” solli kaos në lëvizjen e mjeteve të transportit publik dhe trafik të rënduar në disa rrugë dytësore të Tiranës. Përdoruesit e transportit publik nga bashkitë e Vorës dhe Kamzës ishin ndër më të prekurit. Ndryshimi i itinerarit të lëvizjes u ka krijuar atyre probleme të njëpasnjëshme, edhe për shkak të mungesës së përcaktimit të stacioneve të reja. Punimet për fazën e tretë në sheshin “Shqiponja”, pritet të zgjasin së paku katër muaj.


Drejtimi i qarkullimit të mjeteve nga segmenti “Dritan Hoxha” për në rrugën “29 Nëntori” nuk do jetë më sipas rrethrrotullimit, në fazën 3 rrethrrotullimi hiqet – njoftoi Autoriteti Rrugor Shqiptar, të shtunën më 24 tetor.

Paraqitje grafike e devijimit të trafikut te sheshi “Shqiponja”, burimi: ARRSH

Siç lajmëroi ARRSH, prej të hënës, te sheshi “Shqiponja” u vendos ndalimi i qarkullimit. Të gjithë përdoruesve të rrugës që kishin për destinacion qytetin e Durrësit, iu desh të devijonin në drejtim të rrugës “29 Nëntori”. Atyre që vinin nga Durrësi në drejtim të Tiranës, iu desh të udhëtonin përmes aksit të Ndroqit në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”.

Devijimi i lëvizjes në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”

Të gjithë përdoruesit e rrugës “Dritan Hoxha”, nga e hëna e 26 tetorit duhet të devijojnë në drejtim të rrugës “Abedin Rexha” e cila të nxjerr në pjesën e zonës së Helikopterëve. Qarkullimi i mjeteve nga rruga “Teodor Keko” për tek rruga “Dritan Hoxha” bëhet po ashtu përmes rrugës “Abedin Rexha”.

Devijimi i qarkullimit te sheshi “Shqiponja”

Ndryshimi i intinerarit të lëvizjes, i ka gjetur të papërgatitur shumë qytetarë, të cilët pohojnë se nuk kanë qenë të informuar.

Kisha mbi 20 minuta që prisja te stacioni i Laprakës urbanin që vjen nga Instituti. Pothuajse çdo ditë merrja autobusin aty për të shkuar në qendër, se punoj në një biznes si sanitare. Teksa më pa duke pritur, një djalë më njoftoi se nuk kalonte më urbani këtu, kështu që shkova te ‘Zogu i Zi’ dhe aty mora urbanin e ‘Unazës’”– thotë Shpresa, ndërsa nxiton të fitojë minutat e humbura duke pritur më kot autobusin në Laprakë.

Situatë edhe më problematike raportojnë qytetarët që udhëtojnë nga Vora dhe Kamza në drejtim të Tiranës.

Ca kohë na u devijua rruga te “Mine Peza” se punohej te “Rruga e Durrësit”. Tani i biem Tiranës kryq e tërthor për të shkuar në “Don Bosko”. Unë vij nga Kamza çdo ditë se kam një biznes të vogël aty”. Me këto ndryshmet unë i bie Tiranës përreth për të arritur te Don Bosko. Duhet ta kishin menduar pak më herët e të na njoftonin dhe ne. Nuk merren vendimet që prekin shumë njerëz nga sot për nesër! – ankohet një tjetër përdoruese e transportit publik.

Për studenten R.B., e cila kishte ardhur nga qyteti i Fierit për t’u regjistruar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, devijimi i trafikut te sheshi “Shqiponja” ishte i papritur dhe çorientues.

Pasi zbrita te terminali i autobusëve të jugut, hipa në autobusin e linjës së Institutit, me qëllim që të shkoja te Stacioni i Trenit, te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, por u çudita kur faturino njoftoi se stacioni te “Astiri” ishte i fundit. E pata të vështirë të orientohem, megjithatë zbrita aty. Pjesën tjetër të rrugës e bëra në këmbë – i tha “Faktojes” studentja.

Devijimi i trafikut te sheshi “Shqiponja” solli trafik të rënduar edhe në rrugët dytësore të Tiranës.

Rrugë dytësore në zonën e “Astirit”, Tiranë

Projekti i rindërtimit të Unazës së madhe, nga rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja deri tek Pallati me Shigjeta do të kushtojë 36 milionë euro. Gjithsej janë 2.2 km rrugë që parashikohen të ndërtohen dhe të cilat janë ndarë në tre lote

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img